E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ambasada Amerikane dërgon ekspertin në Korçë

Hetuesit amerikanë bëhen zyrtarisht pjesë e hetimeve. Tashmë amerikanët kanë të drejtë të hetojnë paralelisht

Tiranë - Një grup i dytë ekspertësh ka mbërritur dje në mesditë në Korçë, për të hetuar mbi vdekjen e Kosta Trebickës. Grupi po heton rreth sendeve personale të Kosta Trebickës, biznesmenit shqiptaro-amerikan që u gjet i vdekur dje, rreth 35 metra larg makinës së tij. Hetuesit kanë inspektuar dhomën e hotelit ku Trebicka kishte rezervuar vetëm për një natë. Hoteli ndodhet në Voskopojë. Po kështu janë marrë në pyetje edhe fshatarë të zonës, të cilët kanë dëshmuar se aksidenti mund të ketë ndodhur rreth orës 14:20 të së premtes. Në grupin e dytë të amerikanëve ka qenë dhe një ekspert kriminalistik. Eksperti amerikan është takuar me drejtorin e Krimeve të Rënda, Tonin Voci, me të cilin bisedoi rreth të dhënave për vdekjen e Kosta Trebickës. Trupi i pajetë i Trebickës ndodhej deri pasdite në morgun e qytetit të Korçës, ku janë duke iu bërë ekzaminime të mëtejshme nga ekspertët mjeko-ligjorë.
Diplomatët
Ambasada Amerikane në Tiranë ka garantuar se do të ofrojë të gjithë ndihmën e nevojshme për interes të hetimit të kësaj ngjarjeje. Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Shqipëri i shprehu dje ngushëllimet familjes së biznesmenit Kosta Trebickës për humbjen e njeriut të tyre të afërt. Zyra e shtypit pranë Ambasadës së SHBA-ve në Tiranë konfirmoi se lidhur me vdekjen e biznesmenit, Ambasadës Amerikane i është kërkuar ndihmë nga Prokuroria e Përgjithshme dhe agjenci të tjera qeveritare.
Ndihma
"Ambasada Amerikane në Tiranë do të ofrojë të gjithë ndihmën e nevojshme", - garantoi Ambasada Amerikane në Shqipëri nëpërmjet një prononcimi të zyrës së saj të shtypit. Biznesmeni Kosta Trebicka u gjet i vdekur dje pasdite në vendin e quajtur Kullat e Gjergjevicës, 6 km larg fshatit Gjergjevicë dhe 3 km larg pikës turistike të Voskopojës. Nga hetimet e para u fol se vdekja ka ardhur si pasojë e një aksidenti automobilistik. Por, ekspertë të tjerë kanë shkuar në vendin e ngjarjes dhe po hetojnë për të dytën herë për shkaqet e vdekjes së biznesmenit.

15 Shtator 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›