E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ambasada Shqiptare, e para që do të hapet në Prishtinë

Berisha do të mbledhë sot qeverinë për të ngritur Ambasadën. Vetëm pak minuta nga njohja zyrtare e SHBA-ve, reagon Tirana zyrtare
Erald Kapri

Shqipëria njeh zyrtarisht Kosovën. Kryeministri Sali Berisha ka dalë pasditen e djeshme në një konferencë rreth orës 18:30, ku ka shprehur edhe qëndrimin e Tiranës zyrtare. Pak minuta pas deklaratës zyrtare të Departamentit të Shtetit, ku sekretarja amerikane, Condoleezza Rice njohu Pavarësinë e Kosovës, Berisha doli para gazetarëve, ku unifikoi qëndrimin e Shqipërisë me SHBA-të dhe dha një lajm të ri. “Duke u bazuar në Deklaratën e Kuvendit të Shqipërisë, datë 21 tetor 1991, në mbështetje të vendimit të Kuvendit të Kosovës të datës 17 Shkurt 2008 për Shpalljen e Pavarësisë, bazuar në të drejtën e popujve për vetëvendosje, nisur nga parimi i marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë, nesër do të thërras mbledhjen e Këshillit të Ministrave për të vendosur ngritjen e marrëdhënieve diplomatike midis Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Kosovës në rang ambasadorësh”, - tha Berisha. Kryeministri bëri të ditur se niveli diplomatik do të ketë rangun e një ambasade, çka nënkupton që vendi ynë do të jetë i pari në Prishtinë me rezidencë ambasade me në krye një ambasador që duhet të kalojë nga Kuvendi. Ashtu siç u premtua, Tirana zyrtare e njohu pavarësinë e Kosovës në mënyrë të koordinuar nga Bashkimi Europian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Kryeministri Sali Berisha bëri të ditur ditën e djeshme, gjatë mbledhjes së Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, se njohja do të jetë e bashkërenduar me aleatët Perëndimore. Shqipëria duket se zgjodhi të ruajë një pozicion me nuanca të qeta, pa shkaktuar ndonjë problem apo incident që mund të përdoret.
Politika shqiptare
Çdo aktor politik shqiptar ka qenë unik në deklaratat përshëndetëse për pavarësinë e Kosovës. Lideri Socialist Edi Rama u shpreh se Dita e Pavarësisë së Kosovës është një ditë e veçantë për Europën e lirë dhe demokratike. “Është dita e një triumfi mbi të shkuarën e dhimbshme ballkanike jo mbi Serbinë, tek e cila ne të gjithë shohim fqinjin dhe partnerin e domosdoshëm në rrugën e një zhvillimi rajonal në interes të të gjithë popujve të Ballkanit. Pavarësia e Kosovës duhet të na vlejë të gjithëve si gjeneratori i një energjie të re pozitive, ndërtuese e integruese, në një rajon që të ardhmen e tij e ka në familjen e madhe të popujve të lirë të Europës së Bashkuar”, - tha Rama. Ndërkohë, edhe kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, shprehu solidaritetin e tij me gjithë kombin shqiptar. “Pavarësia e Kosovës është kurorëzim i aspiratës shekullore të popullit shqiptar për liri e vetëvendosje. Ajo është monumenti më i çmuar i martirëve të rënë dhe i gjakut të derdhur, i sakrificave të jashtëzakonshme, që motivohen vetëm nga një vlerë e patjetërsueshme njerëzore, liria”, - tha Meta.
Festa
Kryeministri u shpreh se festa e djeshme nuk mund të ishte një festë vetëm mes Kosovës dhe Shqipërisë, por një festë e madhe mes Kosovës dhe të gjithë miqve të saj dhe të Shqipërisë. “Gazetarët me të drejtë kanë shtruar pyetjen legjitime se përse Tirana zyrtare nuk ndodhej atje. Dua të sqaroj se me shpirt dhe me zemër, Tirana zyrtare, Shqipëria zyrtare dhe jozyrtare ka qenë e tëra aty, por asnjë shqiptar nuk do të donte që kjo të ishte një festë vetëm mes Kosovës dhe Shqipërisë. Kjo duhet dhe do të jetë një festë midis Kosovës dhe gjithë miqve të Kosovës dhe Shqipërisë”, - tha Berisha. Ndërkohë, nga politika shqiptare nuk kanë munguar edhe falënderimet për faktorin ndërkombëtar si SHBA-të dhe BE-në. “Dua të përulem me nderimin më të madh para shtetarëve të botës së lirë dhe kombeve të botës së lirë, Kongresit të Senatit amerikan, qeverisë së Shteteve të Bashkuara dhe presidentit Klinton, që udhëhoqi luftën dhe NATO-n për çlirimin e tyre, Aleancës së Atlantikut të Veriut, presidentit Bush, i cili nga Tirana dha kushtrimin “Tani është koha”, Britanisë së Madhe, Francës, Italisë, Gjermanisë dhe të gjithë vendeve mike. Ky ka qenë një problem shumë i vështirë, por qëndruam në anën e drejtë”, - tha kryeministri. Politika nuk ka harruar as të përkujtojnë jetët e rëna në kauzën shqiptare. “Jetët e tyre, të dhuruara për Kosovën e lirë e të pavarur, janë gurët e themelit ku lindi sot shteti i ri europian i Kosovës dhe një borxh që duhet ta ndiejë si detyrim të vetin çdo shqiptare e shqiptar në rrugën e ndërtimit të së ardhmes europiane të popullit tonë”, - është shprehur kryetari i PS-së, Rama.

19 Shkurt 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›