E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gjermania i akordon Shqipërisë 120 milionë euro

Qeveria gjermane i akordon Shqipërisë 120 milionë euro. Qeveria shqiptare nëpërmjet një njoftimi për shtyp bëri të ditur se kjo shumë do të përdoret në projekte mjaft të rëndësishme të zhvillimit të vendit, si për shembull në rrjetin e kanalizimeve të zonës Korçë–Pogradec dhe të qarkut të Shkodrës, në projekte për rrjetin jugor energjetik, në infrastrukturën energjetike, si për shembull projekti i interkonjuksionit energjetik me Kosovën, si dhe në projekte të tjera. Kjo është një tjetër ndihmë dhe suport i rëndësishëm që qeveria gjermane i jep Shqipërisë, në vazhdën e ndihmës shumë të çmuar që i ka dhënë vendit tonë gjatë gjithë këtyre viteve bashkëpunimi ekonomik. Zyra e shtypit të Këshillit të Ministrave bëri të ditur se gjatë vizitës zyrtare të Kryeministrit Berisha në Republikën Federale të Gjermanisë u organizua ceremonia e nënshkrimit të dy marrëveshjeve të bashkëpunimit ekonomik midis Shqipërisë dhe Gjermanisë dhe midis Shqipërisë dhe Bankës Shtetërore Gjermane për Rindërtim, KfW. Marrëveshjet u nënshkruan për palën shqiptare nga ministri i Financave, Ridvan Bode dhe për palën gjermane nga Presidenti për Evropën i Grupit Bankar KfW, Roland Siller. Këto dy marrëveshje parashikojnë akordimin e një shume prej 30 milionë eurosh, të cilat do të shërbejnë për projekte të financimit të biznesit të vogël, si dhe të kanalizimeve të ujërave të zeza në rrethin e Korçës.

Gjatë kësaj ceremonie, Kryeministri Berisha në fjalën e tij shprehu mirënjohjen dhe falënderimin e thellë për ndihmën dhe mbështetjen që qeveria gjermane po i jep ekonomisë shqiptare dhe siguroi se investitorët gjermanë janë të mirëpritur në Shqipëri dhe do të kenë mbështetjen e plotë të qeverisë shqiptare.

Në këtë kuadër, Kryeministri theksoi se qeveria po ndërmerr reforma të thella në ekonomi dhe në sistemin fiskal, si dhe një luftë të fuqishme kundër korrupsionit, në mënyrë që vendi ynë të ketë një klimë sa më të favorshme për investimet gjermane dhe ato të huaja në përgjithësi. Z. Siller pas nënshkrimit të marrëveshjeve përshëndeti suksesin e qeverisë shqiptare me reformat dhe progresin e shkëlqyer të ekonomisë, duke shprehur kënaqësinë që nënshkrimi po bëhet në 20-vjetorin e bashkëpunimit ekonomik për zhvillim midis Gjermanisë dhe Shqipërisë. Presidenti për Evropën i Grupit Bankar KfW shprehu bindjen se ky fond prej 30 milionë eurosh, së bashku me fondin prej 90 milionë eurosh, që qeveria gjermane i ka akorduar Shqipërisë për projekte në infrastrukturën energjetike dhe linjat e interkonjeksionit me Kosovën, do të sjellin edhe më shumë ndryshim, zhvillim, punësim dhe ide në Shqipërinë mike. Dy ditë më parë, Kryeministri pati një takim me kancelaren Merkel, e cila shprehu vlerësimet më të larta për marrëdhëniet e shkëlqyera mes dy vendeve dhe vlerësime për reformat e jashtëzakonshme të qeverisë “Berisha”, duke vënë në pah se në luftën antikorrupsion janë hedhur hapa të mëdha.

