Alushi akuzohet për fyerje dhe kërcënim

Enis Alushi ka qenë i përfshirë në një skandal në mesnatën e së shtunës që shkoi, në një diskotekë të Paderbornit në Gjermani. Futbollisti kosovar akuzohet për fyerje dhe kërcënim ndaj dy femrave (21 dhe 25 vjeç), në festën që e pati klubi i Paderbornit, ku 25 vjeçari po qëndronte me kolegët e skuadrës.
Fillimisht, dy femrat janë sulmuar nga futbollisti kolumbian Jorge Mosquera në orën 5 të mëngjesit të së dielës, ndërsa më pas ka ndërhyrë edhe mesfushori kosovar. Sipas tabloidit gjerman ‘Bild’, Alushi u kishte thënë atyre ‘kurva’ dhe i kishte kërcënuar. Menjëherë pas këtij rasti, femrat, të cilat nuk janë identifikuar, e kanë lajmëruar policinë dhe për rastin po hetohen Mosquera e Alushi.
“Klientet e mia nuk i njihnin këta djelmosha, por ato i kanë identifikuar ata në stadiumin e Paderbornit. Të akuzuarit janë Jorge Mosquera e Enis Alushi”, thotë avokati i dy femrave, Dr. Andreas Jolmes.
- “Ato janë sulmuar edhe fizikisht në fytyrë nga Mosquera, ndërsa tash gjenden në spital për tretman mjekësor. Alushi u ka thënë: shkoni në k. ju kurva të dreqit. Për faj tuajin, tash do të vijë policia. Sidomos sportistët duhet ta respektojnë fair-play. Kërkim falja është gjëja më e vogël që duhet ta bëjnë ata tani”, shton Dr. Jolmes.
Ndërkohë, i akuzuari nga Kosova jep version krejt tjetër. “Kjo që thuhet është 99 për qind gënjeshtër. Unë kam tentuar t’i zgjidh problemet. Shoku im e kishte situatën nën kontroll, por vajzat kanë nxituar. Për këtë unë kam reaguar duke u thënë shkoni në k.”, ka shkruar Alushi në deklaratën e tij.
Ndërkohë, e dashura e Alushit, futbollistja e njohur kosovare, Fatmire Bajramaj, nuk e ka pritur aspak mirë rastin në fjalë. Mirëpo, për momentin, përfaqësuesja gjermane është përgjigjur shkurt: “Nuk kam koment”. Alushi ka qenë i përfshirë edhe në një rast tjetër. Në tetor të vitit 2010, bashkë me një shok, ai ishte akuzuar se kishin goditur në tualet të një diskoteke një person.