E Shtunë, 31 Tetor 2026

FMN: Rritja ekonomike në kufijtë e 6 për qind, Berisha fyen mediat: Jeni injorantë

Nga Fitim Zekthi

Fondi Monetar Ndërkombëtar deklaroi dje se rritja ekonomike në vendin tonë për vitin që lamë pas është në kufijtë e gjashtë për qind. Deklarata është bërë nga përfaqësuesja e FMN në Shqipëri, zonja Ann Margaret Westin, në prani të kryeministrit, Sali Berisha, dhe ministrit të Financave, Ridvan Bode. Westin tha se të dhënat për tremujorin nuk reflektojnë rritjen ekonomike për gjithë vitin. Ajo shtoi se FMN ka parashikuar, për shkak të krizës ekonomike botërore, ulje të rritjes ekonomike për vitin që vjen. “Besoj se niseni nga botimi së fundi i parashikimeve tremujore të GDP për vitin 2008 për Shqipërinë. Jemi të gëzuar për nxjerrjen e këtyre treguesve dhe jemi të lumtur që kemi ndihmuar me një ekspert në këtë fushë. Është e qartë se këta tregues tregojnë një rritje ekonomike, deri në fund të tremujorit të tretë, prej rreth 10 për qind. Ka diçka, Prodhimi i Brendshëm Bruto i tremujorit, pra treguesit tremujorë të PBB, mbështeten në disa indikatorë dhe këta indikatorë janë më të ngushtë sesa ata, me të cilët matet rritja vjetore e PBB. Ka një tendencë që treguesit tremujorë të jenë më të luhatshëm.

Gjithashtu, është krejtësisht e natyrshme që, meqenëse është hera e parë që ato publikohen, këto rezultate do të jenë subjekt i rishikimeve. Mënyra se si është matur PBB tremujore, reflekton edhe formalizimin e ekonomisë, pra, kalimin e bizneseve nga sektori informal në atë formal. Por, nëse formalizimi i ekonomisë është një fenomen shumë i mirëpritur, kjo nuk do të thotë domosdoshmërisht rritje ekonomike në vetvete. Për rritjen vjetore të PBB për vitin 2008 mbajmë parashikimin tonë për 6 për qind. Krahas arsyeve të përmendura të mbivlerësimit të rritjes në statistikat tremujore, arsyeja përse ne mbajmë parashikimin për një rritje prej 6 për qind vjetore në vitin 2008, është sepse që në tremujorin e tretë janë parë disa shenja ngadalësimi dhe e dimë të gjithë që kriza botërore ekonomike ka pasur ndikime më të mëdha në tremujorin e fundit të vitit 2008. Kjo duhet të merret parasysh. Sa për t’ju rikujtuar, në nëntor të këtij viti, për shkak të krizës botërore, FMN reduktoi parashikimet për rritjen ekonomike për këtë viti dhe vitin tjetër, për të gjitha vendet e botës”, - tha Westin.

Deklaratat e saj u bënë gjatë nënshkrimit të letrës së mirëkuptimit për miratimin e rishikimit të 6 dhe të fundit të marrëveshjes 3-vjeçare me FMN. Dokumenti u firmos në Kryeministri, nga kryeministri, Sali Berisha, ministri i Financave Ridvan Bode dhe Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullani, në prezencën e Përfaqësueses së Misionit të FMN në Shqipëri, Ann Margaret Westin. Ky dokument do të miratohet nga bordi i FMN në Uashington në fund të janarit, kur përmbyllet programi 3-vjeçar i Shqipërisë me FMN.

Kjo nënkupton që Shqipëria tashmë kalon në një fazë tjetër bashkëpunimi me FMN, nga mbikëqyrja e fortë, në një survejim.

Berisha: Po nënvlerësohet rritja ekonomike, vetëm INSTAT mund të japë parashikime

Kryeministri, Sali Berisha, tha se ka një nënvlerësim të rritjes ekonomike të Shqipërisë. Ai tha se të drejtën e parashikimit të kësaj rritjeje e ka INSTAT. “Ka qenë bindja ime absolute se ka një nënvlerësim të rritjes ekonomike në Shqipëri. Unë kam shumë fakte për të numëruar për sa i përket këtij nënvlerësimi.

Ndaj, duke mirëkuptuar plotësisht parashikimin, mendoj se është në detyrimin e të gjithë faktorëve kombëtarë e ndërkombëtarë, që këtë t’ia atribuojmë Institutit Kombëtar të Statistikave. Kjo sepse është e vërtetë që ka një formalizim të ekonomisë, por është e vërtetë që ka një rritje të bizneseve të reja, me rreth 4 mijë biznese për vitin 2008. Është e vërtetë që ka një formalizim të ekonomisë, por ka rritje të ndjeshme të eksporteve. Është e vërtetë që viti 2008 ndryshon qartësisht nga viti 2007, por ka dy të vërteta të tjera; e para, unë nuk kam qenë dakord as për rritjen ekonomike të vitit 2007 dhe e dyta, viti 2008 ka qenë viti, në të cilin nuk ka munguar energjia elektrike në ndërmarrjet shqiptare”, - tha Berisha.

“Unë pres që Instituti i Statistikave të japë rritjen vjetore ekonomike. Natyrisht, parashikimet janë të pranueshme, sepse për të parashikuar vitin 2009 ose për të përcaktuar buxhetin dhe politikat e vitit të ardhshëm, duhet të bazohesh mbi parashikimin dhe jo të presësh rezultatin vjetor, i cili del nga muaji mars”, - vijoi më tej kryeministri.

Berisha, fyerje mbi mediat: Jeni injorantë

Edhe në konferencën e djeshme, kryeministri Berisha ka rezervuar një seri fyerjesh për median. Duke deklaruar se mediat janë injorante për sa i përket ekonomisë, ai tha se asaj i interesojnë thjesht kundërshtitë. “Problemi juaj si media është ky: Në tërësi njohuritë tuaja për rritjen ekonomike janë zero, për të mos thënë minus, pasi, nëse dikush ju jep stilolaps dhe letër dhe ju thotë që të shkruani treguesit se nga del llogaritja për rritjen ekonomike, ju nuk jeni në gjendje të shkruani as dy prej tyre. Por juve ju interesojnë kundërshtitë ose diversiteti, që është sigurisht një pjesë shumë normale e jetës”, - tha Berisha.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›