Fazlliç: Si e shita 1.7 milionë euro kompaninë në Qipro
Bledar Hoti
Damir Fazlliçi pranon shitjen e kompanisë “Crown Acqusitions” në Qipro dhe shton se shitja është e ligjshme. Në një intervistë ekskluzive telefonike për gazetën “Panorama” biznesmeni serbo-boshnjak thotë, se kjo kompani ka pasuri (toka) të blera nga pronarë të ndryshëm privatë. Ai hedh poshtë zërat se ka përfituar para nga qeveria shqiptare.
Z. Fazlliç, shtypi në Shqipëri ka botuar dokumente, sipas të cilave ju zotëroni katër kompani biznesi në Shqipëri. A mund të na thoni cilat janë asetet e këtyre kompanive dhe çfarë aktivitetesh kryejnë ato?
Një kompani (Crown Acqusitions) ka asete të pazhvilluara të pasurive të patundshme.
Cilët janë personat që administrojnë kompanitë tuaja në Shqipëri?
Unë vetë.
A jeni shpërblyer nga qeveria Berisha për ndërmjetësimin e ardhjes së Tom Ridge si këshilltar i Kryeministri Berisha dhe BG& R në fushatën e PD në zgjedhjet e 2005?
Unë nuk kam vepruar si ndërmjetës. Por megjithatë, unë nuk jam paguar kurrë për asgjë nga paratë publike shqiptare apo nga ndonjë politikan shqiptar.
Në median shqiptare janë botuar dokumente se ju keni shitur një nga kompanitë tuaja CROWN Acquisitions me vlerën 1.7 milionë euro në Qipro. Opozita këtu në Shqipëri ju akuzon se kompania juaj është fantazmë dhe se ju keni marrë ryshfet për ndërmjetësimin e tenderave të energjisë elektrike me kompaninë serbe RUNDAP. Sa të vërteta janë këto fakte?
Jo, janë krejtësisht të pavërteta. Ky ka qenë një transferim legal dhe nëse ju do të verifikoni në departamentin e taksave në Tiranë ju do ta konfirmoni këtë.
Ju pretendoni se kompania që keni shitur në Qipro ka prona në Porto Romano, ku do të ndërtohet dhe një park energjetik, si keni arritur ta bëni tuajën këtë pronë dhe nga kush e keni blerë?
Kompania ime zotëron tokë atje, e cila është blerë nga pronarë të ndryshëm privatë.
A i keni paguar taksa shtetit shqiptar për aktivitetin e kompanive tuaja dhe sidomos për shitjen e kompanisë në Qipro? Nëse jo, a ndiheni i favorizuar nga qeveria shqiptare?
Të gjitha detyrimet përkatëse fiskale për këtë transaksion janë shlyer dhe çdo aktivitet tjetër në lidhje me kompaninë time në Shqipëri. Unë nuk jam favorizuar kurrë nga qeveria shqiptare në asnjë referim. Unë dhe kompanitë e mia nuk kanë marrë kurrë në asnjë mënyrë para publike apo kontratat publike në Shqipëri.
Kryeministri Berisha deklaroi në Parlament se ju keni fakte komprometuese për drejtues të opozitës në Shqipëri, a është kjo e vërtetë, çfarë dini dhe nga e dini? A lidhen këto dijeni tuajat me faktin që jeni nipi i ish-shefit të UDB siç është thënë në median shqiptare?
Ish-shefi i UDB nuk ka asnjë lidhje në asnjë mënyre me mua. Çdo deklaratë për të kundërtën është totalisht false.
Fazlliç në Tiranë me avion privat, intervistë Fevziut
I vënë në qendër të vëmendjes javën e fundit, Damir Fazlliç ka kryer një vizitë shumë të shkurtër në Shqipëri. Rreth paradites së djeshme, më saktë në orën 11.15 një avion ‘Charter’ është ulur në aeroportin e Rinasit, nga ku ka dalë pikërisht njeriu më i përfolur në vendin tonë javën e fundit, biznesmeni serbo- boshnjak. Sapo ka zbritur nga avioni, ai është shoqëruar nga truproja e tij. Gjatë kalimit nëpërmjet ambienteve të brendshme të aeroportit ndërkombëtar, Fazlliç nuk ka pranuar të flasë për mediat, megjithëse këto të fundit e prisnin për të komentuar akuzat e fundit që janë ngritur në drejtim të tij. Sapo ka dalë jashtë aeroportit, Fazlliç është marrë nga një makinë private për t’u drejtuar në studiot qendrore të “TV Klan”, ku kishte ardhur pikërisht për të dhënë një intervistë për gazetarin Blendi Fevziu në emisionin “Opinion”. Pas bisedës në studio, ku i është përgjigjur të gjitha pyetjeve të gazetarit për ngritjen e bizneseve në Shqipëri dhe marrëdhëniet e tij me kryeministrin Berisha, ministrin e Jashtëm, Lulzim Basha, apo edhe me kunatin e këtij të fundit, Erion Isufi, Damir Fazlliç është drejtuar sërish për në aeroportin e Rinasit (në orën 15.45) ku është larguar nga Shqipëria.
