Policia mësyn gazetën “TemA”, lë jashtë gazetarët
Dje duhej të ishte një ditë e zakonshme pune në redaksinë e gazetës “TemA”, pasi askush s’e mendonte se shteti do të tregonte dhëmbët ndaj një grushti gazetarësh dhe redaktorësh. Askush prej gazetarëve s’kishte pasur të bënte ndonjëherë me policinë, e kishim parë si një mekanizëm shtetëror, garant të qetësisë dhe rendit publik, garant të fjalës së lirë, por kurrsesi si një instrument hakmarrjeje politike dhe shantazhi kundër një gazete, e cila, as më shumë e as më pak, s’ka bërë gjë tjetër vetëm misionin e saj...
Lajmërimi
15.30
Duhej të ishte ora rreth 15.30 e pasdites, kur në celularët e gazetarëve mbërrin një mesazh, nga kryeredaktori i gazetës “Policët janë në redaksi”. Prej më se dy muajsh rronim me shqetësimin se do na nxirrnin jashtë ambienteve të redaksisë, por në vetvete e mendonim këtë ditë si të largët ose si një lajthitje të kryeministrit, e cila do davaritej me kalimin e kohës. Por jo. I pari kishte mbërritur kryeredaktori i gazetës dhe, me sa duket, policët e shërbimit, ende të paqartë, e kishin parë teksa futej, pa e ndaluar. Rezistencën e parë do e haste redaktori i ekonomisë, i cili i habitur po shihte se si dy njerëz me uniformë po e ndalonin të shkonte në vendin e tij të punës. Gjithsesi, dhe ky arriti të hynte në ambientet e redaksisë. Por policët, për asnjë moment nuk sqaronin se a kishin një urdhër të shkruar për këtë veprim, kush i kishte dërguar, kush ishte shefi i tyre. Situata do të acarohej dhe më shumë me mbërritjen e gazetarëve të tjerë. Policët u lajmëruan në radio që mos linin më asnjë të hynte, pas hyrjes dhe të dy gazetarëve të tjerë. Që nga ky moment askush nuk lejohej të hynte. Nga brenda dëgjonim se si korrektorja e gazetës, prej dy orësh debatonte në mes të shiut me policët, të cilëve iu kërkonte ndonjë urdhër me shkrim të ndonjë titullari të Policisë së Shtetit, por policët përsërisnin pareshtur se kishin urdhër të mos lejonin të hynte njeri në ambientet e redaksisë. Njëri prej tyre, me dialekt verior, gjente kohën dhe të bënte shaka pa vend me korrektoren, së cilës shiu dhe i ftohti i kishte hyrë në palcë. Ndërkohë kishin filluar të vinin dhe kamerat e para. “Vizion +” dhe TV “Ora Neës” u kthyen disa herë mbrapsht nga policia, e cila nuk i lejonte të filmonin.
Shtohen forcat e policisë
Ora 16.30
Brenda duhej të ishim vetëm katër ose pesë persona. Jashtë xhamave pamë se si forcat e policisë u shtuan. Një furgon policie sjell dhe katër apo pesë policë të tjerë me uniformë, si dhe tre të tjerë civilë që komunikonin pa pushim nëpërmjet radios. Situata po rëndohej, jashtë kishin mbetur gazetarët e tjerë, të cilët kërkonin të hynin brenda, ndërsa këta që ishin brenda nuk guxonin të dilnin...
Hapet dera e redaksisë dhe dy punonjës policie civilë kërkojnë takim me kryeredaktorin. Gjatë bisedës me të, dy punonjësit e policisë po rrekeshin t’i shpjegonin këtij të fundit, se për çështje sigurie ne duhej të dilnim jashtë ambienteve të redaksisë, dhe se për këtë kishte një vendim qeverie, si dhe një urdhër të Ministrisë së Brendshme për të liruar ambientet. Kryeredaktori vetëm u tha që për çështjen e gazetës ka një vendim gjykate që nuk lejon asnjë veprim të tyre dhe i pyeti nëse i merrnin parasysh vendimet e gjykatës.
