E Shtunë, 31 Tetor 2026

Amato shpall Ramën Kryeministër nga Italia

Ish-kryeministri italian, Xhuliano Amato, shpall që nga Italia Edi Ramën si Kryeministër të ardhshëm. Edhe vetë Edi Rama nuk ka guxuar të pohojë një ambicie të tillë, kjo edhe për të mos krijuar konfuzion dhe mosbesim mes qytetarëve të Tiranës, që i dhanë mandatin e tretë si kryebashkiak i kryeqytetit. Edhe pse është pyetur në disa raste, Rama ka konfirmuar se nuk do e braktisë kontratën që ka me qytetarët e Tiranës, por nuk ka dhënë asnjë përgjigje për mundësinë e kreut të ekzekutivit, gjithmonë nëse PS-ja fiton zgjedhjet e ardhshme parlamentare. Ish-kryeministri Italian, Amato, sipas PS-së, po asiston në hartimin e programit të PS-së pas një takimi mes ekspertëve të dy palëve. I pyetur se çfarë këshillash i jep Ramës për të qenë një Kryeministër i mirë Amato është shprehur se “ai nuk ka nevojë për këshillat e mia, për të qenë i sinqertë”. Nuk dihet nëse ky është një gabim i intervistuesit, por mbetet fakti se Rama përmendet për herë të parë si Kryeministër i mundshëm. “Është shumë i zoti, por unë do t’i thosha, që për të fituar zgjedhjet, duhet t’i kushtojë shumë nga vetja e tij vizionit, pasi zgjedhjet fitohen përmes vizionit. Pasi të ketë fituar zgjedhjet, duhet t’i dedikohet mënyrës për ta arritur atë vizion, pasi një muaj pas fitores, vizioni nuk është më i mjaftueshëm, por janë gjërat që bëhen”, - ka vazhduar Amato. Zyra e shtypit e PS-së bëri të ditur se për dy ditë me radhë, kanë vijuar me intensitet shkëmbimet e ideve për programin e ri të Partisë Socialiste. Ish- kryeministrat italianë, Masimo d’Alema dhe Xhuliano Amato, me ekspertët e tyre, janë pjesë e rrjetit ndërkombëtar të miqve dhe ekspertëve të nivelit të lartë, që po ndihmojnë kryetarin e PS-së, Edi Ramën, së bashku me ekipin e tij, për të ballafaquar problemet dhe idetë për të ardhmen, me eksperiencat dhe modelet e suksesshme të zhvillimit. Gjatë këtij takimi të dytë në selinë prestigjioze të fondacionit “Italianieuropei”, janë diskutuar draftet e përgatitura nga grupet e përbashkëta të ekspertëve, për sa i takon energjisë, rritjes ekonomike, punësimit, arsimit, shëndetësisë, pensioneve dhe bashkëpunimit rajonal.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›