Prodani, ish-sekretari i Transporteve, numri 2 i FSHF
Në mbledhjen e tij të radhës, Komiteti Ekzekutiv në Federatën Shqiptare të Futbollit ka emëruar sekretarin e ri të përgjithshëm. Posti i numrit 2 në institucionin që drejton sportin më popullor në vend do të jetë Eduard Prodani, që vetëm pak kohë më parë ka punuar si sekretar në Ministrinë e Transporteve. I lindur në Tiranë, kualifikimi i tij profesional është mjaft i pasur në fushën e menaxhimit. Pas diplomimit në Fakultetin e Inxhinierisë së Ndërtimit në kryeqytet në vitin 1989, 44-vjeçari ka ndjekur kurse trajnimi dhe pasuniversitare në Uashington, mbi menaxhimin e projekteve, zhvillimin institucional e politika publike. Në periudhën mars 1995-mars 1996 ai ka vazhduar studimet pasuniversitare në Administrim-Biznes, të organizuar nga Universiteti i Nebraskës dhe Fakulteti i Ekonomisë në Tiranë. Me CV-në e tij Prodani fitoi mbështetjen e anëtarëve të Ekzekutivit dhe për herë të parë në postin e rëndësishëm të FSHF-së vendoset një menaxher i mirëfilltë. Ai zëvendësoi Arben Bicin, që për arsye personale u largua nga detyra si sekretar afro dy javë më parë.