E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shaqiri, i mirë dhe i lirë

Nga Express më 09 shtator 2011 në ora 13:27

Rrjeti mediatik EuroSport, në seksionin e veçantë ku u kushtohet rëndësi dhe hapësirë futbollistëve të rinj – Euroscout, i ka këshilluar klubet e mëdha evropiane ta transferojnë Xherdan Shaqirin, pas tregolëshit që e shënoi me fanellën e Zvicrës kundër Bullgarisë.

Derisa të gjithë vazhdojnë të flasin për treshen braziliane, Neymar, Ganso, Lucas, si protagonistë të afatit kalimtar të ardhshëm, Euroscout propozon një lojtar tjetër, i cili ka kualitet dhe kushton shumë më lirë. Është fjala për Xherdan Shaqirin, i cili këtë javë e ka rolin e protagonistit në këtë rubrikë.

Shaqiri është një talent i padiskutueshëm dhe këtë e ka demonstruar në Evropianin U-21, i cili u mbajt në Danimarkë dhe ku me Zvicrën shkoi deri në finale, pasi humbi nga Spanja.

I lindur në vitin 1991, nga Kosova, i gjatë 170 centimetra, Shaqiri është një lojtar mjaft i shpejtë dhe i fuqishëm, falë këmbëve të tij muskulore, të cilat ia mundësojnë edhe të ketë goditje të forta nga distanca.

Këtë gjë e di shumë mirë Joe Hart, portier i Kombëtares angleze, i cili ishte befasuar nga një ‘gjyle’ e Shaqirit më 7 shtator 2010 në Basel, i cili ishte goli i parë ndërkombëtar për futbollistin ofanziv me Kombëtaren.

364 ditë më vonë, në të njëjtin stadium, ka arritur paraqitja ekstra kundër Bullgarisë së Lothar Matthäusit. Një-dy me Derdyok dhe një e djathtë e saktë për ta çuar topin në rrjet dhe për ta barazuar rezultatin. Pastaj, këmba e tij e majtë, e duhura, shënoi edhe dy gola, për ta afruar Zvicrën me kualifikim në Euro 2012. Pra, Shaqiri 3, Bullgaria 1. Tashmë po lind një yll i ri.

Pa dyshim, në 12 muajt e ardhshëm, gjilanasi do ta lë Baselin, klub tek i cili luan që kur i kishte vetëm 10 vjet. Kampionët e Zvicrës e vetmja gjë që mund ta bëjnë është që të nxjerrin sa më shumë para nga shitja e tij. Nëse Neymar kushton 60 milionë, pse të mos blihet Shaqiri për 1/3 më lirë, ndoshta edhe më pak, këshilloi ai.

Shaqiri: 50% e zemrës sime i takon Kosovës

Pas tregolëshit të shënuar për Zvicrën ndaj Bullgarisë, portali i njohur zviceran, ‘Blick’ ia ka kushtuar një koleksion fotosh Xherdan Shaqirit, nëpërmjet të cilave zbulon shumëçka rreth jetës së talentit kosovar, brenda dhe jashtë fushës.

Në njërën prej fotove, ‘Blick citon 19 vjeçarin të ketë thënë se një pjesë e mirë e zemrës së tij i takon vendlindjes së tij, Kosovë. “50 për qind e zemrës sime i takon Kosovës”, citohet të ketë thënë Shaqiri.

Ai është lindur në Gjilan në vitin 1991, ndërsa më vonë ishte shpërngulur me familje në Zvicër.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›