Zbulohet bilanci i firmës që Fazlliç e shiti në Qipro për 1.7 milionë euro
Aksionet e “Crown Acquisition”, biznesi shqiptar i të shumëpërfolurit Fazlliç, në fund të vitit të kaluar kapnin shifrën e 178.278.292 lekëve (rreth 1.455.332 euro, me kursin mesatar prej 122.5 lekë/euro të vitit të kaluar). Gazeta ka siguruar një kopje të bilancit vjetor, që sipas njerëzve të afërt të Fazlliç, të cilët morën përsipër shpërndarjen, tregon të gjithë aktivitetin e tij gjatë vitit 2007. Bilanci, i cili mban edhe vulën dhe firmën e drejtuesve të tatimeve, tregon pikërisht këtë shifër si totalin e aseteve. Në fletët e këtij dokumenti tregohet se gjatë periudhës 1 gusht deri më 31 dhjetor 2007, firma “Crown Acquisition” ka të shënuar në zërin “Toka, troje, terrene, ndërtime” asete me vlerë 178.178.292 lekë. Bilanci, nga ana tjetër tregon edhe marrëdhëniet e punës dhe pagesat e sigurimeve shoqërore dhe taksave të tjera. Kështu, përjashto këtë shifër si vlerë asetesh, të gjitha veprimet e tjera të Damir Fazlliç kanë sjellë humbe për “Crown Acquisition”. Sipas bilancit, gjatë pjesës së dytë të vitit 2007, firma ka shpenzuar 323.210 lekë për personelin, ka paguar 108.075 lekë për sigurimet shoqërore dhe të tjera sigurime të ngjashme dhe i ka paguar shtetit, në formën e tatimeve dhe taksave, 40 mijë lekë. Të ndara në zëra të ndryshe, totali i shpenzimeve të kësaj firme për 6-mujorin e dytë të 2007-ës arrin në 471.285 lekë. Nga këto 400 mijë janë shpenzuar për paga dhe 71.285 për sigurimet shoqërore. Duhet theksuar se vlera e parave që kjo firmë ka në arkën e saj është 100 mijë lekë, vlerë e detyrueshme për të hapur një biznes. Në rast se kjo firmë është shitur, sipas të dhënave në Qipro, për 1.7 milionë euro, atëherë fitimi i Fazlliç të paktën sipas këtij bilanci do të ishte 244.667 euro. Sipas ligjit të ri, tatimi mbi fitimin është 10 për qind e kësaj shume. Kjo firmë nga kjo shitje duhet t’i paguajë tatimeve 24.466 euro.
Fazlliç i shpëton Prokurorisë
Trazhgim Sokolaj
Biznesmeni boshnjak Damir Fazlliç i shpëtoi dje thirrjes së Prokurorisë për t’u marrë në pyetje për pastrim parash, falë një skenari të ngjashëm më filmat hollivudianë. Personazhi i shumëpërfolur kishte kaluar kontrollin kufitar dhe ndodhej në bordin e avionit të tij “Charter”, që kish ndezur helikat në pistën e fluturimeve, në kohën kur ftesa e Prokurorisë së Tiranës ka mbërritur në aeroportin e Rinasit. Burime zyrtare i thanë gazetës “Panorama”, se Prokuroria e Tiranës, ka filluar dje në mesditë hetimet ndaj Damir Fazlliçit për veprën penale “pastrim parash”. Rreth orës 12:00 të ditës së djeshme, Prokuroria ka marrë informacion se biznesmeni boshnjak kishte mbërritur në Rinas ku është pritur nga një grup personash dhe më pas ka udhëtuar bashkë me ta në drejtim të Tiranës. Sapo ka marrë këtë informacion, Prokuroria e Tiranës në koordinim të veprimeve të saj me Prokurorinë e Përgjithshme ka hartuar ftesën për të thirrur e marrë në pyetje 33-vjeçarin Damir Fazlliç. Kjo procedurë duket se ka vonuar nga organi i akuzës aq sa i ka lënë kohë biznesmenit Fazlliç të përfundonte takimet në Tiranë dhe të drejtohej përsëri në aeroportin e Rinasit për t’u larguar. Dokumenti i Prokurorisë (ftesa për të dëshmuar) mësohet se është protokolluar në komisariatin e Rinasit dhe