E Diel, 1 Nëntor 2026

Reagojnë partitë për Trebickën, por jo PD-ja

Tiranë- Pas konfirmimit zyrtar për vdekjen e biznesmentit Kosta Trebicka kanë reaguar menjëherë partitë politike në Tiranë, por ende asnjë deklaratë nga Partia Demokratike.

Rama: Prokuroria të zbardhë vdekjen misterioze

Vdekje misterioze e ka quajtur kreu i PS-së, Edi Rama, vdekjen e Kosta Trebickës, njeriut që sipas tij, u bë i njohur duke dëshmuar për gazetën “New York Times”, kontrabandën e fishekëve dhe u kthye në dëshmitarin kyç të aktivitetit kriminal që niste në zyrat e qeverisë së Sali Berishës, kalonte përmes punishtes së vdekjes në Gërdec dhe mbërrinte në destinacione që mbeten ende për t'u zbuluar nga Prokuroria e Republikës.

“Dhënë zoti të mos jetë vrasje me paramendim për t’i kyçur gojën dhe për të kërcënuar ata që hetojnë zullimin vrastar të Gërdecit”- ka thënë ai në një deklaratë për shtyp, vetëm pak minuta më parë.

Sipas tij, kjo ngjarje e rëndë e bën edhe më alarmante nevojën për të zbardhur deri në fund kontrabandën e fishekëve, vrimën e zezë që thithi 26 jetë njerëzish në Gërdec dhe rrethanat e humbjes së kësaj jete të 27-të.

Ai i ka shprehur ngushëllime familjes dhe miqve për këtë qytetar të mirë dhe solidaritet prokurorëve për hetimin e cështjes.

“Prokurorja ka solidaritetin e opozitës për të zbuluar së bashku me ata që e hetojnë direkt çështjen, të zbardhin fillin e plotë të kontrabandës për t’i nxjerrë asaj fundin dhe për të thënë nëse Kosta Trebicka vdiq aksidentalisht, apo u vra nga ata që kanë filluar gjuetinë e njerëzve që dinë më shumë se ç’duhet për Gërdecin”.

Ai ka kujtuar se Shqipëria duhet të heq nga shpatullat, hijen e krimit shtetëror që vrau për qëllime fitimi 26 shqiptarë e që po nuk u zbardh sot nga këta prokurorë do të endet, sipas titj rreth nesh dhe fëmijëve tanë duke kushtëzuar të ardhmen e tyre.

Në fund Rama i është drejtuar edhe kryeministrit të vendit. “Zoti Kryeministër, prokuroria është sot në provën e saj më të rëndë, sepse duhet të zbardhë pa humbur kohë një histori ku qeveria dhe emri juaj janë drejtpërdrejtë të përfshirë, ndërkohë që vdekja ka marrë jetën e 27-të, pas atyre 26 që mori ditën kur kjo histori plasi si bombë atomike, duke tronditur Shqipërinë e botën".

Ai ka kujtuar se Berisha nuk ka dhënë asnje mesazh ngushëllimi për familjen e një qytetari serioz."Jo vetëm ju heshtët, po as zyra juaj nuk nxori të paktën një mesazh ngushëllimi për familjen e një qytetari kurajoz të këtij vendi që e qeverisni, i cili bëri atë që ju kërkoni qytetarëve të këtij vendi. Denoncoi korrupsionin e qeverisë juaj dhe jo një nga aferat që dëgjojmë përditë, por një aferë të aferave, ku dhe emri juaj dëgjohet sa herë që ajo përflitet, në çdo qytetet, në çdo fshat, në çdo kafene, në çdo spital, në çdo shtëpi, kudo ku ka shqiptarë që flasin për këtë peshë të rëndë, që të gjithë së bashku, shqiptarë e shqiptare në Shqipëri e jashtë Shqipërisë, kemi pësuar"- perfundoi Rama.

PSD: Prokuroria të veprojë

Për vdekjen e Trebickës, dëshmitarit kryesor të hetimeve të Gërdecit ka reaguar edhe Partia Socialdemokrate. “Prokuroria duhet të zbardhë vdekjen e Trebickës dhe rrethanat e saj”, ka thënë PSD. Gjithashtu kjo parti kërkon edhe mbrojtjen e dëshmitarëve.

LSI: Krim me prapavijë politike

I menjëhershëm ka qenë edhe reagimi i Lëvizjes Socialiste për Integrim, duke e cilësuar të dyshimtë aksidentin e ndodhur sot pasdite ku mbeti i vrarë “dëshmitari kyc i Gërdecit” biznesmeni Kosta Trebicka. Kjo parti ka kërkuar përmes një deklarate për shtyp që kryeministri Berisha të japë dorëheqjen dhe Prokuroria të zbardhë këtë aksident të dyshimtë. Ngjarja u cilësua “krim i organizuar me veprim të plotë dhe me prapavijë politike” .

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›