E Diel, 1 Nëntor 2026

Po vidhen pagat e 606 punonjësve të ARMO-s, vlera 3 mln USD

Nga L.Progni

Partia Socialiste denoncoi dje një vjedhje tjetër që po bëhet në kurriz të ARMO-s nga blerësi i saj i ri. Kësaj radhe bëhet fjalë për mospagesën e 606 punonjësve, të cilëve iu ishte parashikuar paga edhe me vendim të qeverisë. “Denoncoj një tjetër vjedhje të qeverisë Berisha. Kësaj radhe është një vjedhje me përmasa të mëdha ndaj 606 qytetarëve, kryesisht të Ballshit, të cilëve prej 6 muajsh nuk iu jepen 26 milionë lekë të reja ose 3 milionë dollarë. Këta punonjës janë të njohur për të gjithë publikun dhe nga Ministria e Ekonomisë, prej së cilës vareshin deri në qershor, si kosto humane njerëzore apo çnjerëzore e privatizimit të ndërmarrjes shtetërore të tregtimit të naftës, ARMO. Këta janë 606 punëtorë, pjesa më e madhe e të cilëve janë gra kryefamiljare, të pushuara nga puna në qershor të vitit 2008, 4 muaj para privatizimit të kompanisë, nën kriteret fashiste, politike, nën argumentin e përgatitjes së kompanisë për privatizim. Sipas vendimit nr. 261, të datës 27 shkurt 2008, dhe më pas sipas udhëzimit të ministrit të Ekonomisë, nr. 250, të datës 08.04.2008, në daljen e tyre, qeveria dhe Sali Berisha duhet t’iu paguante nga ndërmarrja e paprivatizuar 1 vit pagë për ndërprerje të marrëdhënies së punës dhe së dyti, shpërblim për vjetërsinë e punës së secilit punëtor, sipas Kodit të Punës, që është ende në fuqi në Republikën e Shqipërisë. Nëse për kompaninë tjetër shtetërore “Albpetrol” ky detyrim është miratuar që në korrik 2008, 606 punëtorët e ARMO-s vidhen prej 6 muajsh. Me vendimin 1523, të datës 19.01.2008, edhe ky vendim i nënshkruar nga Sali Berisha, i botuar në Fletoren Zyrtare nr. 179, datë 11 dhjetor 2008, Berisha saktësonte se duhet t’i paguante punonjësve një vlerë prej 262 milionë lekësh. Kjo është edhe vlera e vjedhjes ndaj këtyre 606 punonjësve. Dua të saktësoj, se në këto vendime, 262 milion lekë duhet t’iu paguhen punëtorëve nga likuiditetet e kompanisë shtetërore ARMO, ku ngarkohet Ministria e Ekonomisë për zbatimin e këtij vendimi. Sot, pikëpyetja që shoqëron dyshimin e madh për vjedhjen është: ǒu bënë paratë në arkat e ARMO-s para privatizimit, që iu jepnin punëtorëve?! Natyrisht, vlera e vjedhjes së dytë është edhe më e madhe”, - tha nënkryetari i grupit parlamentar të PS, Erion Braçe. “Nga sa më sipër, ne vërejmë me shqetësim, se qeveria, Ministria e Ekonomisë dhe Sali Berisha, janë në kushtet e moszbatimit të ligjit. Janë në kushtet e mospërmbushjes së detyrës, janë në kushtet e shpërdorimit të detyrës, ku që të tria janë vepra penale. Janë në kushtet e një krimi, sepse po vjedhin 606 punëtorë në vlerën e 3 milionë dollarëve. Sali Berisha vazhdon t’i vjedhë. Grupi parlamentar i Partisë Socialiste do të vazhdojë t’iu japë mbështetje 606 punëtorëve të Ballshit për të marrë të gjitha paratë”, - vijoi më tej ai.

Prej kohësh gazeta “TemA” denoncon skandalin e privatizimit të kompanisë shtetërore ARMO, e cila u mor nga një biznesmen shqiptar, i akuzuar nga kryeministri, Sali Berisha, si kontrabandist nafte.

Ai nuk ka derdhur pará në arkën e shtetit, por synon që duke rrjepur tashmë në mënyrë të paligjshme ARMO-n, të rikthejë lekët.

Të tjera firma që kishin konkurruar për marrjen e ARMO-s, kishin paraqitur oferta të detajuara dhe në lidhje me punonjësit e kësaj kompanie.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›