E Shtunë, 31 Tetor 2026

Të pastrehët, përfituesit i gjejnë banesat e “zhveshura”

25/05/2010 Durrës, 48 kryefamiljarëve do t’u duhet të vënë sërish dhe prizat, protestë te bashkia

DURRES- Shtyrja disa herë e përfundimit të listës për përfituesit e apartamenteve në të cilat do të strehoheshin familje të pastrehë në Durrës ka dëmtuar infrastrukturën e brendshme të apartamenteve. Të gjitha apartamentet në dy pallatet që tashmë janë ndarë për kategorinë në nevojë të ngutshme për banesë janë dëmtuar thuajse plotësisht.

Grabitja

Familjarët që kanë marrë autorizimet e Bashkisë së Durrësit nuk kanë mundur të futen brenda, pasi në kohën që kanë shkuar në këto apartamente kanë gjetur vetëm muret. Dje përfaqësues të këtyre familjeve kanë protestuar në bashki dhe tek Enti Banesave duke bërë të ditur se shtëpitë e reja të tyre janë plotësisht të pabanueshme. Bashkia e ka shtyrë për gati dy vite shpërndarjen e 48 apartamenteve, pasi nuk ka pasur gati listën e përfituesve. Gjatë kësaj kohe bashkia ka pohuar se pallatet janë mbikëqyrë dhe se për të mos lejuar dëmtimet e tyre është paguar roje. Familjarët kanë deklaruar dje tek bashkia gjatë protestës së tyre se tani pamja e këtyre pallateve është krejt tjetër nga sa në fund të investimit. Dëmtimet e dyerve të jashtme, por edhe të disa dritareve janë vërejtur disa muaj më parë. Por tani janë dëmtuar plotësisht sistemi elektrik, hidraulik, dyert, dritaret e pllakat. Pallatet janë përfunduar në fund të vitit 2007 dhe që nga ajo kohë bashkia nuk ka mundur të përpilojë listën me 48 emra kryefamiljarë përfitues. Kjo zvarritje ka bërë që të 48 apartamentet të zhvishen plotësisht. Aktualisht atje nuk ka më as derë e as dritare, janë hequr sifonë, pjatalarëse, lavaman, priza, spina, kabull, tela, tuba e llamba. Veç tyre në banesa nuk është lënë asnjë pllakë duke detyruar Entin e Banesave të kërkojë fonde të tjera për rikonstruksion. Përfituesve u është dhënë “simbolikisht” një çelës dere në dorë në kohën që janë shpërndarë këto shtëpi, por sapo kanë shkuar tek pallatet ata janë ndeshur me një pamje krejt tjetër ngase të gjitha dyert ishin vjedhur apo dëmtuar. Persona të mbetur anonim kanë mundur të vjedhin çfarë kanë mundur ditën dhe natën duke mos lënë asgjë për banorët e rinj. Një pjesë e këtyre familjeve përfituese janë shprehur se nuk kanë më asnjë qindarkë për të larë qiranë deri në ribërjen e apartamenteve të dëmtuar qëllimisht. Enti i Banesave ka thënë se e njeh situatën dhe se ka kërkuar fonde për të tenderuar nga e para rikonstruksionin. Rasti është cilësuar problematik, pasi nuk ka ndodhur në asnjë rast që të investohet për rikonstruksion në një objekt ende pa nisur shfrytëzimi i tij. Nuk është thënë nga enti shuma e nevojshme për të risjellë të dy objektet në gjendjen e parë. Enti ka fajësuar bashkinë, e cila ka shtyrë pambarim dhe pa asnjë justifikim vendimin për listën e përfituesve dhe se nuk ka ushtruar kontroll për të parë gjendjen fizike të pallateve. Kryefamiljarët kanë deklaruar se do të përshkallëzojnë protestat e tyre nëse Bashkia e Durrësit nuk afron sa më parë zgjidhjen. Durrësi numëron afro 6200 kërkesa të të pastrehëve dhe se më shumë se 2000 prej tyre vazhdojnë të mbajnë të bllokuara objektet e ish-pronarëve. Janë dhjetëra e dhjetëra familje në listë që presin përfundimin e investimit tek ujësjellësi ku po ndërtohen pallatet e reja.

