Amazonat e Brazilit

Presidentja e re e Brazilit, Dilma Roussef, ka dalë shumë shpejt nga hija e paraardhësit të saj karizmatik, Lula da Silva. Pas një viti në detyrë, ajo është tashmë shumë popullore, madje shkalla e saj e popullaritetit është më e lartë se çdo president tjetër deri më tani. Ndërkaq, pjesë e suksesit është se e ka rrethuar veten me gra të suksesshme, që kanë marrë fatin e vendit në dorë.
Epiqendra e pushtetit në Brazil mund të gjendet në katin e katërt në Palacio do Planalto në Brazil. Është një vend shumë prestigjioz, në korridoret e të cilit shihen kamerierë me tabaka, mbi të cilat ka kupa me kafe të mirë. Ato u shërbehen zyrtarëve të lartë që presin radhën për t’u takuar me shefat në paradhomat e rehatshme të katit të katërt. Ministrja e Planifikimit, Miriam Belhoir, nxiton për të takuar shefen e personelit, Gleis Hoffan, me të cilën duhet që të diskutojë urgjentisht një program të madh investimesh multi-miliardësh, që ka si objektiv të tij luftën kundër varfërisë. Gjatë rrugës që bën në korridor has me Ideli Salvatti, gruaja që menaxhon marrëdhëniet e publikut të presidencës me Kongresin. Dy kate më poshtë, sekretarja e shtypit, Helena Chagas, është duke biseduar në telefon. Në zyrën përballë, disa gra të tjera janë duke u hedhur një sy gazetave të ditës.
Kudo nga hedh sytë në këtë pallat të bardhë me dysheme e mure mermeri, ka gra ministre, gra këshilltare, gra eksperte dhe gra sekretare. Vetëm kamerierët dhe rojat e sigurisë janë meshkuj. Falë Presidentes, Dilma Roussef, çdo gjë në qeverinë e saj është në duar të femrave. Rousseff vetë është femra e parë që është zgjedhur presidente e shtetit më të madh në Amerikën Latine dhe ajo ka caktuar femra të tjera në postet më kyçe të qeverisë. Dhjetë prej tyre janë pjesë e kabinetit qeveritar. Të gjithë bashkëpunëtorët e rrethit të saj të brendshëm, përveç një mashkulli, janë femra. Dhe kjo nuk ka të bëjë aspak me kuotat. “Dilma, duke u dhënë mundësi të barabarta meshkujve dhe femrave për sa u përket standardeve profesionale, preferon gjithmonë të zgjedhë femra rreth vetes”, thotë Gilberto Cavahlo, i cili drejton zyrën e presidentes.
Femrat e afta dhe të arsimuara nuk është vështirë që t’i gjesh në Brazil. Femrat braziliane që kualifikohen janë më të shumta në numër se meshkujt në Brazil. Edhe pse vendi dominohet nga maskilizmi, vetë shoqëria ka në mënyrë të dukshme karakteristika matriarkati. Burrat janë ata që vendosin në rrugë, por gratë vendosin kudo tjetër. Në Brazil një e treta e të gjitha familjeve drejtohen nga gratë. Shpesh meshkujt luajnë vetëm rolin e riprodhuesit, sepse përgjegjësitë dhe barrët e mëdha dhe të gjata të rritjes së fëmijëve i mbajnë femrat. Përfitimi i fëmijëve i njohur si “bolsa familia”, zakonisht u jepet grave, sepse ato janë më të përgjegjshme me paratë. Por edhe në këto kushte gratë e punësuara fitojnë tri herë më pak se meshkujt për të njëjtin vend pune. Për sa u takon kuotave, ato ekzistojnë vetëm në politikë. Sipas ligjit, 30 për qind të të gjithë kandidatëve në zgjedhjet e bashkiakëve, guvernatorëve dhe parlamentarëve duhet që të jenë femra. Deri më tani është bërë shumë pak për të realizuar këtë kuotë.
“Partitë politike pretendojnë se nuk gjejnë dot femra me kualifikim të duhur, për të qenë të zonjat në poste të larta drejtuese. Por ky është një justifikim, sepse në fakt asnjëherë kuotat nuk janë marrë seriozisht”, thotë zëvendëspresidentja e Senatit të Brazilit, Marta Suplicity. Ajo është anëtare e partisë qeverisëse, Partia e Punëtorëve dhe kampione e barazisë gjinore. Në vitin 1980, ajo fitoi famë në një betejë televizive në mbrojtje të të drejtave të homoseksualëve. Më pas shërbeu si kryebashkiake e Sao Paolos, që është edhe qyteti më i zhvilluar dhe më i pasur ekonomikisht i vendit.
