Ambasada Amerikane: Gati të hetojmë për Trebickën
Ambasada Amerikane dërgon ekspertët e saj në vendngjarje. “Jemi të gatshëm të asistojmë, nëse na kërkohet”
TIRANE - Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës pranon të marrë pjesë në hetimet mbi ngjarjen e ndodhur dje në Korçë, nëse kjo gjë i kërkohet nga autoritetet shqiptare. E pyetur mbrëmë nga agjencia e lajmeve NOA, Ambasada e SHBA-ve në Tiranë ka folur në lidhje me aksidentin e dyshuar, ku mendohet se gjeti vdekjen biznesmeni shqiptaro-amerikan, Kosta Trebicka.“Ne shprehim ngushëllime për viktimën”, -deklaruan për agjencinë e lajmeve NOA, burimet zyrtare të Ambasadës Amerikane.
***
Ndërkohë mësohet se në vendin e ngjarjes kanë shkuar përfaqësues të Ambasades Amerikane dhe ekspertë. Ky fakt shpjegohet me procedurën që kryhet nga përfaqësia diplomatike, në rastet kur kemi të bëjmë me shtetas të cilët kanë edhe shtetësi amerikane, siç ishte rasti i Kosta Trebickës. Ambasada i është përgjigjur dhe pyetjes në lidhje me hetimet dhe rezultatin e tyre: “Jemi në dijeni se Policia dhe Prokuroria e Përgjithshme, po i hetojnë rrethanat e ngjarjes”. Në këtë pikë, ambasada e SHBA-ve deklaroi se: “jemi të gatshëm të asistojmë në hetimet lidhur me ngjarje, në rast se na kërkohet një gjë e tillë”. Në këtë mënyrë, Ambasada ka lënë të kuptohet se asaj, as i ishte ofruar dhe as kërkuar deri tani, pjesëmarrje në hetimin për vdekjen e biznesmenit shqiptaro-amerikan, Kosta Trebicka që gjeti vdekjen në rrethana të mistershme në Lekas të Korçës.
***
Kontaktet në të gjallë të Kosta Trebickës, jo vetëm me zyrtarë të Ambasadës Amerikane, por edhe me përfaqësues të Pentagonit janë bërë publike nga “Shekulli”, në kohën e denoncimit prej tij të aferës së tregtisë së fishekëve shqiptarë për ushtrinë e Kabulit. Muaj më parë, në mjediset e kësaj ambasade, Kosta Trebicka u ka dorëzuar zyrtarëve të ardhur në Tiranë nga Pentagoni dokumentet që vërtetonin falsifikimin e fishekëve nga kontraktuesi i qeverisë shqiptare, 22-vjeçari Efraim Diveroli. Trebicka ishte dëshmitari kyç që me dëshminë e tij shkaktoi “tërmet” jo vetëm në vendin tonë, por edhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku tashmë po hetohet për falsifikimin e municionit në kontratën 300 milionë dollarëshe të Ushtrisë Amerikane.
Përgjimi i kryer nga Kosta Trebicka hodhi dyshime për implikimin e djalit të kryeministrit në trafikun e armëve
Trebicka, njeriu që zbuloi aferën 300 milionë dollarë
TIRANË- Denoncimi i aferës së tregtisë së armëve drejt Afganistanit e ktheu Kosta Trebickën nga një biznesmen të njohur në një rreth të ngushtë njerëzish, në një personazh publik. Rrëfimi i tij nxorri në sipërfaqe një skandal të rëndë, që fillonte në Shqipëri dhe përfundonte në Afganistan. Megjithëse historia e tregtisë së dyshimtë të fishekëve nga Shqipëria drejt Afganistanit gëlonte prej disa muajsh në qarqet mediatike dhe politike të Tiranës, Kosta Trebicka e rrëfeu atë publikisht vetëm pas tragjedisë së rëndë të Gërdecit. Por më shumë sesa tek dëshmia e tij, diskutimi është përqendruar në një bisedë të përgjuar prej Trebickës e ku hidhen dyshimet se në këtë çështje është përfshirë edhe djali i kryeministrit, Shkëlzen Berisha.