Janë 342 apartamente banimi me kubatura 1+1 dhe 2+1 që do të ndërtohen në një sipërfaqe prej 20 mijë metër 2 në hyrje të Durrësit. Kredia për banesa sociale është 3.341.410 euro, ndërkohë që bashkia do të sigurojë të gjitha lehtësitë për sipërfaqen e ndërtimit, si dhe kalimin në një kohë sa më të shpejtë të të gjitha procedurave. Këto janë apartamente me qira të ulët 1+1 dhe 2+1. Bashkia ka thënë se do të sistemohen fillimisht ata që janë në shtëpitë e ish-pronarëve dhe më pas të tjerë. Qiraja mujore për 1+1 do të jetë 5400 lekë, kurse për 2+1 pritet të vendoset 7500 lekë në muaj. Këtë vit është deklaruar se do të përfundojnë së ndërtuari 190 apartamente në kuadër të fazës së parë të nisur një vit më parë. Banka e Këshillit të Evropës ka dhënë një kredi prej 3.4 milionë eurosh. Ritmet e ndërtimit të apartamenteve për fazën e parë vazhdojnë të ecin me ritme të ngadalta. Për të zbutur kërkesat e shumta për strehim bashkia ka vendosur që sektori i ndërtimit të përfitojë leje ndërtimi dhe leje sheshi ndërtimi nëse i jep bashkisë 3 për qind të numrit të apartamenteve pas ndërtimi.

Shtetasit që i kanë zënë prej vitesh kanë aplikuar për privatizim

Kabinat në Plazh as shtet e as privat

Bashkia e Durrësit ende asnjë vendim se çdo të bëjë me to

DURRES- Kabinat e plazhit të zëna prej gati 20 vitesh vazhdojnë të qëndrojnë peng i vendimeve. Banorët kanë aplikuar për të qenë vet përfitues, ndërsa bashkia për pjesën më të madhe të tyre nuk është shprehur akoma. Në Plazhin e Durrësit ka dhjetëra garsoniere me kubaturë shumë të vogël që kanë mbetur pezull në investime për shkak të pronësisë ndaj tyre. Personat që kanë hyrë në këto kabina kanë aplikuar pasi nuk kanë asnjë mundësi tjetër strehimi dhe se çdo privatizim i këtyre kabinave i nxjerr në rrugë familjarët e vendosur pas viteve ‘90. Të gjitha kabinat që për shumë vite njiheshin edhe si vila pushimi janë në pronësi e inventar të ndërmarrjes së shërbimit komunal në Plazh. Por kjo e fundit nuk ka vënë fare dorë dhe asnjë fond nuk është dhënë për të bërë rikonstruksionin e tyre. Edhe vet banorët e tyre nuk kanë investuar fare, pasi vazhdojnë të mos ndihen të sigurt për fatin e mëtejshëm të kabinave. Kabina më e madhe ka 50 m2, ndërsa të tjerat janë jo më shumë se 40 m2 me një dhomë, aneks e paradhomë. Të ndërtuara për t’u shfrytëzuar vetëm për pak ditë në sezon vere kabinat nuk afrojnë komoditete, por megjithatë, mbeten shumë të lakmuara për banorët që janë mbyllur brenda tyre. Në shtator të vitit 2009 Bashkia e Durrësit dhe këshilli i saj vendosën për t’ia njohur ish-pronarit të tokës objektet ku janë ndërtuar kabinat nr. 20, 21, 36, 38, 40, 41, 42, 35 dhe 51. Të tjera objekte me të njëjtin destinacion dhe në inventar të komunales së Plazhit nuk janë as shtet e as privat. Peticionet e familjarëve më së shumti nuk janë dëgjuar, ndërsa ata vazhdojnë të jenë në konflikt me pronarët e tokës apo edhe të objekteve. Privatizimi i kabinave është shtyrë edhe për këtë arsye pasi përfitues në raste të tilla janë pronarët e tokës. Aktualisht bashki nuk ka asnjë mundësi për të krijuar kushte strehimi qoftë edhe për një periudhë të përkohshme ndaj e ka lënë mënjanë këtë çështje. Por disa prej kabinave të Plazhit janë rrënuar dhe rrezikojnë të shemben. Tjegullat, kallamat e tavaneve, suvaja e mureve në shumë prej tyre është dëmtuar rëndë duke rrezikuar jetën e banorëve dhe të pushuesve. Xh. Gradica

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›