E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ambasada e SHBA: S‘ka marrëveshje për municionet

Qeveria e Shteteve të Bashkuara të Amerikës i ka dhënë një shuplakë të fortë Tiranës zyrtare, e cila është munduar për ditë me radhë të kanalizojë fajësinë për katastrofën e Gërdecit, si një bashkëpunim shqiptaro-amerikan. Në një deklaratë të sajën, ambasada e Shteteve të Bashkuara të Tiranës thekson qartë edhe një herë se nuk ka asnjë projekt mes Uashingtonit dhe Tiranës për shkatërrimin e municioneve. Në deklaratën e saj, ambasada e SHBA-së thekson se: "Kemi vënë re se disa agjenci lajmesh gabimisht kanë raportuar se në depon ku ndodhen një numër shpërthimesh, më 15 mars ishte në proces një projekt për çmontim të armëve i financuar nga qeveria e SHBA-së. Do të donim të qartësonim se qeveria e SHBA-së nuk e ka ndihmuar Ministrinë e Mbrojtjes për çmontimin e municioneve në këtë bazë magazinimi". Duke shkuar edhe më lart, selia diplomatike e Uashingtonit në Tiranë kërkon dhënien fund të këtij spekulimi, për ta marrë përgjegjësinë ata që e kanë realisht. Në deklaratën e saj, ambasada amerikane thekson më tej: "Megjithëse qeveria e SHBA-së ka bashkëpunuar më parë në mënyrë të suksesshme me Ministrinë e Mbrojtjes për një sërë projektesh shkatërrimi armësh, aktualisht nuk ka projekte të tilla të përbashkëta në Shqipëri. Me sa kuptojmë nga një deklaratë qeveritare e datës 15 mars, qeveria e Shqipërisë kishte kontraktuar me një kompani private amerikane, ‘Southern Ammunition Company, Inc.‘ (SACI) nga Karolina e Jugut, për të ndihmuar për çmontimin e municioneve në këtë depo. Kontrata nuk financohet nga qeveria e SHBA-së", përfundon deklarata zyrtare e SHBA-së. Ndërkaq, ambasada e SHBA-së në Tiranë përcolli "ngushëllimet e sinqerta dhe mbështetjen e saj popullit shqiptar, veçanërisht viktimave, familjeve të tyre dhe atyre që janë prekur drejtpërdrejtë nga tragjedia e së shtunës në Gërdec. Brenda tri orëve nga shpërthimi, ambasada siguroi për Qendrën e Trajtimit të Traumave në Spitalin Ushtarak medikamente me vlerë 1000 dollarë, të blera me fondet e USAID-it. Gjithashtu, ekspertë amerikanë për menaxhimin e krizave pranë Korpusit të Inxhinierëve të Ushtrisë së SHBA-së dhe Flotës Amerikane janë duke u konsultuar nga afër me Qendrën e Menaxhimit të Krizës në Ministrinë e Brendshme.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›