Altin Lala rinovon deri në vitin 2011 me Hanover
Tashmë është zyrtare: Altin Lala do të mbyllë karrierën te Hanoveri në Bundesligën gjermane. Pas deklaratave për "dashuri" të dyanshme, palët kanë hedhur të zezën në të bardhë. 33-vjeçari, kontrata e të cilit përfundonte në fund të sezonit, ka firmosur edhe për dy vjet të tjera me klubin ku luan që prej vitit 1998. Në këtë mënyrë, kapiteni kuqezi, që është një prej idhujve të tifozerisë, do të përfaqësohet me Hanoverin deri më 30 qershor 2011. "Edhe pse Altini nuk ka luajtur rregullisht në këto muajt e fundit për shkak të dëmtimeve, ai është padyshim një pjesë e rëndësishme e skuadrës", deklaroi presidenti Martin Kind. "Ai do ta ndihmojë skuadrën të përmirësohet, me eksperiencën dhe reputacionin që gëzon mes lojtarëve e tifozëve". Lala ka bërë të ditur se në fund të këtij edicioni do të tërhiqet nga Kombëtarja, ndërsa pasi të përfundojë kontratën si futbollist, nuk përjashtohet të emërohet në stafin drejtues të Hanoverit.