Ambasada amerikane: Protesta e opozitës mund të degjenerojë në dhunë
18/02/2011 Ambasada amerikane në Tiranë paralajmëron qytetarët e saj që të kufizojnë lëvizjet ditën e sotme në Tiranë, përgjatë kohës që do të zhvillohet protesta e opozitës. Në deklaratën e saj, ambasada kujton se protesta mund të degjenerojë në dhunë, duke sjellë nëpër mend protestën e 21 janarit. “Demonstratat e kaluara kanë prekur të gjitha arteriet kryesore hyrëse të qytetit të Tiranës dhe kanë ndërprerë në mënyrë të konsiderueshme rrjedhën e trafikut. Në Tiranë, demonstrata shpesh janë zhvilluar te qendra, rreth Parlamentit, zyrës së Kryeministrit dhe bulevardit ‘Dëshmorët e Kombit’. Por këtë radhë nuk ka një vend të caktuar për mbledhjen e demonstruesve. Ka disa tregues se demonstrimi i planifikuar për më 18 shkurt mund të zgjasë për disa ditë. Edhe pse të mëdha dhe paqësore që kanë qenë demonstratat e viteve të fundit në Tiranë, demonstrata e 21 janarit e këtij viti ishte e dhunshme dhe rezultoi në vdekjen e katër personave dhe me lëndime të shumë të tjerëve, duke përfshirë Policinë e Shtetit shqiptar. Ne i njoftojmë qytetarët e SHBA se edhe demonstratat që janë njoftuar si paqësore të mund të kthehen në dhunë dhe të paparashikueshme. Ju duhet t’i shmangni ato, nëse është e mundshme”, thuhet në deklaratën zyrtare të ambasadës amerikane.