Lampard: Tek Anglia nuk ka titullarë fiks
Frank Lampard këmbëngul se nuk ka besuar kurrë se është njëri nga të paprekshmit tek Anglia. Mesfushori i Çelsit u kthye në formacionin bazë të Fabio Kapelos të martën mbrëma, në fitoren e ‘Tre Luanëve’ me rezultatin minimal 1-0 ndaj Uellsit në “Wembley”. 33-vjeçari thotë se nuk do ta kishte aspak problem nëse trajneri italian e lë jashtë ekipit të parë, siç bëri javën e kaluar ndaj Bullgarisë. “Njerëzit mendojnë se lojtarët presin të luajnë në çdo ndeshje, por ne nuk mendojmë kurrë ashtu. Të gjithë jemi profesionistë dhe dëshirojmë të arrijmë suksese individuale e si ekip, gjë të cilën duam ta bëjmë për Anglinë”, deklaroi mesfushori anglez. “Nuk është problem edhe nëse mbetem në stol tek Anglia. Jam munduar të jem i distancuar dhe të mos bëhet bujë. E kam mbajtur kokën poshtë dhe kam mbetur i përqendruar. Jam mjaft i nderuar të luaj dhe do të luaj aq sa do të jem në gjendje për të dhënë kontributin më të madh për Anglinë”, vazhdoi ish-futbollisti i Uest Hamit. Lampard e sheh pozitive futjen e disa lojtarëve të rinj në kombëtaren angleze, si Jang, Uilshir, Dauning, Smolling e Xhons, për të cilët mendon se do ta përmirësojnë ekipin e Fabio Kapellos para Europianit 2012.