E Shtunë, 31 Tetor 2026

Efekti domino në Formula 1, Renault kërcënon me largim

Efekt domino në Formula 1. Skuadra e Renaultit ndjek Ferrarin: Edhe skuderia franceze do t‘i thotë lamtumirë Formula 1, nëse rregullat që Federata Ndërkombëtare e Automobilizmit (FIA) dëshiron të imponojë duke filluar që nga sezoni i ardhshëm (tavanin e shpenzimeve deri në 45 milionë euro dhe rregullorja penalizuese për skuadrat që nuk i respektojnë) nuk do të ndryshohen. Skuadra transalpine e ka bërë lajmërimin dje në orët e mesditës. "Nëse vendimet që u bënë të njohura nga Këshilli Botëror i FIA-s, më 29 prillin e kaluar, nuk do të ndryshohen, nuk na mbetet zgjedhje tjetër, veçse të braktisim kampionatin Botëror të Formula 1 në fund të sezonit 2009", lexohet në komunikatën e përpiluar nga skuadra e drejtuar nga Flavio Briatore.

"Tashmë ndjenja e frustrimit është reale, lexohet më tej në komunikatë. FOTA (organizata drejtuese e skuadrave të Formula 1) ka formuluar disa propozime konstruktive për të reduktuar kostot në mënyrë drastike dhe për të hyrë në fuqi në mënyrë të përshkallëzuar nga viti 2009 deri më 2012. Këto propozime të realizuara nga anëtarët e FOTA-s janë injoruar totalisht nga FIA pa u konsultuar me skuadrat. Përveç të tjerash, duhet të saktësohet se objektivat ekonomike të fiksuara nga FOTA janë identike, për të mos thënë më të ulëta sesa ato të FIA-s. Renaulti beson shumë se procesi duhet të zhvillohet në një mënyrë të ndryshme dhe çka është më kryesorja, duhet të pranohet nga të gjithë. Për Renaultin është jashtëzakonisht e rëndësishme që administrimi i sportit të realizohet duke u konsultuar me të gjitha palët e përfshira në këtë çështje (FIA, FOM, FOTA) për të siguruar një ekuilibër më të mirë mes përfitimeve dhe shpenzimeve. Renault është i mendimit se të gjithë konkurrentët e regjistruar në Kampionatin Botëror të Formula 1 duhet të operojnë të mbështetur në një rregullore unike".

Në komunikatën e hedhur në qarkullim nga skuadra janë edhe deklaratat e Bernard Rey, presidentit të skuadrës, dhe të Flavio Briatores, drejtorit të përgjithshëm. "Renaulti e ka konsideruar gjithnjë Formula 1 si kategorinë mbretëreshë të sportit të automobilizmit, ka thënë Rey, dhe platformën më të përsosur për të demonstruar ‘mrekullitë‘ teknike. Jemi impenjuar gjithmonë në kompeticion, por nuk mund të regjistrohemi në një kampionat me një rregullore të dyfishtë. Nëse kjo do të ndodhë, do të jemi të detyruar të tërhiqemi në fund të sezonit". I të njëjtit mendim është edhe Flavio Briatore. "Objektivi ynë është ai i reduktimit të kostove, duke mbajtur standardet që e bëjnë Formula 1 një nga markat më prestigjioze të botës, ka thënë drejtuesi italian. Dëshirojmë të arrijmë këtë objektiv në bashkëpunim me entet normative dhe komerciale të sportit, dhe do të refuzojmë pranimin e një qeverisjeje unike nga FIA. Nëse vendimet e lajmëruara nga Këshilli Botëror më 29 prill nuk do të riformulohen ndryshe, nuk do të kemi zgjedhje tjetër, veçse të tërhiqemi nga Botërori në 2009".

Ekleston

"Ferrari nuk largohet, do

të gjejmë një zgjidhje"

Berni Ekleston siguron të pasionuarit e Formula 1: Ferrari nuk do të mungojë në Botërorin 2010. "Drejtuesit e Ferrarit nuk janë budallenj. Ata nuk dëshirojnë të largohen nga F1 dhe ne nuk duam që ta humbasim këtë prodhues. Kjo është arsyeja përse do të gjejmë një zgjidhje për të gjitha kontradiktat", deklaroi britaniku, duke komentuar vendimin e këshillit administrativ të "kokëkuqes", pas rregullave të reja për tavan në buxhetin e skuadrave. "Ndoshta nuk jam njeriu i duhur për të folur për martesa perfekte (duke lënë të nënkuptohet divorcin nga bashkëshortja), por do të gjendet gjuha e përbashkët, edhe pse kjo nuk është e lehtë". Ekleston hodhi poshtë edhe idenë e një kampionati me dy nivele, ku garojnë së bashku skuderi me financa të kufizuara dhe skuderi që shpenzojnë më shumë nga shifra e përcaktuar: "Kjo hipotezë po zhduket".

Ideja

Alternativa, markat e mëdha

shqyrtojnë Botërorin paralel

Edhe pse Ekleston kërkon të zbusë debatet, Maks Mosli, presidenti i FIA-s nuk tërhiqet nga pretendimi për të ndryshuar rregullat e F1. Pas kryengritjes së Ferrarit, tani fjalën e kanë prodhuesit e tjerë që duhet të dalin zbuluar dhe të konfirmojnë nëse synojnë të garojnë në një kampionat me ekipe të vogla dhe "shpenzime të kufizuara" apo të krijojnë një Botëror paralel. Prodhuesit e mëdhenj, Fiat-Ferrari, BMV, Mercedes, Renault e Tojota duken të gatshëm të krijojnë një kampionat që nuk varet nga FIA. Të gjitha këto skuadra u impenjuan të hedhin në pistë nga tri makina secila, në mënyrë që konkurrenca të jetë e fortë. Ide joshëse, e cila bëhet edhe më interesante pas zërave se piloti i tretë i Ferrarit mund të jetë Valentino Rosi. Kampioni i MotoGp ka zhvilluar disa teste në të kaluarën me "kokëkuqen" dhe prezenca e tij padyshim që do të shërbejë në aspektin e marketingut.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›