E Shtunë, 31 Tetor 2026

Loçareviç dhe Kabrini, takim "sekret" me Dukën për trajnerin

FSHF-ja është në panik, pasi dita e ndeshjes me Portugalinë në Tiranë (më 6 qershor 2009) po afron, ndërsa Kombëtarja jonë nuk e ka ende trajnerin e saj. Refuzimi i kroatit Branko Ivankoviç, duket se e gjeti të papërgatitur FSHF-në, e cila priste një përgjigje pozitive prej tij. Por tani mësohet se problemi më i madh është bërë mungesa e alternativave bindëse. Gjithsesi, presidenti Armand Duka ka intensifikuar lëvizjet në këto ditë të fundit dhe kërkon me ngulm emërimin sa më të shpejtë të trajnerit të ri. Edhe pse federata ka synuar të mos publikojë zyrtarisht kandidaturat, me të cilat ka negociuar apo vazhdon të negociojë, dje janë zbuluar tratativat më të fundit të presidentit të FSHF-së. Kroati Ilija Lonçareviç dhe italiani Antoni Kabrini janë dy kandidaturat me të cilët presidenti i FSHF-së ka zhvilluar bisedime ditët e fundit. Të dy të sipërpërmendurit kanë mbërritur në kryeqytetin shqiptar për t‘u njohur më mirë me kërkesat e Shqipërisë. Lajmi është bërë i njohur nga burime të besueshme pranë numrit një të FSHF-së. Kroati Ilija Lonçareviç ka drejtuar shumë skuadra kroate të njohura si Dinamon e Zagrebit. Karrierën si teknik e ka nisur në vitin 1987 me Inker Zapresiç, me të cilën fitoi edhe Kupën e Kroacisë (1992). Suksesin më të madh e ka me Dinamon e Zagrebit, ku fitoi titullin në vitin 1999. Ai ka drejtuar gjithashtu edhe skuadrat Zagreb, Marsonia, Osijek, Rijeka dhe Sllaven Belupo. Eksperienca e vetme e Ilija Lonçareviç, në krye të një ekipi kombëtar, është me Libinë, të cilën e ka drejtuar dy herë në 2003-2004 dhe në 2005-2006. Ndërsa deri në muajin mars të këtij viti ka qenë trajneri i Lokomotivës, në ligën e dytë kroate. Ndërkohë, Antoni Kabrini është ish-lojtari i njohur i Juventusit dhe i Kombëtares së Italisë. Në karrierën e tij ka drejtuar skuadra italiane të dorës së dytë si Areco (2000-2001), Krotone (2001), Piza (2004-2005) e Novara (2005-2006). Përjashtimi i vetëm është eksperienca e tij njëvjeçare (2007-2008) në krye të Kombëtares së Sirisë. Kabrini ka qenë edhe një herë tjetër në Shqipëri, pikërisht për të biseduar rreth mundësisë së të qenit trajner i kombëtares pas largimit të gjermanit Brigel, por u rishfaq edhe pas largimit të Bariçit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›