“Para se të mbaja fjalimin e parë në këtë detyrë, një politikan që ishte gjithashtu një mik i imi, erdhi dhe më tha: Vetëm thuaj disa fjalë të ëmbla sa për të përshëndetur të pranishmit në sallë, por më pas në lidhje me çështjet buxhetore ma jep fjalën mua. Në atë moment vendosa që për së pari t’ia bëja të qartë pikërisht mikut tim se cili prej nesh ishte kryebashkiaku. Pas tij m’u desh që këtë leksion t’ua jepja edhe shumë meshkujve të tjerë nga ata që më rrethonin”, thotë Suplicity.
Kundërshtarët më të thekur të promovimit të femrave në politikë ndodhen në Kongresin brazilian. Grupet fetare dhe aleancat mashkullore patriarkale bllokojnë tentativat e liberalizimit për shembull, në lidhje të tilla si ai i abortit. “Fatmirësisht ne jemi të fuqishme në qeveri dhe për këtë na duhet që të falënderojmë Presidenten tonë”, deklaron Suplicity.
Gilberto Carvahlo, kreu i zyrës presidenciale, është i vetmi mashkull me ndikim të madh në rrethin e Presidentes. Carvahlo ka shërbyer edhe për paraardhësin e Dilmës, Lula da Silva, për tetë vjetët e tij në pushet dhe askush më mirë se ai nuk i njeh labirintet e pushtetit. Gratë e Presidencës e quajnë “Gilbertino” dhe për to ai është si një vëlla i madh. Ato konsultohen me të në mënyrë të vazhdueshme dhe për çdo problem që u del. Carvahlo thotë se meshkujt shpesh përdornin shprehje mashkullore në pallatin presidencial në kohën e Lulës.
Megjithatë, kjo nuk e pengoi aspak Lulën që të zgjidhte pikërisht një grua si pasardhësen e tij. Instinkti i tij ishte edhe në këtë rast i pagabueshëm. Rousseff tani drejton bastionin tradicionalisht mashkullor të Brazilisë me dorë të hekurt. Ajo ka zëvendësuar tashmë qëkur ka ardhur në pushtet 7 ministra, të cilët janë përfshirë në skandale korruptive.
Por zonja e hekurt e Brazilit ka një stil tepër të ndryshëm të kryesimit, krahasuar me paraardhësin e saj.
“Lula vepronte me impuls dhe me instinkt, ndërsa Rousseff është më e tërhequr dhe më e distancuar nga personeli i saj”, thotë Carvalho.
Ajo e urren që të dalë dhe të shfaqet me njerëz të tjerë të fuqishëm. Lula do të shkonte nga një cep i vendit në tjetrin çdo javë për të takuar njerëz, për të marrë pjesë në veprimtari të ndryshme dhe nuk kalonte më shumë se dy ditë në javë në kryeqytet. Ndërsa pasardhësja e tij më të shumtën e kohës shihet pas tryezës së saj të punës dhe rrallë në avionin personal të qeverisë. Ata të dy janë të ndryshëm edhe në lidhje me mënyrën e bërjes së politikës së jashtme. Presidenti iranian Ahmadinejad, u prit me krahë hapur nga Lula da Silva, ndërkohë që Ahmadinejad gjatë turit të javës që shkoi në Amerikën Latine, e shmangu vizitën në Brazil. Pjesërisht këtë vendim e mori sepse Rousseff e ka kritikuar regjimin e Teheranit dhe mbi të gjitha në lidhje me një trajtim mesjetar që u bën grave. Vetë Dilma jeton në rezidencën zyrtare të Presidentit të Brazilit, Alvadaro Palace, së bashku me të ëmën dhe tezen e saj.
Njeriu më i afërt i saj është, Carlos Araujo, një ish-shok që e ka pasur në ushtri gjatë kohës së gueriljeve, i cili është edhe ish-bashkëshorti i saj dhe babai i vajzës. Një gazetë braziliane e ka quajtur pallatin presidencial “Pallati i Amazonave”. Ndërsa personat më të afërt janë shefja e personelit Gleisi Hoffmann. Fillimisht duke qenë se është një bionde me sy të ëmbël, meshkujt e Kongresit nisën që t’i thërritnin kësaj zonje “kukulla e Presidentes”, por në fakt ajo doli një zonjë shumë e rreptë dhe e përgjegjshme. Detyra e saj kryesore është nxitja e reformave qeveritare dhe të marrëdhënieve mes Presidencës dhe kongresit. Ajo ndërkohë mbikëqyr edhe fondin për stadiumet që do të ndërtohen me rastin e Kupës së Botës në vitin 2014, si dhe të gjitha projektet për portet.
Si vajzë e re, Hoffman deshi të bëhet murgeshë. Më vonë studio Marxin dhe Engelsin dhe ju bashkua komunistëve. “Femrat duhet të punojnë dyfish më shumë se meshkujt, për të siguruar mirënjohjen e njëjtë”, thotë Hofmman. (Der Spiegel)