policinë kufitare dje rreth orës 15:05. Në këtë kohë, sipas të gjitha procedurave ligjore Damir Fazlliçi kishte kaluar kontrollin kufitar dhe ndodhej në avionin e tij, që kish filluar të merrte shpejtësinë e ngritjes në pistë. Policia e Rinasit menjëherë ka lajmëruar zv/prokurorin e Tiranës Eljo Mazreku mbi këtë fakt, por ky i fundit ka kërkuar verbalisht ndalimin e biznesmenit boshnjak, avioni i të cilit tashmë ishte shkëputur nga toka shqiptare. Menjëherë pas këtij informacioni zv/prokurori i Tiranës bashkë me prokurorin e çështjes në Njësinë Task-Force janë nisur në drejtim të Rinasit me një makinë të posaçme. Në kohën që ata kanë mbërritur në aeroport, avioni “Charter” i biznesmenit Damir Fazlliç kishte marrë lartësi dhe ndodhej në një zonë territoriale asnjanëse jashtë hapësirës ajrore shqiptare. Dy prokurorët nga Tirana menjëherë kanë sekuestruar të gjitha pamjet filmike të fiksuara nga kamerat në Rinas dhe më pas kanë marrë në pyetje efektivat e policisë së këtij komisariati. Nga këqyrja e pamjeve filmike në Rinas është konfirmuar se në momentin e mbërritjes por edhe gjatë largimit, biznesmeni boshnjak i ishte nënshtruar procedurave të kontrollit fizik, të dokumenteve dhe gjithë formaliteteve të tjera të nevojshme.
Socialistët dorëzojnë në Kuvend kërkesën për debat me Berishën
Kryetarja e grupit parlamentar socialist, Valentina Leskaj, tha dje se depozitoi kërkesën për mocion me debat për Kryeministrin Berisha në lidhje me lidhjet e tij me Damir Fazlliç. “Grupi i PS-së ka depozituar sot kërkesën për mocion me debat, duke besuar se Kryeministri dhe kryesia e Kuvendit do ta marrin parasysh këtë kërkesë dhe nuk do të sajojnë ‘gabime’ teknike në miratimin e kërkesës si ka ndodhur herë të tjera, rasti më i fundit ishte ai i Gërdecit”, tha Leskaj. Dy ditë më parë ishte vetë Leskaj që bëri publik vendimin për mocion me debat për Kryeministrin Berisha. “Kryeministri në seancën e kaluar pranoi publikisht në Parlament se e ka mik Fazlliçin, është mirë që këto lidhje ‘miqësore’ t’i bëjë transparente. Çështja ‘Fazlliç’ është një koktej eksploziv elementesh që dëmtojnë dhe cenojnë direkt themelet e demo-kracisë shqiptare”, tha Leskaj. a.l.
Pyetjet për mocion Kryeministrit
Grupi Parlamentar i Partisë Socialiste kërkon nga kryeministri i vendit që lidhur me çështjen e mësipërme t’u përgjigjet pyetjeve si vijojnë:
- Cila është marrëdhënia e Kryeministrit Sali Berisha dhe Partisë Demokratike që ai drejton me kompaninë lobiste BG&R dhe roli i Damir Fazlliç në të?
- Cila është marrëveshja mes Partisë Demokratike të Kryeministrit Sali Berisha me kompaninë BG&R për fushatën zgjedhore për zgjedhjet parlamentare të vitit 2005? Cila është vlera financiare e kësaj marrëveshjeje?
- Përse nuk është depozituar në KQZ marrëveshja/kontrata mes Partisë Demokratike të Kryeministrit Berisha dhe kompanisë BG&R?
- Ç’rol ka patur pranë Partisë Demokratike gjatë fushatës zgjedhore të vitit 2005 shtetasi boshnjak Damir Fazlliç? A është paguar ai për këtë rol?
- Cili është roli i zotit Damir Fazlliç pranë qeverisë shqiptare dhe Kryeministrit Sali Berisha?
- Për çfarë ka lobuar në tre vite rresht zoti Fazlliç në shërbim të qeverisë shqiptare dhe Kryeministrit Sali Berisha? Në bazë të kujt ligji është rregulluar dhe ndërtuar kjo marrëdhënie?
