Drita e zdrit Superligën

Inkuadrimi i Dritës dhe Lepencit në Superligë nga Liga e Parë duket se ka sjellë freski në garat e elitës së futbollit kosovar. Kjo është vërejtur qartë të paktën në këtë tri xhiro të para të kampionatit të ri.
Derisa pas dy xhirove të para kaçanikasit prinin në renditjen tabelore, pas xhiros së tretë primatin e mori Drita. Në xhiron e fundit, të zhvilluar të mërkurën, gjilanasit triumfuan në derbi ndaj kandidatit për titull të kampionit, Trepçës ’89 me rezultat 2:1, duke mbërri kështu në kuotën e shtatë pikëve, pas dy fitoreve të shënuara dhe një barazimi.
Megjithatë, gjilanasit nuk e konsiderojnë vetën si befasues në këtë fillim të kampionatit. Ata thonë se e kishin besuar një nismë të tillë.
“Ende është vetëm fillimi. Por, meqenëse ky është vetëm fillimi i kampionatit, nuk mund të konsiderohemi si befasues sepse kemi një ekip të mirë me një trajner të mirë. Po ashtu, i kemi sjellë disa përforcime të mira, lojtarë me emër në futbollin kosovar. Kryesia është e mobilizuar dhe nuk kursehet për të mirën e Dritës. Në fund të fundit, Drita ka traditë në futbollin kosovar, sepse ne dikur kemi fituar edhe tituj e kupa e disa herë kemi qenë nënkampion”, deklaroi për Express kapiteni i bardhekaltërve, portieri Artan Latifi.
Mirëpo, ai ende nuk është në gjendje të konfirmojë nëse skuadra e tij do ta ndjekë titullin e kampionit, për të cilin trofe sivjet luftojnë edhe Prishtina, Hysi, Vëllaznimi e Trepça ’89.
“Titulli nuk është prioriteti ynë kryesor. Por, ne në çdo ndeshje do të hyjmë për fitore. Për të luftuar për titull duhet të kesh fond të pasur me lojtarë. Andaj, ne do përpiqemi që pjesën e parë të kampionatit ta përmbyllim në vendin e dytë apo të tretë, nëse nuk ia dalim ta ruajmë vendin e parë, dhe gjatë dimrit ta angazhojmë edhe ndonjë lojtar në mënyrë që të mund të luftojmë për titull në pjesën e dytë të edicionit”, theksoi Latifi.
Ai beson se skuadra e tij të paktën do t’u shkaktojë kokëçarje ekipeve tjera, të cilat do të luftojnë për titull të kampionit. Njëjtë qe shprehur ditë më parë edhe trajneri i Lepencit, Selajdin Zeneli. Për dallim prej Dritës e Lepencit, skuadra tjetër e rikthyer në elitë, Gjilani, deri më tani e ka shënuar vetëm një fitore, derisa dy herë ka pësuar disfata.
Liria e KEK-u, kërkah
Liria dhe KEK-u janë dy skuadrat, të cilat po zhgënjejnë në këtë fillim të sezonit. Të dyja ato i kanë pësuar nga tri disfata në po aq ndeshje të zhvilluara dhe pozicionohen në dy pozitat e fundit të renditjes. Madje, asnjëra prej tyre ende nuk e ka shënuar të paktën nga një gol, derisa Liria i ka pësuar gjashtë të tilla deri më tani, kurse KEK-u, shtatë.
Realisht, një start i tillë nga ana e KEK-ut thuajse është pritur, sepse nga Kastrioti ishin larguar thuajse të gjithë lojtarët kryesorë. Më pas, ‘Elektricistët’ i kishin angazhuar disa lojtarë të rinj, të cilët kishin pranuar të luajnë edhe pa paga.
Edhe Lirinë e kishin braktisur disa futbollistë të rëndësishëm. Por, më pas prizrenasit në radhët e veta i kishin angazhuar disa lojtarë tjerë. Kështu, bardhezinjtë nuk brengoseshin fare para fillimit të kampionatit dhe ishin të bindur se largimi i gjashtë futbollistëve kyç dhe trajnerit Behajdin Gjinalit nuk do të ndikojë në rënien e Lirisë.
Atëherë, pse ky startim i dobët i prizrenasve në sezonin e ri? Kësaj pyetjeje i përgjigjet trajneri i bardhezinjve, Ali Maralusha.
“Duhet pranuar se largimi i atyre gjashtë lojtarëve kyç po ndikon në këto rezultate. Ndërkohë, lojtarët e rinj janë cilësorë dhe kanë kualitete, por nevojitet pak kohë derisa të komponohet skuadra”, tha ai, duke treguar se ekipi i tij po çalon posaçërisht në repartin e sulmit.
Megjithatë, Maralusha beson se Liria shpejt do të këndellet.
“Besoj se shpejt do ta tejkalojmë këtë krizë dhe jam i bindur se sivjet do ta arrijmë objektivin – mbetjen në Superligë”, përfundoi Maralusha. Përveç KEK-ut e Lirisë, as Drenica e përforcuar ende nuk e ka shijuar fitoren.