E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gërxhaliu, "austriaku" nga Tirana në EURO 2008

Ronald Gërxhaliu do të jetë përfaqësuesi "jozyrtar" i Shqipërisë në EURO 2008. Mbrojtësi 22-vjeçar është grumbulluar me Kombëtaren austriake dhe pritet të jetë pjesë e saj gjatë aktivitetit, duke shpresuar që të lërë shenjën e tij në këtë aktivitet. Tiranasi me pasaportë austriake ka treguar historinë e tij për "LAOLA1", duke filluar që nga koha kur ai jetonte në Shqipëri. "Atje nuk ia kalonim shumë mirë, pasi jeta në Shqipëri në atë periudhë ishte shumë e vështirë. Gjyshi ishte një portier dhe më mësoi futbollin, duke e vënë atë para shkollës", ka treguar lojtari, i cili për pesë vjet luajti në ekipet e akademisë të Partizanit. Më pas erdhi edhe largimi drejt Austrisë, ku fillimisht u përball me vështirësitë, si çdo refugjat tjetër. "Problemet më të mëdha i kisha në shkollë, sidomos me komunikimin. Më në fund arrita të mësoj theksin austriak, gjë për të cilën jam shumë krenar". Hapat e parë të Gërxhaliut në futbollin austriak ishin me skuadrën e të rinjve të Shturm Gracit, ku u pa qartë se ai kishte talent. "E fillova si sulmues, më pas kalova në mesfushë dhe në fund më vendosën në mbrojtje. Unë e kisha një objektiv të qartë, dëshiroja të bëhesha profesionist. Kjo ishte ajo për të cilën kam punuar gjithmonë. Pas rezultateve të mira me përfaqësuesen U17 të Austrisë, Shturmi më dha mundësinë të stërvitesha me ekipin e parë. Që në stërvitjen e parë e pashë atë që më priste". Debutimi i Gërxhaliut mes profesionistëve erdhi më 7 mars të vitit 2004, kur trajneri Petroviç vendosi ta hidhte për disa minuta në fushën e lojës. Që atëherë, futbollisti bëri shumë hapa para me Shturmin, Salcburgun dhe më pas Austrinë e Vjenës. Mbrojtësi tregon se për një periudhë ishte kërkuar edhe nga përfaqësuesja shqiptare. "Në Kombëtaren U21 të Austrisë nuk më dhanë asnjë shans, ndonëse luaja titullar në kampionat. E mora në konsideratë ofertën që më bëri Shqipëria, por më pas vendosa për Austrinë, e cila ishte zgjedhja ime e parë", u shpreh lojtari. Gërxhaliu beson se kjo Kombëtare i ka mundësitë të ecë përpara në Evropian, ndonëse të gjithë e shohin si një ekip pa nivel. "Shpeshherë mendoj se mund të fitojmë EURO 2008. Luajmë në vendin tonë, kemi mbështetjen e fansave dhe jemi të motivuar. Greqia fitoi në Portugali, përse të mos bëjmë edhe ne të njëjtën gjë?", përfundoi Gërxhaliu.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›