Ish-polici: Po mbahem në burg se më kanë infiltruar
TIRANE - Dy prej 5 të pandehurve të akuzuar nga Krimet e Rënda për "ndihmesë të kalimit të paligjshëm të kufirit", pretenduan dje se prokuroria ka fshehur provat ndaj tyre. Në seancën e djeshme në ngarkim të Arjan Shehut, Emin Halilit, Ilia Thomës dhe ish-punonjësve të policisë Kadri Emini dhe Ilmi Bejko, të arrestuar në korrik të vitit 2007 u dëgjuan CD-të me përgjimet e telefonatave mes tyre, që sipas prokurorisë tregojnë implikimin e tyre në trafik. Përgjimet i përkisnin telefonatave të kryera mes të pandehurve në datat 6 dhe 7 qershor të vitit të kaluar. Para trupit gjykues dy prej tyre pretenduan se prokuroria ka fshehur në mënyrë të qëllimshme disa telefonata. Ilmi Bejko, ish-polic, deklaroi përpara togave të zeza se në vendin e tij në qeli duhet të ishin të tjerë persona. "Unë jam porositur nga eprorë të mi. Isha i infiltruar për të provuar nëse nga punonjës të tjerë të policisë në pikëkalimin kufitar kryhej trafik i paligjshëm", ka pohuar ai. Pothuajse në të njëjtën linjë ishte në deklarimin e tij edhe Arjan Shehu, i cili pohoi se "kemi rënë pre e makinacioneve të përdoruara ndaj nesh". Prokurori i çështjes sqaroi se të gjitha përgjimet e disponuara nga prokuroria janë vënë në dispozicion të gjykatës. ar.ba