Tirana; Vendimi i fqinjëve për Kosovën vendos të ardhmen e Ballkanit
Shqipëria u shpreh mirënjohje dy vendeve fqinje, Maqedonisë dhe Malit të Zi, për njohjen e shtetit të pavarur të Kosovës. Tirana zyrtare shpreson që kjo njohje të shërbejë si pikë referimi për vendet e tjera që kanë pasur një lloj pavendosmërie, jo për ta kundërshtuar, por për shkaqe të koniukturave politike. Drejtuesit më të lartë të shtetit, Presidenti Topi, Kryeministri Berisha, kryetarja e Kuvendit Topalli dhe ministri i Jashtëm Basha, përshëndetën vendimet e tyre duke i cilësuar si një kontribut thelbësor për paqen dhe stabilitetin në rajonin tonë. Presidenti Bamir Topi vuri në dukje se vendimi me rëndësi i këtyre dy shteteve do të shërbejë si shembull për shtete përtej Ballkanit për të marrë të njëjtin vendim për Kosovën. Në një komunikim të posaçëm me mediat në Pallatin e Brigadave, Presidenti Topi u shpreh se “vendimi i Republikës së Malit të Zi dhe Republikës së Maqedonisë për njohjen e pavarësisë së Kosovës, ishte një gjest i shumëpritur dhe mjaft i rëndësishëm për zhvillimet e perspektivës së marrëdhënieve në rajonin tonë ballkanik”. Kreu i shtetit shqiptar shpreson se njohja e pavarësisë së Kosovës nga Republika e Malit të Zi dhe nga Republika e Maqedonisë do të ndikojë ndjeshëm dhe ne shtete të tjera, nga të cilat pritet një qëndrim për Kosovën. Në të njëjtën linjë është dhe Kryeministri i vendit, Sali Berisha, teksa përshëndeti përzemërsisht njohjen që i bënë ditët e fundit Republikës së Kosovës, Portugalia, Maqedonia dhe Mali i Zi, si një mbështetje e fuqishme dhe si një kontribut madhor për Kosovën dhe qytetarët e saj në rrugën e zhvillimit dhe të integrimit dhe stabilitetin në rajon. Nga ana e tij, ministri i Punëve të Jashtme, z. Lulzim Basha, konsideron vendimin e fqinjëve për njohjen e shtetit të pavarur të Kosovës si një hap të rëndësishëm e të përgjegjshëm që bëhet në kohën dhe drejtimin e duhur. Sipas tij, njohja zyrtare prej tyre e shtetit më të ri të Evropës, vetëm një ditë pas miratimit në OKB të nismës së Serbisë për të kërkuar mendim këshillimor të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë mbi ligjshmërinë e pavarësisë së Kosovës, dëshmon se pavarësia e saj është një realitet i pakthyeshëm. Ministri Basha është i bindur se njohja e Kosovës nga Mali i Zi dhe Maqedonia, fqinjë të drejtpërdrejtë të saj dhe, së bashku me të, pjesë përbërëse të ish-Jugosllavisë së shpërbërë me dhunë, është dëshmi e përparimit të Kosovës në ndërtimin e shoqërisë demokratike dhe të shtetit ligjor, si dhe shprehje e mentalitetit të ri të rajonit tonë, i orientuar drejt së ardhmes së përbashkët euroatlantike. Ministria e Punëve të Jashtme rikonfirmoi dje se Shqipëria është e vendosur që marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë, të mirëkuptimit dhe bashkëpunimit, që fatmirësisht ekzistojnë dhe zhvillohen me dy vendet mike, Malin e Zi dhe Maqedoninë, t’i thellojë edhe më tej, duke i ngritur në nivele edhe më të larta, në të gjitha fushat me interes të ndërsjellë.
Gjithashtu, kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Jozefina Topalli, e përshëndeti dje Parlamentin e Maqedonisë si edhe qeverinë e Malit të Zi për njohjen e pavarësisë së Kosovës. Kryetarja e Kuvendit shprehu bindjen se ky akt do të rrisë edhe më tej bashkëpunimin mes vendeve të rajonit, për një të ardhme evropiane. “Njohja e pavarësisë së Kosovës nga Maqedonia dhe Mali i Zi është një ogur i mirë që do të ketë rezonancë, jehonë, reflektim, në rritjen e numrit të vendeve që do të njohin shtetin e ri e demokratik të Kosovës, pavarësia e të cilit e ka shkëputur një herë e përgjithmonë rajonin nga e kaluara e trazuar duke e orientuar drejt një të ardhmeje të sigurt në BE dhe NATO”, - përfundon përshëndetjen Topalli.
Qeveria kalon marrëveshjen për dënimin e krimeve në ish-Jugosllavi
Shqipëria dhe OKB-ja njësojnë qëndrimet e tyre për zbatimin e vendimeve të Gjykatës Ndërkombëtare të Krimeve në ish-Jugosllavi. Qeveria shqiptare propozoi dje një projektligj “Për ratifikimin e marrëveshjes, ndërmjet saj dhe Kombeve të Bashkuara, për zbatimin e vendimeve të Gjykatës Ndërkombëtare të Krimeve për ish-Jugosllavinë”, për shqyrtim e miratim në Parlamentin shqiptar. Në mbledhjen e djeshme të Këshillit të Ministrave u vendos për ratifikimin e marrëveshjes, ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Kombeve të Bashkuara, pikërisht për zbatimin e vendimeve të Gjykatës Ndërkombëtare të Krimeve për ish-Jugosllavinë. Vendimi i djeshëm është në mbështetje të neneve 78, 83, pika 1, dhe 121, të Kushtetutës, dhe bëhet me propozimin e Këshillit të Ministrave.
PS-ja përshëndet fqinjët për njohjen e pavarësisë së Kosovës
Partia Socialiste përshëndeti dje aktin e njohjes së Republikës së Kosovës nga dy shtete fqinj, Mali i Zi dhe Maqedonia. Sekretarja për marrëdhëniet me jashtë në PS, Arta Dade, tha se është tepër e rëndësishme që njohja e Republikës së Kosovës vjen nga dy shtete fqinj, me të cilët kemi të ardhme të përbashkët, me të cilët kemi hyrë në proceset dhe rrjedhat integruese dhe vendet përkatëse e kanë shprehur vullnetin politik dhe angazhimin konkret për të qenë pjesë e familjes euroatlantike. “Unë shpresoj që edhe politika do të kthjellohet dhe do të largohet nga skemat e vjetra, sikurse bëhet fjalë me kërcënimin për largimin e ambasadave në kryeqytetet përkatëse të Podgoricës dhe Shkupit. Kjo nuk do t'i shërbente demokratizimit të mëtejshëm të Serbisë dhe pa dyshim që edhe Serbia duhet t'i bashkëngjitet rrjedhës së rajonit për integrimin e mëtejshëm në familjen euroatlantike”, - deklaroi Dade.