Trajtimi i të burgosurve, diskutohen ndryshimet ligjore
Komisioni Parlamentar i Ligjeve nisi ditën e djeshme diskutimet për projektligjin në lidhje me trajtimin e të burgosurve. Sipas përfaqësuesve të Ekzekutivit, ky projektligj do të rrisë standardet dhe do të përmirësojë imazhin për burgjet shqiptare. “Projektligji synon të përmirësojë kushtet e të dënuarve dhe konceptimin e shërbimit të provës, që do të thotë se të dënuarit nuk janë qenie që duhet të rrinë të mbyllur brenda kafazeve të qelive, por duhet të integrohen dhe të riaftësohen profesionalisht dhe psikologjikisht për t'u përshtatur në shoqëri. Ky ligj krijon strukturat përkatëse dhe shërbimet administrative, që janë të njohura kudo në sistemin e trajtimeve të të dënuarve në Europë”, - tha ministri i Drejtësisë Enkelejd Alibeaj. Projektligji është hartuar duke mbajtur parasysh vetëm privimin e atyre të drejtave që nuk mund të ushtrohen nga të dënuarit, për shkak të dënimit me burgim, duke çliruar dispozitat e ligjit në fuqi nga ndërlikimet e shumta, të cilat ulin efikasitetin e zbatimit të tij në praktikë, në përputhje të plotë me standardet europiane për të drejtat e njeriut për personat që mbahen në burg. Ky projektligj parashikon procedura të sakta dhe të shpejta për të drejtat dhe trajtimin e të dënuarve, bazuar mbi të drejtat themelore të njeriut.
19 Shkurt 2008