E Diel, 1 Nëntor 2026

Aluvionet e lumit Osum, Berati rrezikon përmbytjen

09/04/2009  Bashkia: Presim të delegohen fondet nga Ministria e Financës, kemi shpallur firmën fituese

BERAT- Mbetet sërish problem përmbytja e qytetit të Beratit nga ujërat e lumit Osum. Shqetësim janë dhe ardhjet e aluvioneve që kanë mbushur shtratin e lumit duke bërë që ujërat të kalojnë në sipërfaqe. Ngritja e nivelit të aluvioneve vihet re kur ka reshje të shumta shiu dhe ka përmbytje të banesave, rrugëve dhe lulishteve të qytetit të Beratit. Herë pas herë për këtë problem nga pushteti lokal i qytetit të Beratit janë bërë investime me copë, gjë të cilat nuk e kanë zgjidhur asnjëherë përfundimisht këtë problem. Por ajo që mban peng zgjidhjen për pastrim të lumit Osum nga aluvionet, sipas kreut të Bashkisë të Beratit Fadil Nasufi, është Ministria e Financës e cila nuk ka deleguar ende fondit e projektit për të cilin vitin e kaluar është marrë vendim nga qeveria Berisha për dhënien e një fondi nga buxheti i shtetit. Kryebashkiaku Nasufi sqaron se në kuadër të futjes në UNESKO të qytetit të Beratit me vendim të qeverisë u miratua dhënia e një fondi prej 10 milionë lekësh, ku 5 milionë do të investoheshin për rregullim të pallatit të kulturës “Margarita Tutulani”, 1.5 milionë për ceremoninë në ditët e futjes së Beratit në UNESKO dhe pjesa tjetër prej 3.5 milionë lekësh do të financohej për pastrim të shtratit të lumit Osum nga aluvionet. Por ky fond nuk na është dhënë ende nga Ministria e Financës me të cilën ne po negociojmë për zgjidhje të situatës”, bën të ditur Nasufi. Po sipas tij në fillim të këtij viti u shpall dhe tenderi nga ku pas procedurave të tenderimit u përzgjodh dhe firma fituese që do të kryente pastrimin e shtratit të lumit Osum, por fondi është ai që lë peng fillimin e punimeve për këtë projekt. Duke pritur ardhjen e fondit, Bashkia i ka varur shpresat vetëm tek to të ardhura për të pastruar aluvionet që kanë mbushur shtratin e lumit që këto ditë për shkak të shkrirjes së borës nga malet, si pasojë e temperaturave të larta, ka rritur nivelin e prurjeve. Por nëse rritja do jetë duke u rritur në shumë pjesë lumi pritet të dal dhe nga shtrati duke dëmtuar prodhimet bujqësore të fermerëve në rrethin e Beratit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›