Afera
Historinë e mënjanimit të tij nga kontrata me Efraim Diverolin, për shkak të daljes në skenë të Mihal Delijorgjit, Kosta Trebicka e ka rrëfyer me detaje për prokurorinë, në datat 3 dhe 4 prill të këtij viti. Në vitin 2007, ai është kontraktuar nga kompania amerikane AEY, e cila drejtohej nga 22-vjeçari Efraim Diveroli për të bërë paketimin e municionit që do të furnizonte ushtrinë afgane.Por gjatë fazës së parë të punës, Trebicka mësoi se futja në skenë e kompanisë “EVDIN” me administrator Henri Tomein, një person i skeduar nga qeveria amerikane, pasi bëntetrafik armësh me vendet në konflikt,kishte shkaktuar dyfishin e çmimit, fakt të cilin ia bën me dije Diverolit. Pas këtij momenti, Trebicka është shmangur nga zbatimi i kontratës, proces pune të cilën MEICO “ia dhuroi” Mihal Delijorgjit, duke bindur edhe pronarin e AEY-së. Historia bëhet edhe më e rëndë, kur Diveroli vjen në Shqipëri për të negociuar një çmim të dytë e kur në një takim të fshehtë me Ylli Pinarin, Delijorgjin dhe një djalë të moshës 27-30-vjeç, i bëhet presion.
Përgjimi
“Kjo punë ka shkuar shumë larg, tek djali i kryeministrit”,-ka thënë Diveroli në bisedën e përgjuar nga Trebicka, duke i pohuar këtij të fundit se djalin e panjohur në takimin e fshehtëia kishin prezantuar si Shkëlzen Berisha, djali i kryeministrit shqiptar. Kjo bisedë e përgjuar prej Kosta Trebickës u publikua nga mediat, në një kohë që autori i këtij përgjimi, Trebicka, ishte larguar nga Shqipëria. Pas kthimit në vendin tonë, Trebicka deklaroi për “Shekullin” se personalishtnuk besonte që djali në takimin me Diverolin të kishte qenë Shkëlzen Berisha.Madje, ai tregoi edhe takimin me djalin e kryeministrit, për të sqaruar përfshirjen e tij në këtë çështje. Trebicka mohoi asokohe edhe të ishte kërcënuar, por pranoi se kishte marrë disa telefonata që ai i quajti shqetësuese. Trebicka ka pohuar për hetuesit e Prokurorisë së Përgjithshme se MEICO kishte si qëllim të sabotonte furnizimin e AEY, pasi tregtia e skrapit ishte më fitimprurëse, ndërsa ka implikuar në dëshminë e tij ish-ministrin e Mbrojtjes, Fatmir Mediun dhe ish-kreun e MEICO-s, Ylli Pinarin.
Dëshmia e viktimës së djeshme, Kosta Trebicka për takimin me djalin e kryeministrit
Takimi i Trebickës me Shkëlzen Berishën
TIRANË- “Djalin e kryeministrit e kam takuar për 5 apo 6 minuta, në sheshin “Nënë Tereza”, për të sqaruar ato që kishte thënë Pinari”. Kështu pati pohuar Kosta Trebicka për takimin me Shkëlzen Berishën, duke shtuar se atë e kishte takuar brenda makinës së këtij të fundit, që ishte parkuar përpara Akademisë së Arteve. Sipas rrëfimit të mësipëm, takimi është bërë pasi denoncuesi Trebicka u ka dhënë dokumente dhe kasetën e përgjimit, ku përmendet emri i Berishës dhe djalit të tij investigatorëve amerikanë. “Unë kisha një detyrim moral që kur të diskutoja për kryeministrin tim, unë më parë këtë ta diskutoja me familjen e kryeministrit. Dhe kur unë pashë reagimin e djalit të kryeministrit që me shumë qetësi, me shumë vendosmëri kërkoi që të ballafaqohej me presidentin dhe me punonjësin amerikan, natyrshëm unë krijova bindjen se ai nuk ishte i përfshirë në këtë aferë”,-ka thënë Trebicka, pak ditë më parë. Emri i Shkëlzen Berishës është i lidhur me vizitën e Efraim Diverolit në Shqipëri, kur ky i fundit është detyruar të firmosë një kontratë në prani të Ylli Pinarit, Mihal Delijorgjit dhe një djali të ri rreth të 30-ave, që Pinari ia kishte prezantuar si djalin e kryeministrit Sali Berisha. Rrëfimin për këtë takim, 22-vjeçari Diveroli ia ka bërë Trebickës në telefon, ndërsa përgjimet e kësaj bisede janë botuar pak kohë më parë nga “Shekulli”. Takimi sqarues mes Trebickës dhe Shkëlzen Berishës është bërë rreth 1 muaj para se të ndodhte tragjedia e Gërdecit. Megjithatë, kryeministri Sali Berisha nuk ka sqaruar ende për publikun shqiptar nëse e kishte takuar Ylli Pinarin, për të sqaruar përfshirjen e të birit në këtë histori.