Lajmi
18.30
Më në fund pas një debati me drejtorin e gazetës, Mero Baze, i cili nuk lejohet që të hyjë në redaksi gjithashtu, arrijnë të futen brenda dhe pjesa tjetër e gazetës. Deri në atë moment nuk dinim ç’të bënim, ishin momente tensioni. Ishte tepër e vështirë të shihje në redaksinë e gazetës policë me uniforma, të cilët ruanin gazetarët si të ishin kriminelë në kërkim. E ku mund të ndodhë tjetër kjo....?!
Ndërkohë, disa televizione kishin filluar të jepnin lajmin me titra në ekran dhe celularët nuk reshtnin së rëni. Të gjithë kërkonin shpjegime dhe të gjithë solidarizoheshin me ne kundër asaj që po ndodhte. Të gjithë dënonin brutalitetin e një shteti, i cili dështimet e tij, korrupsionin dhe skandalet ia faturon denoncimit që i bën media.
Tërheqja
19.00
Zyrtarët e policisë komunikuan me drejtorin e gazetës dhe i bënë të ditur se nesër do jetë afati i fundit për largimin. Baze u bëri të ditur se që më datë 6 janar ka një vendim gjykate që pezullon çdo veprim të tyre për prishjen e njëanshme të kontratës dhe theksoi se nuk do lejohet që policia të sillet si bandite që nuk njeh vendimet e drejtësisë. Një urdhër bëri që policia të tërhiqej dhe më pas në redaksinë gazetës vërshuan të gjitha mediat, disa prej të cilave kishin kohë që prisnin jashtë ambienteve të redaksisë. Ishin aty të gjitha televizionet lokale dhe kombëtare, përveç TVSH dhe TV “Klan”, të cilat tashmë janë pozicionuar hapur në mbështetje të qeverisë. Botuesi i gazetës në fjalën e tij u shpreh se ajo çka ka bërë policia është një akt banditesk, një shkelje e ligjeve të këtij vendi, pasi një vendim gjykate ka hedhur poshtë atë vendim hakmarrës të qeverisë.
Ai kumtoi se ka pasur një reagim të menjëhershëm të ambasadës amerikane në vendin tonë, e cila thekson se për këtë çështje ka vendim gjykate dhe përkrah zgjidhjen në rrugë ligjore të kësaj çështjeje.
Pas 12 vjetësh
Data tetë janar do të shënohet sërish në kalendarin e vështirë të tranzicionit shqiptar, si një datë kur shteti mësyn një media të pavarur, thjesht sepse shkrimet e saj vënë në dukje fenomene, për të cilat kryeministri çirret çdo ditë që po i lufton. Historia u rrotullua sërish. Në vitin 1997, do të digjej gazeta “Koha Jonë”, në prag të ikjes nga pushteti të kryeministrit aktual, ishte shkurt i atij viti, pas 12 vjetësh, pa ngrohur mirë akoma kolltukun qeveritar, të cilin e mori pas tetë vjetësh opozitë, ku përbetohej dhe lotonte për fjalën e lirë, sërish ndërmerret një veprim tjetër ndoshta më i kamufluar se ai i atëhershmi, por me të njëjtin synim, mbylljen e një gazete, e cila thjesht kryen misionin e saj, e cila i sjell shumë e shumë më tepër shërbim kësaj shoqërie se sa servilët dhe sahanlëpirësit që tundin kokën sa herë flet shefi i tyre dhe nga pas e brejnë si minjtë ekonominë e rrënuar të këtij vendi. Kryeministri dhe qeveria e tij mund të nxjerrin një grusht gazetarësh nga redaksia, për gabimin e vetëm se e ndihmuan të vijë në pushtet në vitin 2005, por dhe ai e di se s’mund t’i bëjë të heshtin. Jo në këtë sistem, jo në këtë shoqëri, e cila si gur themeli ka fjalën e lirë. Sot është data nëntë janar, dhe e dimë mirë se ambientet e redaksisë do jenë të uzurpuara sërish, por vetëm ambientet, sepse gazeta “TemA” do dalë sërish, çdo ditë, ashtu sikundër ka dalë në këto dhjetë vjet.
Çdo pushtet është i pafuqishëm për të ndalur një media që thotë të vërtetën.