E Shtunë, 31 Tetor 2026

Amantia, festa e përvitshme që takon brezat e rikthen traditat

25/05/2010 Kryepleqësia e fshatit Ploçë, akuza për mungesë vëmendjeje ndaj qytetit të lashtë

VLORE- Si çdo vit, në qytetin e lashtë të Amantia, aty ku shtrihet fshati Ploçë, banorët e zonës kërkojnë të ruajnë traditat e trashëguara nga antikiteti. E diela solli festë në stadiumin e lashtë të Amantias, në retrospektivë me lojërat e dikurshme që bëheshin në qytetin e lashtë ilir. Këtë të diel, fshati Ploçë, dhe stadium i ndërtuar në shekullin e 3-të p.e.s. mirëpriti vizitorë për të festuar festën e zonës, e cila është festuar me dekada, por që rreth viteve 75 u ndërpre, për të rinisur sërish pas viteve 1990. Aktiviteti kishte festime, lojëra sportive, këngë e takime interesante, me qëllim jo vetëm bashkimin e banorëve të Amantias, Ploçës së sotme, por edhe rifreskimin e ndjesive fisnike të këtij komuniteti në festën e madhe të zonës.

Festa

Në ceremoninë e çeljes së festës së Amantias, kryeplaku i këtij fshati Adriatik Brahimaj, por edhe banorë e figura të njohura, intelektualë të kësaj zone kanë shprehur shqetësimin për situatën në të cilën ndodhet zona ku shtrihej qyteti i lashtë ilir, që sikundër u shprehën edhe ata, duhet të ishte krenaria për origjinën tonë të lashtë dhe të qytetëruar si komb. Brahimaj në fjalën e tij, ju drejtua Ministrisë së Kulturës, qeverisë, por edhe autoriteteve vendore për të kthyer sytë nga Amantia e Lashtë, minimalisht të ketë rrugë, që të jetë e vizitueshme. Ai theksoi se duhet më shumë vëmendje për këtë zonë, që është dhe ndër qytet më të lashtë, por edhe shumë atraktive, ku shpalosen vlera kulturore, historike e arkeologjike të shqiptarëve.

Nuk munguan edhe gjatë festës të tilla kërkesa nga ana e qindra banorëve të Ploçës (Amantia së dikurshme), nga Vlora, Tirana, Berati, e qytete të tjera të Shqipërisë, por edhe nga vendet ku kanë emigruar si Italia e Greqia, të ardhur enkas për festën. Aktiviteti përfshinte këngë, valle, sport. Ishin të ftuar Hysni Zela dhe grupi i Lapardhasë, grupi lab “Jehona labe”, gjithashtu u zhvillua dhe minikampionati i futbollit amator ku si çdo vit jepet kupa Amantia, e cila për të tretin vit radhazi mbetet në shtëpi, pra fitohet nga ekipi i Amantias.

Qyteti i lashtë Amantia

Është e vendosur në faqen e një kodre të lartë dhe kishte të fortifikuar me një mur të gjatë 2200 m, vetëm akropolin. Emri i qytetit për herë të parë përmendet në shek. IV p.e.s.. Në shek. III p.e.s. qyteti fuqizohet ekonomikisht dhe arrin të presë monedhat e veta. Këtë e dëshmojnë ndërtimi i tempullit të Afërditës, rrënojat e një teatri dhe veçanërisht ndërtimi i stadiumit, i cili është ruajtur i plotë deri në ditët tona. Amantia luajti një rol të rëndësishëm mbrojtës që nga lugina e lumit të Vjosës në drejtim të lindjes, si dhe të rrugës në drejtim të bregdetit dhe Gjirit të Vlorës. Qyteti i Amantias, ndryshe nga shumë qytete ilire të vendosura më në veri me një kulturë primitive u zhvillua shumë shpejt ekonomikisht, nga ana kulturore, si dhe duke pasur edhe një prosperitet të rëndësishëm ushtarakisht dhe politikisht që i jepte një rol dominant në rajon.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›