E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dule kundër Spahiut: E përdor çështjen për qëllime personale

18/02/2011  Ndryshimi i kombësisë

Kryetari i Partisë Bashkimi për të Drejtat e Njeriut, Vangjel Dule, reagoi dje lidhur me deklaratat e nënkryetarit të Këshillit të Lartë të Drejtësisë, Kreshnik Spahiu, lidhur me ndryshimin e kombësisë. Sipas tij, thirrjet e Spahiut janë antikushtetuese. “Spahiu po e përdor çështjen e ndryshimit të kombësisë si një fushatë për qëllime personale”, vuri në dukje Dule gjatë një konference për shtyp. Për këtë arsye, gjatë fjalës së tij, kreu i PBDNJ-së kërkoi ndërhyrjen e kreut të shtetit, Bamir Topi. Madje, në këtë pikë Dule i bëri thirrje presidentit Topi që t’u japë fund sulmeve që, sipas tij, po i bëhen minoritetit grek. Nënkryetari i KLD-së, Kreshnik Spahiu, është angazhuar së fundi në një fushatë sensibilizuese kundër ndryshimit të kombësisë së shtetasve shqiptarë. Gjithashtu ai është një nga zyrtarët e parë që ka dhënë alarmin se shumë qytetarë në jug të vendit janë përfshirë në një proces për ndryshimin e kombësisë nga shqiptare në atë greke në mënyrë të parregullt, si pasojë e joshjeve të shtetit grek. Nënkryetari i KLD-së, Spahiu, ka deklaruar dje se regjistrimi i popullsisë mbi baza etnike dhe fetare kërkon patjetër rregullim kushtetues. Sipas tij, regjistrimi në fjalë nuk lejohet të bëhet mbi bazën ligjore aktuale. Deklarata është bërë dje në një takim me gjyqtarë dhe avokatë të qytetit të Vlorës. Zyrtari i KLD-së theksoi se duhet të zbatohet konventa ndërkombëtare për ndryshimin e kombësisë. “Vlora ka refuzuar ndryshimin e kombësisë dhe ju kështu keni mbrojtur kombin dhe Kushtetutën e vendit”, është shprehur Spahiu gjatë fjalës së tij. Qeveria ka në projekt formularin e ri të regjistrimit të popullsisë me seksione të posaçme për vetëdeklarimin e kombësisë dhe përkatësisë fetare nga qytetarët.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›