E Shtunë, 31 Tetor 2026

METE: Punimet e TEC-it të Vlorës përfundojnë në maj

09/04/2009  Reagim për koncesionet

Reforma në sektorin energjetik ka qenë e suksesshme. Në një reagim zyrtar Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës theksoi se deklaratat e opozitës se ky dikaster po zvarrit me qëllim procedurat e garës për disa HEC-e, të marra nga raporti i Avokatit të Prokurimeve për 2008-n, janë të pabaza. “TEC-i i Vlorës përfundon në maj të këtij viti, po ndërtohet hidrocentrali i Kalivaçit me një investim prej 130 milionë euro, kemi firmosur kontratën për hidrocentralin e Ashtës, 140 milionë euro, punimet për ndërtimin e të cilit fillojnë këtë vit, si dhe kemi firmosur kontratat për ndërtimin e 3 hidrocentraleve në kaskadën e Devollit, projekt prej një miliard eurosh, i cili është më i madhi në Evropë”, - theksuan burimet. Me anën e kësaj deklarate METE kërkoi nga opozita që të mos i fshehë këto të vërteta me deklarata elektorale. “Qëndrimi i opozitës shtrembëron me qëllim informacionin dhe raportin e Avokatit të Prokurimeve. Partia Socialiste nuk përmend faktin se këto janë 2 ndër 150 projekte, për të cilat METE po punon dhe asnjë shkelje nuk ka rezultuar për projektet e tjera, qoftë edhe thjesht në afate kohore. Në të vërtetë këto dy projekte kanë pasur probleme për sa i takon ruajtjes së mjedisit dhe sigurimit të kanaleve të ujitjes. Ky është një fakt, i cili vërteton se ne jemi seriozë dhe shumë profesionalë, ndërsa trajtojmë projekte të tilla”, - thanë burimet zyrtare të METE-s. Kjo ministri ka firmosur 50 kontrata për ndërtimin e 50 hidrocentraleve me fuqi 216 megavat dhe janë në shqyrtim e negocim projektet edhe për 103 hidrocentrale të tjera me fuqi mbi 1 mijë megavat dhe ka firmosur kontratat për 3 parqe energjetike ere, investim rreth 2 miliardë euro.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›