E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rama: Dhëntë zoti të mos jetë vrasje me paramendim

Tragjedi jonatyrore. Kështu e ka cilësuar kryetari i Partisë Socialiste Edi Rama vdekjen e dëshmitarit kycc në procesin e hetimit të prokurorisë për trafikun e armëve, Kosta Trebicka, duke hedhur hije dyshimi se ajo mund të jetë pasojë e përpjekjeve të klaneve dhe grupeve mafioze të interesuara që ky trafik mos të zbardhet kurrë më.

Disa orë më parë, ka vdekur në rrethana misterioze njeriu që u bë i njohur duke dëshmuar për gazetën “Neë York Times”, kontrabandën e fishekëve dhe u kthye në dëshmitarin kyç të aktivitetit kriminal që niste në zyrat e qeverisë së Sali Berishës, kalonte përmes punishtes së vdekjes në Gërdec dhe mbërrinte në destinacione që mbeten ende për t'u zbuluar nga Prokuroria e Republikës. Tragjedisë jonatyrore të Gërdecit, e cila me të panjohurën e saj rëndon shpirtin e mendjen e çdo shqiptari, i shtohet tragjedia jo natyrore e familjes Trebicka, që e bën edhe më alarmante nevojën për të zbardhur deri në fund kontrabandën e fishekëve, vrimën e zezë që thithi 26 jetë njerëzish në Gërdec dhe rrethanat e humbjes së kësaj jete të 27-të.

E cila, dhëntë Zoti, të mos jetë vrasje me paramendim, për të kyçur gojën e një dëshmitari kyç, e për të kërcënuar me të njëjtin fat ata që po hetojnë zullumin vrastar të Gërdecit. Unë i shpreh ngushëllimet e mia familjes, të afërmve dhe miqve të Kosta Trebickës, një qytetar i mirë, që sot nuk jeton më. I shpreh gjithashtusolidaritetin e plotë të opozitës prokurorëve të çështjeve që lidheshin edhe me emrin e këtij dëshmitari, tanimë të vdekur. Sytë tanë, të të gjithë shqiptarëve e shqiptareve, që duan të jetojnë të lirë e të sigurt në këtë vend, që duan të mirëqeverisjen të pakushtëzuar nga krimi, korrupsioni apo klientelat mafioze të pushtetit, janë drejtuar sot tek këta prokurorë dhe fati i kësaj çështjeje është sot nderi i atdheut, ku jetojmë e rrisim fëmijët tanë. Shqipëria nuk mund të ç’nderohet, duke mos u hequr nga shpatullat e popullit të saj hijen e krimit shtetëror, që vrau për qëllime fitimi 26 shqiptarë e shqiptare, të rritur e fëmijë dhe që po nuk u zbardh sot, nga këta prokurorë, do të vazhdojë të endet rreth nesh e fëmijëve tanë, duke kushtëzuar të ardhmen e tyre. Prokurorja e Përgjithshme e Republikës, ka të gjithë solidaritetin njerëzor e mbështetjen morale të opozitës, për të zbuluar, së bashku me atë që jetojnë çështjen, fillin e plotë të kontrabandës së fishekëve, për t'i nxjerrë fundin kraterit të zullumit vrastar të Gërdecit dhe për të na thënë një orë e më parë, nëse Kosta Trebicka vdiq aksidentalisht, duke u kthyer nga gjahu, apo u vra nga kriminelë, të cilët kanë filluar gjuetinë e njerëzve, që dinë më shumë se ç'duhet për Gërdecin.

Në fund të kësaj dite të hidhur, edhe një fjalë për kryeministrin e këtij vendi: Zoti Kryeministër, prokuroria është sot në provën e saj më të rëndë, sepse duhet të zbardhë pa humbur kohë një histori ku qeveria dhe emri juaj janë drejtpërdrejtë të përfshirë, ndërkohë që vdekja ka marrë jetën e 27-të, pas atyre 26 që mori ditën kur kjo histori plasi si bombë atomike, duke tronditur Shqipërinë e botën. Dje Zv/Sekretari amerikan i Shtetit, deklaroi publikisht, se përfundimi i hetimeve të Gërdecit, mund ta verë në pozitë të vështirë qeverinë tuaj, Z. Berisha. Sot, Kosta Trebicka, një qytetar i mirë i Shqipërisë, që denoncoi një krim të qeverisë suaj, me pasojë vdekjen e 26 njerëzve për qëllime fitimi, u gjet i vdekur, në rrethana misterioze.

Unë prita disa orë, që këtë fjalë timen ta mbanit ju zoti Kryeministër, sepse është në radhë të parë e juaja detyra për të mbështetur fuqimisht prokuroren e përgjithshme dhe prokurorinë, që ta zbardhë një orë e më parë këtë vdekje kaq tronditëse dhe t'i përfundojë hetimet e Gërdecit, pavarësisht se ato mund t'ju venë edhe vetë juve në pozitë të vështirë.

Jo vetëm ju heshtët, po as zyra juaj nuk nxori të paktën një mesazh ngushëllimi për familjen e një qytetari kurajoz të këtij vendi që e qeverisni, i cili bëri atë që ju kërkoni qytetarëve të këtij vendi. Denoncoi korrupsionin e qeverisë juaj dhe jo një nga aferat që dëgjojmë përditë, por një aferë të aferave, ku dhe emri juaj dëgjohet sa herë që ajo përflitet, në çdo qytetet, në çdo fshat, në çdo kafene, në çdo spital, në çdo shtëpi, kudo ku ka shqiptarë që flasin për këtë peshë të rëndë, që të gjithë së bashku, shqiptarë e shqiptare në Shqipëri e jashtë Shqipërisë, kemi pësuar.

Kambanat e vdekjes, zoti Kryeministër, bien që t'i dëgjojnë të gjallët dhe kjo kambanë që nisi të binte me forcë, pasi vullkani i korrupsionit shpërtheu në Gërdec vazhdon të bjer për ju, zoti Berisha!

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›