E Shtunë, 31 Tetor 2026

Alvesh, i entuziazmuar nga Barça

Daniel Alvesh është dukur tejet i lumtur për spekulimet që e shohin shumë të afërt transferimin e tij te Barcelona. Sipas mediave spanjolle, Barça ka arritur akordin për termat financiarë të transferimit të mbrojtësit të Seviljas, duke theksuar se zyrtarizimi i marrëveshjes do të bëhet të hënën. Blerja e brazilianit Alvesh do të kushtojë 29.5 milionë euro, ndërkohë që në kontratën mes klubeve ekziston edhe një klauzolë, e cila mund t‘i rrisë përfitimet e klubit andaluzian: nëse skuadra e Pep Guardiolës fiton titullin në Spanjë ose Ligën e Kampioneve, atëherë çmimi për kartonin e mbrojtësit të krahut rritet në 35.5 milionë euro.

Aktualisht Alvesh është në grumbullim me Kombëtaren braziliane, por kur u pyet rreth transferimit të tij të mundshëm në "Kamp Nou", ai u shpreh i kënaqur. Për emitentin katalanas radiofonik "RAC-1", mbrojtësi "fluturues" tha: "Jam shumë i lumtur për arritjen e marrëveshjes. Është një motivim më shumë për mua, pasi kjo do të thotë se Barcelona ka shumë besim në punën dhe aftësitë e mia. Unë jam një futbollist shumë ambicioz. Besoj se kalimi në një klub kaq të madh do të më lejojë të fitoj trofe të rëndësishëm. Shpresoj që të fitojmë sa më shumë tituj". 25-vjeçari ka luajtur për katër sezone te Sevilja, që prej transferimit nga brazilianët e Bahias në vitin 2003. Forma e tij e jashtëzakonshme e ka ndihmuar klubin që të fitojë për dy vjet radhazi Kupën UEFA (në vitet 2006 dhe 2007). Paralelisht me arritjet, edhe zërat që e lidhnin Alvesh me disa prej klubeve më të mëdhenj në Evropë janë shtuar. Në fakt, vitin e kaluar ai ishte shumë pranë kalimit te Çelsi, por në momentin e fundit marrëveshja nuk është arritur për shkak të shifrës së lartë që pretendonte Sevilja.

Afrimi i Dani Alvesh vazhdon "kantierin veror" te Barcelona, që vetëm pak ditë më parë ka blerë edhe mbrojtësit Xherard Pike dhe Martin Kaseres, si edhe ish-mesfushorin e Seviljas, Sejdou Keita. Ndryshimet masive në kontingjent erdhën për shkak të dy sezoneve radhazi pa asnjë trofe dhe Alvesh shtoi: "Shpresoj që të jap kontributin tim për ta rikthyer Barçën në vendin që meriton dhe që klubi të mos largohet më kurrë prej aty. Shkoj te kjo skuadër me shpresa të mëdha për të arritur suksese".



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›