- Me çfarë statusi dhe sa herë ka qenë në zyrën e Kryeministrit Sali Berisha, zoti Fazlliç dhe cilat janë projektet që ka negociuar.
- Kush ka qenë përfituesi direkt i këtyre projekteve? Cilat kompani?
- Çfarë aktiviteti kanë kryer në Shqipëri kompanitë:
• Firma: “Virtu Acquisitions”, e regjistruar më 19 shtator 2005, administrator: Erion Isufi, Adresa: rr. “Shinasi Dishnica”, Pallati 2/4.
• Firma: “SRF Developments”, e regjistruar më 19 shtator 2005, administrator: Erion Isufi, Adresa: rr. “Shinasi Dishnica”, Pallati 2/4.
• Firma: “Crown Acquisitions”, e regjistruar më 20 shtator të vitit 2005, administrator: Erion Isufi (deri më 4 qershor 2007) rr. “Shinasi Dishnica”, Pallati 2/4.
• Firma: “DF Trade Limited”.
• Firma: “Alpha”.
• Firma: “Rudnap”.
- Sa tatime e taksa kanë paguar gjatë viteve 2005–2006–2007–2008 këto kompani? A janë në borxh këto kompani ndaj ndonjë institucioni të shtetit shqiptar, veçanërisht organeve të Tatim – Taksave?
- Sa punonjës të siguruar kanë këto kompani gjatë këtyre viteve?
- Kur janë shitur, cilat janë procedurat ligjore të shitjes të pranuara nga institucionet në varësi të qeverisë apo institucionet e pavarura të shtetit shqiptar kompanitë: “Virtu Acquisitions”, “SRF Developments” dhe “Crown Acquisitions”?
- Sa është vlera e tatimeve të paguara për të ardhurat e realizuara nga shitja e pjesshme dhe e plotë e pronësisë së tre kompanive të mësipërme, në organet e Tatim–Taksave? Sa është vlera e tatimeve të paguara veçanërisht për të ardhurat e realizuara nga shitja e kompanisë “Crown Acquisitions”?
- Kush i ka kryer procedurat ligjore të shitjes së tre kompanive të mësipërme pranë agjencive publike në varësi të qeverisë së Kryeministrit Berisha? Veçanërisht kush i ka kryer procedurat ligjore për shitjen e kompanisë “Croën Acquisitions”?
- Cilët janë blerësit e tre kompanive të mësipërme? Veçanërisht cilët janë blerësit e kompanisë “Crown Acquisitions”? A e njeh në mënyrë institucionale qeveria shqiptare veprimtarinë ekonomike e financiare në raport me ligjet, madje në raport dhe me ligjet penalet këtyre blerësve? Veçanërisht a e njeh në mënyrë institucionale qeveria shqiptare aktivitetin e kompanisë “Altaria Research” me rezidencë në Qipro?
- Me cilat banka janë kryer transaksionet financiare të shitblerjes së tre kompanive të mësipërme nga shtetasi Damir Fazlliç? Veçanërisht me cilat banka është kryer transaksioni me vlerë 1.750.000 euro i shitjes së kompanisë “Crown Acquisitions”? A ka qenë ai transaksion i mbështetur në ligjin “Për sistemin bankar në Republikën e Shqipërisë” si dhe në ligjin “Për parandalimin dhe pastrimin e parave të pista në Shqipëri”?
- A ka të dhëna të regjistruara Agjencia shtetërore e luftës për parandalimin e pastrimit të parave në Shqipëri për tre kompanitë e shitura? Veçanërisht a ka të dhëna agjencia në varësi të qeverisë për kompaninë “Crown Acquisitions”? A ka nisur hetimin kjo agjenci pas fakteve të bëra publike në median vendase për një operacion të mundshëm pastrimi parash nga kompania “Crown Acquisitions”?
- A e njeh qeveria e Kryeministrit Berisha veprimtarinë në Shqipëri të kompanisë “Rudnap”? Po veprimtarinë e saj në Serbi? A i njeh Sali Berisha personalisht pronarët legalë dhe ilegalë të kompanisë “Rudnap”? Sa tenderë ka fituar në Shqipëri kompania “Rudnap” gjatë viteve 2005-2006–2007–2008? Në cilën fushë dhe të kujt vlerave janë këto përfitime? Cila ka qenë procedura e fitimit të këtyre tenderëve nga kompania “Rudnap”?
- A ka patur kompania “Rudnap” apo filiale të saj marrëdhënie me Ministrinë e Mbrojtjes së Shqipërisë?