Denoncimi i Trebickes: Presioni për armët në Afganistan
Botuar, e premte, 21 Mars 2008
Në një intervistë për "Shekullin", Trebicka ka rrëfyer takimet me Ylli Pinarin, Mihal Delijorgjin dhe Shkëlzen Berishën, por edhe bisedat e shumta me pronarin amerikan të kompanisë, Efraim Diveroli. I pyetur për kërcënime të mundshme gjatë këtyre dy ditëve, kur historia e tregtisë armëve ka dalë në skenë, Trebicka përgjigjet: "asnjë lloj shqetësimi.
Kam pasur disa telefonata, jo ndonjë kërcënim konkret, por ishin më shumë telefonata shqetësuese".
Zoti Trebicka, cili ishte roli juaj kontratën që kompania AEY kishte me MEICO-n për furnizimin me municion të ushtrive aleate në Afganistan?
Mua më ka marrë në telefon përfaqësues i firmës amerikane AEY në fillim të prillit 2007 dhe më thotë që më kishin zgjedhur mua si nënkontraktor për të paketuar materiale, të cilat do të dërgoheshin në Afganistan. Tenderi 300 milionë dollarë është fituar qeverinë amerikane nga "BETA" kompani që ia ka dhënë më pas AEY si nënkontraktore, për të blerë municion në vendet e lindjes.
Pasi u kontaktuat nga kompania amerikane, cilat janë kontaktet tuaja me Ylli Pinarin?
Pasi u përzgjodha nga amerikanët në bazë të të gjithë dokumentacionit, ky dokumentacion përfshinte në radhë të parë prokurën e përfaqësimit, domethënë, që unë ta përfaqësoja kompaninë në marrëdhënie me MEICO-n. Zotit Pinari i vajta me prokurorë në dorë nga AEY, për të paketuar municionet, të cilat ishin fishekë kallashnikovi për t'i çuar Afganistan. Nga ana e tij, zoti Pinari më paraqiti një kontratë, ku unë duhet të firmosja për të dy kompanitë: për "AEY inc" dhe "EVDIN". Unë nuk mund të firmosja për kompaninë qipriote, për të cilën unë nuk e kisha kontaktuar. Unë firmosa vetëm në emër të AEY-së. Që nga ai moment, unë paraqita të gjithë dokumentacionin përkatës në lidhje me fuqinë punëtore, pra paraqita të gjitha certifikatat e lindjes të punonjësve, të cilët do të hynin me leje te posaçme aeroportin e Rinasit.
Kur e zbuluat se kompania amerikane, AEY po blinte municion dyfishin e çmimit që e shiste MEICO?
Në momentin që unë me Pinarin po diskutonim për "EVDIN", Pinari më paraqiti mua një dokument ku kjo kompani i blinte "MEICO- s" nje sasi municionesh prej 100 milionë fishekësh kallashnikovi, me një vlerë prej 22 dollarësh për 1000 copë, ndërsa momentin tjetër i shitjes nga "EVDIN" tek AEY", unë nuk dija absolutisht asnjë lloj detaji. Në momentin që filluam punën, pas një periudhe 3 ose 4 ditore, zoti Pinari filloi të na pengonte me furnizimin me materialet përkatëse, të cilat ne duhej ripaketonim brenda një periudhe 3- mujore, sepse kjo ishte kontrata, brenda 3 muajve ne duhet të çonim 100 milionë fishekë në Afganistan. Në këtë kohë, unë vihem në kontakt me presidentin, të cilin unë nuk e njihja personalisht. Ishte zoti Diveroli dhe në bisedë e sipër, i tregoj zotit Diveroli për elementin e kontratës ndërmjet MEICO- s dhe EVDIN, e cila përmbante elementin e çmimit 22 dollarë për 1000 copë fishekë. Në këto momente, zoti Diveroli u irritua dhe nisi të më tregonte se " EVDIN" po ia shiste kompanisë AEY me dyfishin e çmimit. Kjo kompani me qendër në Qipro e blinte materialin me 22 dollarë nga MEICO dhe e shiste me 40 dollarë tek AEY.
A jeni në dijeni se me kë e ka lidhur kontratën MEICO, me AEY apo me EVDIN, kompani kjo që përfaqësohej nga Henri Tomei?
Sa për mua, kontratën e kam lidhur me Diverolin. Asnjë kontratë nuk kam me Henri Tomein. Unë di që kontrata ndërmjet MEICO dhe AEY është bërë nëpërmjet një komisioneri, që është paraqitur si përfaqësues për kontratën që quhet Henri Tomei. Jo përfaqësues, por komisioner.
Ç'ndodhi pasi Efraim Diveroli mori vesh se po e blinte municionin dyfishin e çmimit, pas futjes në të komisionerit?
