Shqipëria në rrezik

Ekonomia shqiptare po përjeton momentet e saj më të vështira në 18 vitet e tranzicionit të saj. Kjo si pasojë e shumë faktorëve, ku ndër më të rëndësishmit renditet ai i të ardhurave nga emigracioni. Shqetësimi i cili në dukje është i vogël, përbën rolin kryesor në ecurinë e mëtejshme të ekonomisë së vendit. Banka e Shqipërisë (BSH) e evidentoi këtë dukuri në muajt e parë të këtij viti, fenomen ky i cili u shfaq për herë të parë në vendin tonë. Të dhënat e fundit të Institucionit Mbikëqyrës Bankar (IMB) të BSH-së, thonë se gjatë pjesës së parë të vitit 2008 të ardhurat nga emigrantët kapën vlerën e 435 milionë eurove, duke shënuar në këtë mënyrë një rënie prej 7.3 për qindësh, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Ekspertët shpjeguan gjithashtu, se kjo tendencë mund të ketë lidhje me investimet që po kryejnë emigrantët shqiptarë në vendet e huaja, ku aktualisht ata punojnë dhe jetojnë. Të njëjtat burime flasin për pakësim të të ardhurave nga emigrantët ndër vite, duke u kthyer kështu në një shqetësim të madh jo vetëm për familjet e tyre, të cilët këto dërgesa i kanë burimin e vetëm financiar, por edhe për ekonominë e vendit. Sipas BSH-së, rezulton se rreth 26 për qind e familjeve në territorin e Republikës së Shqipërisë përfitojnë prurje valutore në formën e dërgesave nga emigrantët. Ky është një tjetër fakt i hidhur për vendin tonë, i cili dëshmon më së miri se niveli i papunësisë në vend është tepër i lartë. Sipas BSH-së, më të prekur nga ky fenomen janë banorët e zonave rurale. Shpërndarja gjeografike e familjeve tregon se 59 për qind e tyre jetojnë në zonën rurale dhe diferenca në zonën urbane është respektivisht rreth 66 për qind - 34 për qind të totalit të dërgesave nga emigrantët. Të njëjta të dhëna bankare konfirmojnë se një situatë e tillë do të sjellë pasojat e saj edhe në ekonominë e vendit, pasi nëpërmjet të ardhurave të tyre financohet pjesa më e madhe e deficitit tregtar, një tregues që aktualisht ka arritur nivele alarmante, duke kapur shifrën 25.6 miliardë lekë. Sipas studimit, me të ardhurat e emigrantëve janë financuar rreth 39.2 për qind e deficitit tregtar, që do të thotë me rreth 50 për qind që mbulonin gjatë së njëjtës periudhë të vitit të kaluar. Ndërkohë, po me të ardhurat e emigrantëve jetojnë mbi 189 mijë familje, ose ndryshe 26 për qind e totalit të familjeve në vendin tonë. Ekspertët e ekonomisë i kanë sugjeruar ndërkohë qeverisë, që të gjejë burime të tjera financimi për të mbuluar shpenzimet dhe deficitin tregtar, i cili shpejt do të pësojë një rënie.