Amaneti i Besës

Sipas autorit të librit, Norman, Gershman, “janë shqiptarët ata që e bënë një gjë të tillë”. Kjo për shkak se, në kohën kur humaniteti njerëzor përjetoi kaptinën e tij më të errët, atëherë kur me miliona çifut, homoseksualë, komunistë dhe pakica racore po përndiqeshin në gjithë Evropën, shumë shqiptarë vendosën të shpëtonin jetët e njerëzve që për ta ishin krejt të huaj.
Në fakt, ishte besa shqiptare, si kod, por dhe si virtyt, ajo që bëri që shumë shqiptarë sakrifikoheshin për shpëtimin e të tjerëve; të familjeve çifute që iknin nga fashistët italianë e gjermanë gjatë Luftës së Dytë Botërore. Është kjo tema kryesore që shqyrtohet në dokumentarin “Besa – The Promise”, të autorit Norman Gershman, dhe me regjinë e Rachel Goslins.
Televizioni amerikan CNN e trajtoi filmin që bëri jehonë në Festivalin e Filmit Çifut, i cili filloi më 19 korrik dhe përfundoi më 6 gusht, në San Francisco.
“Besa” u shndërrua në një mision për fotografin amerikano-çifut, Norman Gershman. Fotografitë e mbledhura nëpër Shqipëri, ai i përdori për bërjen e librit mbi të cilin bazohet filmi dokumentar "Besa - Myslimanët që i Shpëtuan Çifutët Gjatë Luftës së Dytë Botërore".
Kur dëgjoi për rastin e familjes Hoxha, e cila përmendet në librin e Gershman, regjisorja Goslins mendoi se “zotët e dokumentarit i dhanë një dhuratë të çmuar rrugëtimit” të saj. Filmi e çoi Goslins, dhe ekipin filmik, nga Shqipëria në Izrael, derisa po përcillte besën e dhënë nga babai i Rexhep Hoxhës qysh në kohën e Luftës së Dytë Botërore, të cilën pas shumë dekadash po mundohej ta përmbushte i biri...
Ngjarja e filmit fillon në vitin 2007, me rrugëtimin e dy burrave, çifutit Gershman dhe myslimanit shqiptar, Rexhep Hoxhës.
Në të vërtetë, me ndihmën e çifuto-amerikanit Norman, Rexhepi e çon deri në fund besën që babai i tij ia kishte dhënë një familjeje çifute; të cilën e kishte shpëtuar gjatë Holokaustit të Luftës së Dytë Botërore. Familjes çifute asokohe i kishte premtuar se t’ia kthente librat e shenjtë të lutjeve, të cilat kishin mbetur në shtëpinë e tij. Por, ja që Rexhep Hoxha nuk i pa më kurrë ata.
Ndërkohë, Gershman dhe Rexhepi mbërrijnë nga Bullgaria në Izrael. Edhe pse pjesëtar i besimit mysliman, Rexhep Hoxha atje ndjehej si të ishte pjesë e familjes çifute që kërkonte.
Nga ana tjetër, Gershman bisedoi edhe me Leka Zogun e Parë, lidhur me, siç shprehet ai, vendimin e mbretit të vetëm mysliman në Europë për t’ua hapur kufijtë çifutëve në vitin 1938, kur një gjë e tillë mund të shkaktonte një zemërim të paparashikueshëm të nazistëve ndaj Shqipërisë.
Leka Zogu i Parë ishte përgjigjur, se ndjente që nuk ishte njerëzore ajo që po bënin gjermanët, kështu që vendosi që çifutëve t’u hapte një rrugë. Sipas muzeut izraelit Yad Vashem, ku ndodhet arkiva më e madhe e Holokaustit në botë, nuk ekziston asnjë rast i vetëm që shqiptarët të kenë tradhtuar ndonjërën nga familjet e strehuara çifute, me qëllim që atë t’ia dorëzonin nazistëve.
E mbijetuara e Holokaustit, Johana Neuman, e cila është një prej personazheve të filmit, i tha televizionit CNN se në Shqipëri kishte arritur nga Gjermania, së bashku me familjen. Neumann asokohe ishte vetëm 8-vjeçare.
"Dëshiroj të nënvizoj faktin se çdo shqiptar, respektivisht, çdokush që fshihte ndonjë çifut, asokohe përndiqej nga gjermanët. Pra, i rrezikohej jeta atij, dhe familjarëve të tij. Por, ata e bënë këtë, dhe kjo ishte diçka e pabesueshme. Fjalët sigurisht që nuk mjafton për ta sqaruar atë që e bënë shqiptarët. Pa dyshim, Besa ishte pjesë e kulturës shqiptare, dhe ajo vinte nga Kanuni, që ishte një udhërrëfyes i tyre moral", theksoi Johana Neumann.
Ndryshe, misioni aktual i fotografit, Norman Gershman, është që nëpër shkollat e mesme t’u rrëfejë të rinjve amerikanë mbi konceptin e Besës. "Besa është një mesazh për botën”, thotë ai, “për vëllazëri dhe për dhembshuri ndaj të gjithë atyre njerëzve që ishin në nevojë. Ajo u përket vetëm shqiptarëve".