Berisha shantazhon Ramën: Me ty do të merremi pak më vonë
Kryeministri Sali Berisha, nëpërmjet zëdhënësit të Partisë Demokratike, ka shantazhuar dje kryetarin e Partisë Socialiste, Edi Rama. Në një deklaratë për shtyp, e cila i ka kushtuar vetëm disa rreshta vdekjes tragjike të dëshmitarit kyç për tragjedinë e Gërdecit, Berisha ka komentuar daljen publike të Ramës vetëm një ditë më parë. Në këtë deklaratë kryeministri Berisha ka drejtuar akuza për kreun e PS-së, në një kohë kur i akuzuari në mënyrë indirekte nga aksidenti automobilistik i Kosta Trebickës është vetë ai. “Dje qytetarët u përballën me histerinë primitive të njeriut që i dridhej zëri dhe trupi para kamerave tek lëshonte akuzat monstruoze për vdekjen e Kosta Trebickës, pa pritur as edhe një rezultat të hetimit, madje pa pritur as edhe identifikimin e kufomës nga familjarët e tij. Ata panë në ekranet e mediave shëmtinë morale të drejtuesit të opozitës, të zhveshur nga gjethet e specat e politikës së re, tek brohoriste njëlloj si në mars të këtij viti ‘rroftë vdekja, poshtë qeveria!’ për arsye që në të ardhmen do të bëhen publike”, - është shprehur dje Gerti Bogdani në emër të Sali Berishës. Ndërkohë që në të kaluarën kryetari i Partisë Demokratike ishte i pari që dilte publikisht për të bërë akuzën, madje dhe për të dhënë vendimin për një ngjarje të caktuar, pa pritur jo hetimin paraprak të organit të akuzës, por pa pritur dhe verifikimin zyrtar nga Policia. Megjithatë, kryeministri Berisha, sipas deklaratës së PD-së, ka urdhëruar Ministrinë e Brendshme të angazhojë ekspertët e saj më të mirë, dhe në rast nevoje të kontribuojë edhe me ekspertë të huaj, për të hetuar në mënyrën më të plotë, profesionale e transparente, rrethanat dhe shkaqet e kësaj ngjarjeje, si dhe për t’i bërë ato publike.
PS: Berisha të mos heshtë ndaj vdekjes së Trebickës
Partia Socialiste denoncon heshtjen e kryeministrit Berisha ndaj vdekjes së dëshmitarit kryesor të trafikut të armëve dhe çështjes së Gërdecit, Kosta Trebicka. Kryetari i Asamblesë Kombëtare të Partisë Socialiste, Gramoz Ruçi, tha se dëshmia publike e qytetarit të mirë, Kosta Trebicka, cenoi drejtpërdrejtë qeverinë e Sali Berishës, për këtë arsye kjo qeveri ia ka borxh publikut të gjerë sqarimin e rrethanave të vdekjes së tij.
“Sali Berisha duhet të sqarojë shqiptarët e jo të heshtë. Heshtja e vendos atë automatikisht në konflikt interesi më të gjithë këto ngjarje të rënda për Shqiptarët”, - u shpreh Ruçi.
“Mjaft”-i: Trebicka sfidoi krimin
Lëvizja “Mjaft” reagoi pas vdekjes tragjike të Kosta Trebickës, dëshmitarit kryesor që pati kurajën të denonconte publikisht skandalin më të tmerrshëm të kësaj dekade, duke bërë lidhjen ndërmjet tragjedisë së Gërdecit, trafikut ndërkombëtar të armëve dhe zyrtarëve më të lartë të shtetit. Elisa Spiropali tha se tani, me vdekjen e një dëshmitari thelbësor si Trebicka, tragjedia e Gërdecit ka më pak mundësi për t’u zbardhur dhe fajtorët më shumë mundësi për të dalë të pandëshkuar. “Në emër të të gjithë aktivistëve të Mjaft-it ne i shprehim ngushëllimet më të sinqerta familjes së të ndjerit, i cili ishte një njeri i lirë, që sfidoi krimin”, - përfundoi Spiropali.
G99-a: Shteti nuk e mbrojti dëshmitarin Trebicka
Lëvizja “G99” e cilëson dështim total të shtetit faktin që nuk arriti të mbronte dëshmitarin kryesor të tij për tragjedinë e rëndë të Gërdecit. Erion Veliaj deklaroi se pret zbardhjen e plotë të rrethanave të vdekjes së Trebickës. “Shqipëria nuk është Rusia dhe nuk do të lejojmë nëpërkëmbjen nga pushteti i frikës”, - tha Veliaj. Vdekja e Kosta Trebickës është cilësuar nga Veliaj si një ngjarje tepër e rëndë, e cila i shton frikën të gjithë shqiptarëve të cilët duan të thonë të vërtetën dhe të denoncojnë korrupsionin.
PDS: Berisha të japë dorëheqjen
Kreu i PDS-së, Paskal Milo, reagoi për vdekjen në mënyrë misterioze të dëshmitarit të aferave të Gërdecit. Sipas tij, vdekja e Kosta Trebickës është një vrasje e denjë për stilin e Kamorras. “Është momenti që qeveria të japë dorëheqjen. Është vrarë njeriu që dinte gjithçka për Gërdecin, ai që dinte lidhjet e Berishës me Gërdecin, prandaj Prokuroria nuk duhet të tërhiqet për të zbuluar të vërtetën”, - tha Milo. PDS-ja kërkon nga grupi i ekspertëve të hetimit të zbardhin të vërtetën e vdekjes së Trebickës, duke dyshuar në rrethanat e aksidentit.
15 Shtator 2008