Alban Bushi, gati kthimi te Levadhiakos
Sulmuesi i Kombëtares shqiptare, Alban Bushi, në sezonin e ardhshëm duket se do të vazhdojë të luajë në Kategorinë e Parë greke. Futbollisti ka ndërprerë kontratën e tij me ekipin e Apollon Kallamaria, ku u aktivizua gjatë dy sezoneve të fundit, pasi ky ekip ra në kategorinë e dytë dhe nuk mundet më të trajtojë njëlloj ekonomikisht lojtarët cilësorë. Bushi ka bërë të ditur për mediat greke arsyet pse e shtynë atë dhe drejtuesit e Kallamarias drejt këtij vendimi. "Nuk ka asnjë skuadër apo qytet ku ia kam kaluar më mirë se te Kallamaria. Dëshiroja që të qëndroja te ky ekip, por rënia nga kategoria dhe oferta e ulët për shkak të buxhetit të vogël financiar që ka skuadra, na shtynë të dy palët për prishjen e kontratës", deklaroi futbollisti. Tashmë Bushi është vënë në kërkim të një skuadre të re, me të cilën pret që të aktivizohet përsëri në kategorinë e parë greke edhe në sezonin e ardhshëm. Mediat greke kanë bërë të ditur se sulmuesi ka filluar bisedimet paraprake me skuadrën e Levadhiakos, me të cilën është aktivizuar para se të kalonte te Apollon Kallamaria. Bushi ka lënë një përshtypje shumë të mirë te drejtuesit e këtij ekipi, të cilët dëshirojnë t‘i besojnë atij një vend në sulm, duke shpresuar që të përfitojnë sa më shumë nga eksperienca e futbollistit shqiptar në elitën e futbollit grek. Levadhiakos ka fituar këtë sezon të drejtën për të luajtur përsëri në Kategorinë e Parë dhe afrimi i lojtarëve si Bushi është më se i nevojshëm për të synuar qëndrimin mes më të mirëve. Gjatë tri viteve të fundit Alban Bushi ka qenë një nga personazhet më të njohur në futbollin grek, pasi ai jo vetëm nuk është kursyer asnjëherë në fushën e lojës, por edhe ka qenë një personazh shumë mediatik falë shpërthimeve të tij jashtë fushës së blertë.