E Shtunë, 31 Tetor 2026

KQZ në kolaps, mungojnë drejtorët për zgjedhjet

 

Aristir Lumezi

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve rrezikon të mos jetë i gatshëm për zgjedhjet e qershorit. Aktualisht në KQZ mungojnë disa drejtorë të rëndësishëm për funksionimin e këtij institucioni, ndërkohë që është premtuar se emërimi i anëtarëve të rinj të tij do të bëhet në javët në vazhdim. Ishte kryetari i grupit parlamentar demokrat, Astrit Patozi, i cili gjatë një prononcimi për mediat pak ditë më parë, u shpreh se prioritet i Kuvendit në javët në vazhdim do të jetë kompozimi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. "Rikompozimi i institucionit zgjedhor besoj se do të jetë një çështje, të cilën Parlamenti do ta konsumojë që në seancat e para të tij", u shpreh kryetari i deputetëve demokratë pak ditë më parë. Por nëse Kuvendi do të arrijë të zgjedhë KQZ-në e re brenda muajit janar, ai do t'i rikthehet sërish Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në ditët në vazhdim për të zgjedhur kryetarin e tij. Kjo do të çojë si rrjedhojë nisjen me urgjencë nga puna të KQZ-së në muajin shkurt për të marrë vendime të rëndësishme për administrimin e zgjedhjeve të qershorit. Por aktualisht në këtë institucion ka boshllëqe të mëdha në administratën e tij, punonjës me status të nëpunësit civil. KQZ duhet të hapë konkurs për sekretarin e Përgjithshëm të KQZ-së, posti i të cilit është shumë i rëndësishëm përsa i takon përgatitjes së zgjedhjeve në vend. Sipas procedurave të rekrutimit të nëpunësit civil, konkursi bashkë me afatin e ankimimit shkon në afërsisht tre muaj, duke e çuar KQZ pa sekretar të Përgjithshëm deri në fund të muajit prill. Por në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, mungojnë disa drejtorë mjaft të rëndësishëm për funksionimin normal të institucionit, e veçanërisht në kohë zgjedhjesh. Kështu janë vakante vendet e drejtorit Juridik, drejtorit të Financave, drejtorit të Logjistikës dhe drejtorit të Komisioneve Zgjedhore. Është sekretari i Përgjithshëm i KQZ-së që nis konkurset për marrjen në punë të drejtorëve të institucionit, ku edhe ky proces rrezikon të marrë 2 deri në 3 muaj të tjerë duke na çuar përtej muajit qershor. Ndërkohë, zgjedhjet janë në proces. Por pas emërimit të tyre, drejtorët do të duhet të emërojnë specialistët që do të punojnë menjëherë me përgatitjen e zgjedhjeve, por ndërkohë procesi zgjedhor do të jetë në zhvillim e sipër. Vonesat e miratimit të Kodit Zgjedhor e bëjnë të pamundur, nëse do të ndiqen të gjitha procedurat e rregullta ligjore dhe në afate, funksionimin normal të këtij institucioni për zgjedhjet e qershorit. Ajo që nga specialistë zgjedhorë duket e vështirë për t'u menaxhuar dhe operuar, në këtë moment kohor, është procesi i cili do të kryhet për herë të parë në zgjedhjet në Shqipëri. Pajisja e grupeve të numërimit me kamera dhe projektorë për afishimin e fletëve të votimit do të kërkojë rreth 300 kamera dhe po aq specialistë, të cilët duhet të kujdesen për to për çdo eventualitet. Edhe për këtë pikë të rëndësishme të transparencës së zgjedhjeve, vendimi dhe përgatitja e këtij procesi duhet të merret nga KQZ, ndërsa koha që të sigurohen dhe të trajnohen këta njerëz duket e paarritshme. Vendimet që KQZ do të marrë në funksion të zgjedhjeve deri në muajin qershor, kur ato do të zhvillohen, do të duhet të ketë një administratë të konsoliduar në prapavijë, e cila edhe pse pa qenë e tillë në zgjedhjet e mëparshme, përsëri ka pasur mangësi në punën e saj dhe pse nuk varej tërësisht prej saj. Ndërsa aktualisht me mungesat serioze që ky institucion ka, angazhimi eficient i saj mbetet i dyshimtë. Në detyrë sot janë vetëm tre drejtorë drejtorish të kësaj administrate, siç është Drejtori i Marrëdhënieve me Jashtë, Drejtori i Informatikës dhe Drejtori i Personelit, pesha e të cilëve nuk është dominuese sa i takon përgatitjes së procesit zgjedhor. Por si në të gjitha zgjedhjet e mëparshme, KQZ merr shtesa në personel, me monitorues, ndihmës dhe koordinatorë, për të cilët do të duhet një kohë e caktuar dhe për trajnimin e tyre.

Vendet bosh në KQZ

• Sekretari i Përgjithshëm Afati i përfundimit të konkursit 3 muaj

Sekretari i Përgjithshëm hap konkursin për:
• Drejtori Juridik
• Drejtori i Financave
• Drejtori i Logjistikës
• Drejtori i Komisioneve Zgjedhore
Afati i përfundimit të konkurseve edhe 3 muaj

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›