Topi dekreton kreun e Gjykatës së Lartë
Presidenti Bamir Topi ka dekretuar dje Shpresa Beçajn në krye të Gjykatës së Lartë. “Në mbështetje të neneve 93 dhe 136, pika 2, të Kushtetutës, dekretoj znj. Shpresa Beçaj, emërohet Kryetare e Gjykatës së Lartë”, thuhet në njoftimin e zyrës së shtypit të Presidentit. Dekreti i kreut të shtetit vjen pas votimit në Parlament të gjashtë anëtarëve të rinj të kësaj gjykate, ndërkohë që në një tentativë të mëparshme Parlamenti rrëzoi pesë kandidatura të kreut të shtetit. Shpresa Beçaj në vitin 2004 është emëruar anëtare e Këshillit të Lartë të Drejtësisë, detyrë të cilën e ka ushtruar deri në vitin 2006, ku ka dhënë dorëheqjen me daljen e ligjit “Për parandalimin e konfliktit të interesave në ushtrimin e funksioneve publike”. Me dekretin nr.4156, datë 23 mars 2004, të Presidentit të Republikës së Shqipërisë, është emëruar anëtare e Gjykatës së Lartë.