BE ofron bursa për një program studimi në Strasburg
Programi do të zhvillohet në datat 16-17 nëntor 2008, në Parlamentin Evropian në Strasburg, Francë.
Lëvizjes Evropiane në Shqipëri i është besuar nga Delegacioni i Komisionit Evropian koordinimi i realizimit te këtij aktiviteti.
Programi "EuroMed-Scuola" i BE-së synon përgatitjen e një brezi të ri bazuar te toralanca, qytetaria, liria, paqja dhe respektimi i të drejtave të njeriut ku nëpërmjet shkëmbimeve të të rinjve të krijohet një hapësirë në të cilën vlerat evropiane janë emëruesi i përbashkët.
Në këtë aktivitet të rinjtë nga 27 vende anëtare të BE-së dhe 12 vende anëtare të Partneritetit Euro - Mesdhetar ftohen për të diskutuar, debatuar dhe miratuar rezoluta për çështjet të lidhura me Bashkimin për Mesdheun / Procesin e Barcelonës dhe çështje të tjera me interes për Partneritetin Euro - Mesdhetar.
Programi i aktivitetit përmban organizimin e një vizitë në Strasburg, gjatë të cilës të rinjtë do të njihen me institucionin e Parlamentit Evropian dhe do të marrin pjesë në seminare ku do trajtohen tema specifike.
Të rinjtë do të simulojnë seancat e Parlamentit Evropian duke u mbledhur fillimisht ne "Komisione" dhe më pas në "Seancë Plenare" ku do të debatojnë dhe miratojnë rezoluta.
Aplikantëve të cilët do të përzgjidhen do t’u mbulohen të gjitha shpenzimet financiare nga BE-ja.
Të rinjtë që dëshirojnë të marrin pjesë në programin "EuroMed-Scola" duhet të përmbushin kriteret e mëposhtme:
· Të jenë të moshës 16-18 vjeç
· Të kenë njohuri të mira (të folur) të gjuhës angleze ose franceze pasi të gjitha seancat e Parlamentit Evropian do të zhvillohen në njërën nga këto gjuhë.
· Të disponojnë një pasaportë të vlefshme udhëtimi.
· Të paraqesin një letër motivimi ose një CV (e cila duhet të përmbajë përveç të dhënave personale edhe arsyet e pjesëmarrjes në një aktivitet të tillë).
Aplikimet duhet të dorëzohen brenda datës 20 tetor 2008 ora 12 00, në adresën:
Lëvizja Evropiane në Shqipëri - European Movement in Albania. Rr. Brigada VIII,
Godina 1/3, Ap. 8.Tirana 1001;
Ose në postën elektronike: info@em-al.org