Kjo e detyroi zotin Diveroli të më kërkonte mua ndihmë, të hyja në kontakt me zotin Pinari me zotin Mediu, për të sqaruar situatën, pasi nga ana tjetër po krijoheshin shumë pengesa me furnizimin me armë. Unë kontaktova zotin Pinari dhe e pyeta sesi është problemi që Diveroli ishte tepër i pakënaqur nga mënyra sesi zhvilloheshin transaksionet. Pinari më tha mua që nuk duhej të ngatërrohesha me këto gjëra, pasi janë forca madhore. Duke dyshuar tek ndërgjegjja e zotit Pinari, unë kërkova të takohem me zotin Fatmir Mediu. Pasi i shtrova problemin, Mediu u tregua shumë indiferent, mospërfillës, shumë përbuzës dhe më thotë që kjo është një çështje civile dhe nuk varej nga ai, por direkt nga MEICO. Mediu më tha që MEICO ka autorizim të pakufizuar dhe mund të veprojë si të dojë. Unë mbeta i shtangur. Që në këtë moment lajmërova Ambasadën Amerikane dhe sektorët përkatës të kësaj ambasade dhe i vë në dijeni për gjithçka. Gjithashtu vura në dijeni edhe presidentin e kompanisë AEY, zotin Diveroli. Mbas 2-3 orësh vë në dijeni edhe Pinarin. Përgjigjja e tij ishte e prerë dhe agresive, duke më thënë që nuk do të më furnizonte, pa një urdhër të dytë nga ministri. Pas kësaj përgjigjeje u habita, pasi këtu diskutohej furnizimi me materiale ushtarake i një fuqie aleate, siç është NATO në Afganistan. Atëherë, zoti Pinari e ndërpreu kontratën dhe nuk na furnizonte më me municione për t'i ripaketuar në aeroportin e Rinasit.
Kur u bllokua kontrata dhe çfarë ndodhi më pas?
Kontrata u ndërpre rreth datës 10-15 maj. Faktikisht, kontrata ligjërisht nuk u ndërpre, por Pinari nuk furnizonte më. Mbas kësaj periudhe, mesa kam marrë vesh, Pinari kërkoi që Efraim Diveroli, pronari i AEY-së të vinte urgjentisht në Shqipëri, për t'u takuar me të dhe për të diskutuar për një kontratë direkte ndërmjet MEICO-s dhe AEY-së. Kur Diveroli erdhi në Tiranë, nga data 17, në aeroport e priti Pinari. Ky e kishte udhëzuar që unë të mos shkoja në aeroport. Diveroli më lajmëron për të gjitha këto elemente dhe unë pranoj të mos vij në aeroport dhe të mos takohem me zotin Diveroli.
A mund të na tregoni atë pjesë të Diverolit në Tiranë, ku dyshohet se ai është takuar me Pinarin, Delijorgjin dhe me një djalë që mendohet se është Shkëlzen Berisha?
Pinari e merr zotin Diveroli nga aeroporti bashkë me përfaqësuesin e AEY-së në Tiranë, Aleks... njëkohësisht punonjës i forcave aleate të NATO-s. Shkojnë në një rrugë, e cila është një rrugë diku mes Ministrisë së Arsimit dhe asaj të Drejtësisë. Zotin Diveroli e çojnë në një apartament së bashku me Aleksin, ku Pinari u prezanton Delijorgjin dhe një person tjetër të moshës 27-30 vjeçare. Këta dy u prezantuan si shefa të Pinarit dhe i kërkuan Devirolit të firmoste një kontratë direkte me MEICO-n dhe tani e tutje, të gjitha materialet do të shiteshin me çmimin 26 dollarë për 1000 copë fishekë, ndërsa çmimi tjetër prej 14 dollarësh, do t'i paguhej kompanisë së Delijorgjit, në mënyrë që të plotësohej totali i 40 dollarëve, të cilat AEY-së po i merreshin nëpërmjet "EVDIN".
Kush ishte djali i ri, që shoqëronte Delijorgjin në këtë takim?
Nuk e di! Pikërisht mbas kësaj, kur zoti Diveroli dhe zoti Aleks ishin në zyrat e Delijorgjit, atëherë Aleks, që e njihte Delijorgjin, nuk e lejon zotin Diveroli që të firmosë një kontratë të tillë mafioze dhe nga arsyetimet që do të vinin një ditë, sepse natyrshëm u frikësuan. Ju thoni që nuk e dini kush ishte i riu.
Pse u takuat atëherë me Shkëlzen Berishën?
Me Shkëlzen Berishën jam takuar, pasi e kam kërkuar unë Shkëlzenin që të takoheshim, pas zërave që qarkulluan. I thashë që emri i tij ishte përdorur në këtë takim, por zoti Shkëlzen më tha që nuk ishte takuar me asnjërin prej personazheve. Aty ndodhi që Shkëlzeni më kërkoi ballafaqim qoftë me Diverolin, qoftë me Aleksin, sepse ishte i sigurtë që ishte i pafajshëm. Unë e besova që ishte i pafajshëm dhe nuk i rashë mbas këtij muhabeti.
Bisedoi: Ened Janina