Schauerte: Duam të jemi prezentë në Shqipëri

Në vazhdën e takimeve të shumta në Gjermani, Kryeministri Berisha u prit dje pasdite nga Sekretari Parlamentar në Ministrinë e Ekonomisë dhe Teknologjisë, zotin Hartmut Schauerte. Kryeministri Berisha shprehu falënderimet dhe mirënjohjen e thellë për ndihmën e madhe dhe të gjithanshme ekonomike prej rreth 700 milionë eurosh, më të lartën për frymë, që Gjermania i ka dhënë Shqipërisë në këto vite. Kryeministri Berisha u shpreh se nuk ka vend tjetër që të ketë ndryshuar si Shqipëria dhe në këtë transformim rrënjësor, Gjermania, me solidaritetin dhe ndihmën e saj, ka një kontribut tejet të rëndësishëm. Zoti Schauerte u shpreh se marrëdhëniet politike mes dy vendeve janë të shkëlqyera dhe ato ekonomike mjaft të mira, por që duhen të intensifikohen, duke u nisur nga fakti se Shqipëria ka potenciale të mëdha në shumë fusha. Kryeministri Berisha e njohu zotin Schauerte me reformat financiare dhe ekonomike, me arritjet e qeverisë shqiptare dhe suksesin e reformave, të cilat e kanë çuar Shqipërinë në çatinë e vendeve që kanë luftuar korrupsionin. Zoti Schauerte, pasi vlerësoi shumë pozitivisht arritjet e shkëlqyera të Shqipërisë në të gjitha fushat ekonomike, u shpreh se ne e dimë rëndësinë e vendit tuaj dhe të reformave që ju keni ndërmarrë me sukses. Ne, - shtoi zoti Schauerte, - duam të jemi prezentë në Ballkan dhe në Shqipëri. Nga ana tjetër, ai evidentoi faktin se importet shqiptare në Gjermani janë rritur me ritme të larta, me 33 për qind (në vitin e fundit) dhe shtoi se rruga e marrëdhënieve duhet të jetë me dy kalime.

Zoti Schauerte tha se ne duam të jemi fqinjë të mirë në shtëpinë evropiane, ndaj duam të kemi bashkëpunim ekonomik serioz dhe afatgjatë në Shqipëri dhe se besimi reciprok është i madh. Ai u shpreh se pas pak ditësh do të jetë në Shqipëri në krye të një delegacioni të gjerë me biznesmenë dhe autoritete të larta gjermane në fushën e ekonomisë, në kuadër të nxitjes së investimeve gjermane në Shqipëri. Zoti Schauerte i uroi Kryeministrit Berisha mirëseardhjen, si dhe i shprehu vlerësimin e tij më të lartë për arritjet e shkëlqyera të qeverisë shqiptare në ecurinë e reformave në të gjitha fushat, veçanërisht ato ekonomike.

Kryeministri paraqet potencialet shqiptare para investitorëve gjermanë

Gjatë vizitës në Berlin, Kryeministri Berisha u takua me biznesmenë dhe investitorë të mëdhenj nga Hamburgu dhe e gjithë Gjermania, takim ky i organizuar nga Shoqata e Bashkëpunimit Shqipëri-Gjermani. Gjatë fjalës së tij, Kryeministri Berisha bëri një prezantim të hollësishëm të zhvillimeve pozitive dhe situatës ekonomike në Shqipëri, duke theksuar në mënyrë të veçantë, se reforma e ndërmarrë nga qeveria shqiptare në këtë fushë, si dhe revolucioni fiskal kanë krijuar një klimë tepër të favorshme për zhvillimin e biznesit. Në këtë kontekst, Kryeministri u ndal gjerësisht në masat e ndërmarra nga qeveria shqiptare në luftën kundër korrupsionit, në nxjerrjen e administratës nga konflikti i interesit, në reduktim të praktikave burokratike dhe dixhitalizimit të një sërë proceseve të rëndësishme, në reduktimin me 2/3 të lejeve dhe licencave, vendosjen e taksës së sheshtë prej 10% etj. Kryeministri u shpreh se ekonomia shqiptare po zhvillohet me shpejtësi dhe se qeveria shqiptare po punon, duke kërkuar respektim të rregullave dhe standardeve mjedisore. Për qeverinë shqiptare, - u shpreh Kryeministri Berisha, - përbën një prioritet madhor mbrojtja e mjedisit dhe shëndetit të njeriut. Kryeministri Berisha i njohu investitorët gjermanë me potencialet e mëdha natyrore që ka Shqipëria, si burimet hidrike, pasuritë e shumta minerale dhe i ftoi investitorët të shohin mundësitë për të shfrytëzuar këto pasuri natyrore që mbart vendi ynë. Kryeministri Berisha foli gjithashtu edhe për mundësinë e investimeve gjermane në fushën energjetike, në infrastrukturë, në bujqësi etj. Ndër të tjera, Kryeministri u ndal në dy projektet më madhore të kombit dhe qeverisë shqiptare që janë integrimi në NATO dhe Bashkimin Evropian. Kryeministri Berisha i është përgjigjur gjithashtu dhe dhjetëra pyetjeve të drejtuara nga përfaqësuesit e biznesit dhe mediat gjermane, të cilët gjatë këtij takimi u njohën me zhvillimet tepër pozitive që ka pësuar Shqipëria, zhvillime këto që morën vlerësimet më maksimale nga Kancelarja gjermane, Angela Merkel.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›