E Diel, 1 Nëntor 2026

Ekonomia kosovare sot, problemet me ndërkombëtarët

Një tjetër problem mbetet edhe paqartësia e ndërkombëtarëve në këtë çështje. Zyrtarët në Prishtinë të Fondit Monetar Ndërkombëtar kanë deklaruar se në vitin 2007, Kosova do të ballafaqohet me një vit shumë të vështirë ekonomik. Ata thonë se në vështirësimin e gjendjes do të ndikojë shumë edhe largimi i administratës ndërkombëtare nga Kosova, organizatë kjo cila për një vit shpenzon të paktën 200 milionë euro. Në raportin e fundit të FMN-së thuhet se institucionet e Kosovës nuk do të kenë rezerva buxhetore për të mbuluar deficitin buxhetor. Deficiti në vitin 2007 parashihet të jetë 70 milionë euro, ashtu sikur edhe në vitin 2006, ndërsa për të mbuluar këtë gjendje suficiti i mbetur nga vitet e mëparshme do të shpenzohet në tërësi. Marc Aboin është përfaqësuesi i Fondit Monetar Ndërkombëtar në Kosovë. “Viti i ardhshëm do të jetë një vit i vështirë, donatorët kanë premtuar se do të ndihmojnë financimin e deficitit buxhetor për vitin e ardhshëm dhe për vitet e tjera, mirëpo kjo ka koston e vet, që është përcaktimi i politikave më të mira dhe përdorimi më i mirë i financave publike. Posaçërisht, duke marrë parasysh sfidat e reja pas statusit dhe kostot që rrjedhin nga zgjidhja e statusit”, - është shprehur për mediat Marc Aboin. Institucionet e Kosovës kanë paraparë që buxheti për vitin 2007 të jetë 630 milionë euro, ndërsa donatorët nga Bashkimi Europian kanë premtuar se do të dhurojnë për buxhetin e Kosovës edhe 55 milionë euro. Mirëpo zyrtarët e FMN-së thonë se do të jetë shumë e vështirë për institucionet, që me këtë buxhet të mbulojnë të gjitha shpenzimet. “Buxheti në tërësi prej 690 milionë eurosh do të jetë vështirë të arrihet, për shkak të sfidave të pas statusit. Me transferimin e kompetencave si në privatizim, auditor gjeneral dhe fusha të tjera, do të rriten edhe shpenzimet për institucionet e Kosovës. Problemi tjetër i madh do të jetë borxhi i trashëguar. Nuk dihet akoma sa i madh është borxhi i Kosovës, por dihet se bashkësia ndërkombëtare pret që Kosova ta paguajë borxhin e vet dhe kjo është pjesë e bisedimeve mes Kosovës dhe Serbisë”, - është shprehur Marc Aboin, zyrtar i FMN-së. Ai u rekomandon institucioneve të Kosovës që të ulin deri në maksimum shpenzimet e parave publike. Një nga to është ulja për 10 për qind e të punësuarve në sektorin publik, rishikimi i skemës sociale dhe asaj pensionale, si dhe ulja e shpenzimeve të zyrtarëve të qeverisë. Sipas tij, qeveria duhet të shfrytëzojë me efikasitet çdo euro të grumbulluar dhe kjo nënkupton më pak vetura luksoze më pak telefona dhe po ashtu më pak të punësuar në sektorin publik. Dhe duke marrë parasysh rrethanat që po zhvillohen në Kosovë, zyrtarët e FMN-së përjashtojnë mundësinë e rritjes së të hyrave për vitin 2007, për faktin që bazuar nga vitet e shkuara është parë se buxheti i Kosovës nuk mund të grumbullojë më shumë se mbi 600 milionë euro.

19 Shkurt 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›