Dështon OSSH-ja

Rikthehen ndërprerjet e energjisë elektrike. Operatori i Sistemit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike (ish- Korporata Elektro-Energjetike Shqiptare) ka dështuar sërish në arkëtimin e faturave të energjisë. Për të realizuar planin e punës, i cili mbetet problematik, OSSH-ja ka vendosur që të ndjekë të njëjtin hap si KESH-i, duke bërë ndërprerjen e lidhjeve energjetike tek të gjithë ata debitorë që nuk i përgjigjen urdhrit për të paguar energjinë e harxhuar. Operatori i Sistemit të Shpërndarjes ka nisur nga puna për të përmirësuar situatën financiare, duke u përqendruar tek çështja e arkëtimeve, që me gjithë nivelin në rritje vazhdon të mbetet problematike. Ndërprerjet e energjisë elektrike për debitorët vazhdojnë të jenë intensive në zonën e Durrësit, qytet ky në të cilin po vërehet niveli i ulët i arkëtimeve. Pavarësisht kësaj, OSSH-ja është e mendimit që jo vetëm në Durrës, por edhe në Tiranë puna duhet të përqendrohet edhe në investime, pasi drejtuesit e saj thonë se investimet në rritje kanë efekt kryesor në nivelet e arkëtimeve dhe të humbjeve. Sipas drejtorit të OSSH-së së Tiranës, Sulejman Lami, niveli i treguesve të humbjeve ka qenë tepër i lartë. Drejtuesit e OSSH-së së Tiranës, e cila njëkohësisht mbulon edhe 33 për qind të konsumit në nevojë, janë të mendimit se shembulli më i mirë për këtë janë zonat informale. “Niveli i treguesve të humbjeve ka qenë tepër i lartë, duke filluar nga 35 për qind deri në 55 për qind, por me investimet e kryera deri më tani, niveli i arkëtimeve është ulur deri në 25 për qind. Kemi një tregues tepër pozitiv të arkëtimeve në këto zona”, thotë Lami. Nga 1 për qind deri në 40 për qind që ka qenë treguesi arkëtimeve në këto zona, ku tashmë ai është mbi 75 për qind, pra që do të thotë se ka një sensibilizim tepër të madh të qytetarëve të cilët janë debitorë ndaj OSSH-së. E njëjta situatë paraqitet edhe në zona të tjera të vendit, si p.sh. në Fier dhe Shkodër. Në qytetin e Fierit problematikë mbeten bizneset. Sipas drejtorit të kësaj dege, subjektet private mbeten debitorët më të mëdhenj të OSSH-së. Arkëtimet aktuale në këtë zonë flasin për shifra të cilat nuk i kalojnë 85 për qind të arkëtimit, ndërkohë që duke u krahasuar me një vit më parë, ato konsiderohen tepër të ulëta. Drejtori i OSSH-së në qytetin e Fierit nuk i kursen kritikat ndaj punonjësve të tij, duke theksuar se, “ne mendojmë që problemi kryesor qëndron tek punonjësit tanë, të cilët nuk tregojnë respekt ndaj detyrës së tyre”. Ndryshe nga Fieri, situata në qytetin e Shkodrës vështirësohet tek debitorët e zonave rurale. I njohur si qyteti me pagesën më të ulët të faturave të KESH-it, Shkodra tashmë e ka kaluar fazën e një qyteti problematik. Për drejtorin e kësaj zone, sfida mbetet tek arkëtimet në fshat. Pak ditë më parë, drejtori i përgjithshëm i OSSH-së, Sait Dollapi, deklaroi se 20 shtatori është afati i fundit i pagesës pa kamatëvonesë për faturat e prapambetura të energjisë së konsumuar gjatë këtij viti.