E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kërkesat e Amerikës

Sekretarja amerikane e Shtetit, Hillary Clinton ia ka bërë me dije Serbisë se Kosova mbetet kushti i saj për në BE. Ajo ka kërkuar normalizim marrëdhëniesh ndërmjet shteteve, ndërkohë Philip Reeker ka apeluar shtetin serb që të heqë dorë nga Rezoluta 1244.

Diplomacia amerikane sërish ia tërheq vëmendjen Serbisë në lidhje me Kosovën.

Sekretarja amerikane e Shtetit, Hillary Clinton përmes një bisede telefonike të dielën e ka porositur Presidentin serb, Boris Tadic që të normalizojë marrëdhëniet me Kosovën.

Kjo porosi e Clintonit vjen pikërisht në kohën kur ministrat e jashtëm të Bashkimit Europian pritet të marrin vendim për kandidaturën e Serbisë.

Në mars të këtij viti, pritet të thuhet fjala përfundimtare për kërkesën e Serbisë për anëtarësim në BE, kërkesë kjo e cila u refuzua në dhjetor të vitit të kaluar, pikërisht për shkak të situatës së tensionuar në Veri të Kosovës.

Clinton thuhet të ketë diskutuar me Tadicin rreth dialogut Prishtinë-Beograd, duke ia theksuar atij nevojën për marrëdhënie të mira me Kosovën.

E për ndërtimin e këtyre marrëdhënieve, Clinton thuhet t’i ketë shprehur Tadicit përkrahje nga SHBA’ja.

Ndërkohë, Sekretarja amerikane nuk është e vetmja nga autoritetet amerikane që ia ka rikujtuar Serbisë kushtin për të hyrë në BE.

Ndihmëssekretari Philip Reeker gjatë qëndrimit të tij në Beograd ka kërkuar nga Serbia që të heqë dorë nga Rezoluta 1244.

Ndërsa, në një intervistë për një të përditshme serbe, Reeker ka ritheksuar se sigurimi i Serbisë për në BE mbetet dialogu me Prishtinën.

“Bisedimet në suazat e dialogut Beograd-Prishtinë janë qëllim aktual dhe domosdoshmëri. Për të dyja palët ekzistojnë pikëpamje të ndryshme dhe çështje të rëndësishme që duhet të adresohen në të ardhmen. Është mirë se të gjithë kanë ide dhe janë të lirë t’i shtrojnë, por mendoj se tani fokusi duhet të jetë në dialog”, ka thënë Reeker.

Ka pasur shumë diskutime dhe opsione rreth zgjidhjes së konfliktit për Veriun e Kosovës. Edhe Presidenti serb ua kishte prezantuar autoriteteve kosovare dhe ndërkombëtare të ashtuquajturin katërpikësh për zgjidhjen e problemeve në Kosovë.

Në “Pakon e Tadicit”, theksohet nevoja për status special për manastiret dhe trashëgiminë kulturore serbe në Kosovë, sigurimi dhe mbrojtja e serbëve në jug të Ibrit, status special për Veriun e Kosovës si dhe mbrojtja e pronave serbe në Kosovë.

Ndërkohë, Philip Reeker u ka thënë medieve serbe se Uashingtoni ende nuk i ka analizuar pikat e Tadicit.

Ndonëse për pajtim rreth tyre ka theksuar se duhet edhe pëlqimi i Kosovës.

“Nuk kemi diskutuar në detaje për këto propozime, e as nuk e kemi marrë ndonjë qëndrim”, ka thënë Reeker.

E, autoritetet kosovare natyrisht veç qenë shprehur kundër propozimit të Presidentit serb.

Ministri i Punëve të Jashtme të Republikës së Kosovës, Enver Hoxhaj e kishte porositur Tadicin që ta mbajë katërpikëshin për vete.

“Plani i Ahtisarit është zgjidhja më e mirë për integrimin e serbëve të Veriut në institucionet e pavarura të Kosovës”, ka thënë Hoxhaj.

Sipas tij, opsioni i dhënë nga Boris Tadic është vetëm një argument më tepër për mosnjohjen e Kosovës.

Reeker ndërkaq, zgjidhjen e problemeve e sheh prapë në dialog.

“Dialogu nuk ka të bëjë me çështjen se kush do të zmbrapset, por si të arrihen zgjidhje praktike për mosmarrëveshjet”, ka thënë diplomati amerikan.

E, duke folur për institucionet paralele në Veri të Kosovës, Reeker ka ngritur si çështje nevojën e identifikimit të tyre.

“Ka institucione që janë krijuar sipas ligjeve të Kosovës, dhe ka institucione të tjera që punojnë, të tilla si shkollat dhe spitalet, e të cilat duhet të ruhen në çdo situatë. Një shembull i përkryer është pjesa jugore e Kosovës, ku funksionojnë bashkësitë serbe, dhe përparojnë ekonomikisht, ndërsa institucionet e tyre janë të mbrojtura dhe kënaqin nevojat e tyre”, ka thënë Reeker.

Ndihmëssekretari i Shtetit amerikan, ndër të tjera ka theksuar se për Uashingtonin ndarja e Kosovës është e papranueshme. Këtë e ka argumentuar duke e marrë për shembull situatën e krijuar në Bosnjë pas luftës.

“Situata në Bosnjë është vetëm një nga shumë arsyet për të kundërshtojnë këtë. Mendojmë se ndarja e Kosovës ose ndryshimi i kufijve është ide e keqe. Kur njëherë niseni në atë rrugë, do ta vini në shënjestër çdo shtet”, ka thënë Reeker.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›