E Diel, 1 Nëntor 2026

GJYKATA E LARTE DHE THEMELET E SHTETIT LIGJOR

Iu deshën vetëm dy minuta Kolegjit Penal, të mbledhur nga kryetarja e Gjykatës së Lartë, Shpresa Beçaj, për të rrëzuar kërkesën e Prokurorisë së Përgjithshme në lidhje me konfliktin e interesit të tre prej gjyqtarëve, që po shqyrtojnë vrasjen, me 700 tonë eksploziv, të 26 qytetarëve në Gërdec, një vit më parë.

Sigurisht ky është edhe gjykimi më i shpejtë në historinë e jurisprudencës shqiptare, por fatkeqësisht shumë i shpejtë për t‘u dhënë mundësi gjyqtarëve për të lexuar ankimimin e prokurorëve, i cili bazohej në precedentë të qartë, të vendosur nga Gjykata Kushtetuese mbi konfliktin e interesit të një trupi gjykues. Por ishte shumë i shpejtë dhe mospërfillës edhe për të gjykuar se vetë ky qëndrim i mbajtur nga ky panel rrezikon dhe rrëzimin pas një ankimimi të mundshëm në Strasburg, të vendimit që kjo gjykatë do të japë në lidhje me çështjen.

Prokurorët, të cilët kanë hetuar tragjedinë e Gërdecit për afro një vit, kanë të drejtë të shqetësohen nga një vendim i tillë, që nuk ka si të jetë ligjor, për vetë rekordin kohor që u mor. Problemi është që, më shumë se ata, duhet të shqetësohet opinioni publik, i cili kërkon drejtësi për jetët e humbura nga korrupsioni dhe papërgjegjshmëria e pushtetit.

Në seancën e dytë gjyqësore për tragjedinë e Gërdecit, e cila është hapur me kërkesën e prokurorisë për largimin nga gjykimi të tre gjyqtarëve, kërkesa ka pasur të bëjë kryesisht me kryetarin e trupës, Besnik Imeraj. Prokurorët, në argumentimin e tyre gjatë seancës, parashtruan se gjyqtari Imeraj ka lidhje me disa prej të akuzuarve dhe se vajza e tij ka qenë avokate e një prej të akuzuarve kryesorë të çështjes, Mihal Delijorgjit, dhe kompanisë që merrej me demontim në Gërdec, "Albademil". Argumenti tjetër i prokurorëve është se tre gjyqtarët, Besnik Imeraj, Imer Bala, Evgjeni Sinoimeri, kanë dhënë një vendim të mëparshëm në lidhje me një nga procedurat e prokurorisë gjatë hetimit të tragjedisë së Gërdecit.

Sipas një vendimi të Gjykatës Kushtetuese, që mban datën 23 prill të vitit 2008, është vendosur që një gjyqtar i Gjykatës së Lartë nuk mund të japë disa herë vendime për të njëjtën dosje. Megjithëse argumentet e parashtruara ishin më se bindëse, për prokurorët, por edhe për ekspertë juridikë të pavarur, ato janë hedhur poshtë nga Gjykata e Lartë. Madje, pa u lexuar.

Konflikti i interesit të gjyqtarëve që po shqyrtojnë çështjen e Gërdecit, e që fatkeqësisht nuk është i qartë vetëm për ta, përbën në vetvete një shkelje ligjore, që do të hidhte poshtë çdo lloj vendimi që ky Kolegj Penal do të merrte, sepse do ta bënte të gjithë procesin të paligjshëm dhe nul. Ky vendim cenon rëndë gjyqin për tragjedinë e Gërdecit, por mbi të gjitha cenon rëndë vetë themelet e pushtetit të ligjit.

Si qytetar, shtetas i këtij vendi, si të gjithë bashkëkombësit e mi, më duhet t‘i argumentoj vetes çdo mëngjes që ky vend mbart akoma shpresë për drejtësi. Por nga ana tjetër, tmerrohem kur shërbëtorët tanë ligjorë nuk mund t‘i japin më shumë se dy minuta të kohës së tyre krimit që mori 26 jetë njerëzish. Tmerrohem nga frika, se ky vendim ishte i ndërgjegjshëm dhe jo rrjedhojë e paaftësisë. Më keq, dëshpërohem nga fakti që një seri vendimesh të dhëna nga gjykata më e lartë e vendit po shkatërrojnë themelet e shtetit ligjor, ndërsa ndjeshmëria ndaj kësaj masakre juridike është shumë e ulët.

Vetëm pak javë më parë, të njëjtët gjyqtarë rrëzuan akuzat e ngritura ndaj ministrit të Jashtëm, Lulzim Basha, në lidhje me parregullsitë në ndërtimin e rrugës Rrëshen-Kalimash. Duhet thënë "parregullsi marramendëse", sepse, sipas vlerësimit të Kontrollit të Lartë të Shtetit, do të "duhen 180 vjet" që rruga të justifikojë kostot e saj. Vendimi u bazua në vendimin e mëparshëm të Gjykatës së Shkallës së Parë, të marrë nga gjykatësja Fatmira Hajdari, dhe një tjetër të Gjykatës së Apelit, e cila e hidhte poshtë çështjen, pasi sipas saj, arsyetohej që ishin kaluar termat kohorë të hetimit. Pak rëndësi ka që, përpara se të pritej një vendim i një tjetër Kolegji Penal (i cili më vonë do t‘i nxirrte këto vendime jo vetëm si antikushtetuese, por në kundërshtim të rendit kushtetues), Gjykata e Lartë shpalli pezullimin e çështjes.

Me pak fjala, Gjykatat e Shkallës së Parë dhe të Apelit morën përsipër një tagër ligjor që nuk u takonte. Krahasimi më i afërt do ishte sikur ministri i Bujqësisë të vendoste të hapte një proces gjyqësor ndaj Presidentit të Republikës, ta shpallte fajtor, dhe më vonë, Gjykata e Lartë ta certifikonte këtë gjyq si të ligjshëm. Fatmirësisht, ministri ynë i Bujqësisë nuk është aq i çmendur. E fatkeqësisht, Gjykata e Lartë të lë një përshtypje të tillë.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›