E Shtunë, 31 Tetor 2026

Aman Berisha mos ik!

 

YLLI DYLGJERI

“Ajo që e ka bërë gjithmonë shtetin një ferr mbi tokë është pikërisht përpjekja e njeriut për ta shndërruar në parajsën e vet”
HËLDERLIN

Përplasja e fundit e politikës shqiptare me mafiozin serbo-boshnjak Damir Fazlliç veç fakteve korruptive të publikuara në median shqiptare dhe atë ndërkombëtare, ndezi debat dhe së fundi artikuloi edhe 15 pyetje socialiste dhe 2 përgjigje socialdemokrate për qeverisjen dhe vetë z.Berisha. Pra, Ruçi bën 15 pyetje për një interpelancë të mundshme, ndërkohë që Gjinushi deklaron qartë: “Me këtë shumicë nuk bëhen reforma, Berisha si bashkëpunëtor i zellshëm i Millosheviçit dhe i Arkanit, nuk mund të ketë bashkëpunëtorë të rinj, degradimi i tij në Kuvend tregoi degradimin e plotë të kësaj shumice…”.
Deklaratë tjetër, edhe më konkrete, bëhet nga Meta: “Berisha ushtroi presion kriminal ndaj deputetëve. U soll para përfaqësuesve të popullit si gangster. Kur do t’i nxjerrë këto dosje zoti Berisha, apo atëherë kur të prishen pazaret me ata që kërcënon?”.
Le të ndalemi pak dhe të analizojmë këto qëndrime politikanësh të majtë.
Socialistët edhe këtë herë dukshëm vërtetuan se, vetëm kur publikohen skandale të të tillave përmasa, shtiren të bëjnë opozitë. Pra, opozita socialiste zgjohet dhe vihet “në lëvizje” sa herë që skandale të publikuar edhe nga gazetari Mero Baze kurdisin orën antikorrupsion.
Socialistët e trembur dhe gjithmonë “të paqartë” në këto 3 vjet opozitë dhe po ashtu në 17 vjet luftë politike me Berishën, artikulojnë përsëri edhe në këtë situatë flagrance korruptive: 15 pyetje për Berishën & Co, pa ndërmarrë nisëm politike për largimin nga qeverisja, edhe pse Ai sfidon sërish në Parlament, duke i kërkuar, madje duke u lutur me hipokrizi për mocion mosbesimi.
Kemi kaluar më shumë se 17 vjet demokraci në Shqipëri dhe, tashmë çdo kush e di se Berisha e ka krijuar tipologjinë e tij si një njeri i paskrupullt, pa parime, që u jep rëndësi vetëm interesave dhe llogaritjeve politike për të forcuar parajsën e vet. Pra, kemi të bëjmë me një amoralitet politik, ndërkohe që PS-ja sërish është e trembur dhe kërkon përgjigje me interpelanca parlamentare, si të jetë në një lojë politike të pastër. Sali Berisha, sigurisht, si homo ideologicus është sot një kafshë e hutuar që e ka humbur biblën e vet. I hutuar, po dhe i mësuar me fitoren e lehtë të sharjes pa vërtetim, të epitetit pa argument sulmon me atë që mendon, për ta zhvleftësuar atë që di, për të trembur atë që reziston. I çoroditur nga kjo aferë, po ushtron një presion kriminal në Kuvend, duke kërcënuar se do të nxjerrë provat e rënda, madje edhe filmime dhe fotografi. PS-ja, e drejtuar nga Rama i lutet: Aman mos ik! Makiaveli thotë se “edhe lutjet vlejnë për të mbajtur shtetin”. Si duhet kuptuar ky qëndrim politik i PS-së?
Parulla e re (shumë në modë edhe në SHBA) është “politikisht korrekt”. Po të pyesim “politikën e re”, sigurisht do të marrim përgjigjen standarde: Po bëjmë politikë realiste! Ose, nuk  shihni e dëgjoni, se ne po e kritikojmë ashpër Berishën… por mandatin qeverisës le ta mbyllë deri në fund, paçka se Berisha u soll përpara përfaqësuesve të popullit si gangster. Përsëri Rama po e mbron Berishën me “realizëm”, duke u sjellë njëherësh edhe si një instrument i tij. Por, realizmi politik nuk është një pozicion politik, si janë politikat liberale, politikat demokratike, politikat socialiste e kështu me radhë, ai është vetëm një përbërës i çdo pozicioni politik. Pyetja është: A është i lirë Rama të mendojë dhe veprojë lirisht? Ai ka kohë që pretendon se po bën politikë perëndimore. Që prej dy shekujsh intelektuali perëndimor jeton i lirë dhe nuk hetohet, digjet apo përfundon në burg për mendime. Të vërtetat e të parit të së majtas dhe të djathtës janë akoma mes nesh. Ato duhen zbardhur një ditë.
Rama, edhe njëherë pas publikimit të skandalit Fazlliç, u soll si një falsifikator në politikë dhe publik. Ngurrimi i Tij dhe i Partisë Socialiste për të mos kërkuar mocion mosbesimi për kryeministrin Berisha, por duke mbetur vetëm te bërja e 15 pyetjeve, shumë shpejt do të përkthehet në publik: Aman Berisha mos ik!

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›