E Shtunë, 31 Tetor 2026

Lala premton: Një Shqipëri më sulmuese

Altin Lala beson se Shqipëria do të luajë futboll më sulmues në eliminatoret e Botërorit 2010. Në prag të miqësores së luksit me Poloninë, skuadër e kualifikuar në fazën finale të "Euro 2008", kapiteni kuqezi tregon impaktin e ditëve të para me trajnerin Ari Han. Nga grumbullimi në Gjermani ai ka thënë: "Një gjë është e sigurt me trajnerin Ari Han, Shqipëria do të jetë një skuadër që luan futboll më sulmues se në periudhën kur drejtohej nga Oto Bariç". Në javën e parë me përfaqësuesen "A", tekniku holandez është mundur që t‘u transmetojë futbollistëve idetë e tij për lojën. "Ai (Han) është një trajner i përgatitur dhe shumë i komunikueshëm me të gjithë lojtarët, qofshin këta të vjetër apo të rinj. Gjatë grumbullimit ka folur me të gjithë, deri në momentin që beson se lojtari e ka kuptuar se çfarë i kërkohet të bëjë në fushën e lojës", tha Lala.

Edhe pse sapo është mbyllur sezoni, drejtuesi i stolit kuqezi nuk është "kursyer". Stërvitja është zhvilluar me intensitet të plotë, e tashmë skuadra duhet të tregojë në fushën e lojës se sa vlen. Në fakt, sot në orën 20:30 në Roitlingen, Shqipëria do të zhvillojë miqësoren me Poloninë e drejtuar nga Leo Benhaker. Një test shumë i rëndësishëm, që shënon edhe debutimin zyrtar të Ari Han në krye të Kombëtares. "Këtu, në grumbullimin që po zhvillohet në Gjermani kemi marrë mjaft ngarkesë, pasi kemi zhvilluar nga dy seanca stërvitore në ditë. Vetëm sot (dje) kemi pasditen e lirë dhe skuadra është lënë e lirë për t‘u përgatitur për miqësoren me Poloninë, vazhdoi mesfushori 32-vjeçar. Megjithatë, tashmë mbetet për të parë se si do t‘i realizojë skuadra ato që kërkon trajneri. Natyrisht do të jetë e vështirë, pasi ky është fillimi, por mendoj se deri në eliminatoret e Botërorit 2010 futbollistët do të jenë në gjendje të bëjnë në fushën e lojës atë që kërkon Han. Kjo është edhe arsyeja e miqësores që luajmë nesër (sot) me Poloninë: trajneri do t‘i shohë të gjithë lojtarët në aksion. Është një provë mjaft e vlefshme, pasi ai ka rastin të krijojë një ide më të mirë për secilin prej nesh, jo vetëm në seanca stërvitore, por edhe në lojën e vërtetë. Lojtarët do të provohen edhe në pozicione të ndryshme, për të vlerësuar se ku mund të përshtaten më mirë për lojën e trajnerit të ri".

Përveç transmetimit direkt në paketën sportive "Super Sport", të gjithë shqiptarët do të kenë mundësi të ndjekin miqësoren me Poloninë pa pagesë në ekranin e "Top Channel". Formacioni i mundshëm i kuqezinjve në këtë sfidë është 4-3-1-2. Në portë Hidi duket se është preferuar përpara Beqajt. Për portierin e Krivbas në Ukrainë ky është një shans i mirë për të luftuar me "gardianin" veteran për një vend titullari mes shtyllave. Në katërshen e mbrojtjes, përveç titullarëve të padiskutueshëm Dallku-Curri-Vangjeli, do të luajë edhe Andi Lila. Kapiteni i Besës do plotësojë hapësirën e mbetur boshe pas "mënjanimit" të Nevil Dedes. Katërshja e mesit të fushës nuk ndryshon: me Canën në qendër dhe Duron e Lalën në krahë, ndërsa Skela punon pas shpinës së sulmuesve. Salihi fiton balotazhin me Kapllanin për një fanellë titullari dhe do mbështesë Erjon Bogdanin në repartin ofensiv.

Shqipëri-Poloni MIQËSORE

Direkt në "Top-Channel" dhe "Super Sport"

Shqipëria 4-3-1-2

Hidi

Dallku Lila Curri Vangjeli

Cana

Duro Lala

Skela

Bogdani Salihi



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›