E Shtunë, 31 Tetor 2026

"Ministria e Mbrojtjes mund të shmangte tragjedinë"

Nëse Ministria e Mbrojtjes do të kishte marrë parasysh kapacitetet e veta për të bërë demontimin e municioneve luftarake, tragjedia e Gërdecit do të ishte shmangur. Mes maleve të Skraparit ruhet ende në gjendje të mirë Kombinati i Municioneve në Poliçan. Kombinati, që sot prodhon vetëm fishekë pistolete, plotëson të gjitha kushtet e sigurisë teknike dhe stafin më të kualifikuar në vend, për demontimin e municioneve. Shefi i Repartit të Demontimit të Municioneve në Poliçan, Shahin Shmilli, pohon për gazetën "Shqip" se në këtë Kombinat janë demontuar 1800 bomba, të cilat kanë përmasa dy metra si dhe peshë 600 kg, predha të madhësive të ndryshme, si dhe janë çmontuar topa të kalibrave të ndryshëm e municione të tjera. "Kemi teknikë të përgatitur për të demontuar, e megjithatë rreziku ekziston", thotë Shmilli, i cili e quan të pafalshëm faktin që municionet për demontim janë dërguar në një destinacion tjetër, te njerëz pa përvojë pune dhe për më tepër, pa kushtet minimale të sigurisë teknike. "Ne jemi me përvojë e megjithatë rrezikun e kemi të pranishëm. Çdo ditë këtu lexohet rregullorja dhe kontrollohen kushtet, pasi mund të ketë amortizim të godinës, e cila është totalisht e betonuar dhe me mbyllje hermetike, ku edhe në rast incidenti, nuk përhapet plasja në repartet e tjera. Gjithashtu, procesi i zbërthimit nuk mbaron me demontimin e lëndës plasëse. Baruti, si dhe lëndët që ndodhen brenda materialit të hekurt, merren me kujdes çdo ditë dhe asgjësohen larg territoreve të banuara", shpjegon eksperti. Ai tregon se prej dy vitesh, drejtues të ndërmarrjes kanë paraqitur projekte në Ministrinë e Mbrojtjes për të bërë demontimin e municioneve, por kërkesat e tyre nuk kanë marrë përgjigje. Drejtori Kasëm Mahmutaj thotë se Kombinati disponon të gjitha kushtet për demontimin e municioneve dhe punëtorë të përgatitur për këto procese. "Në rast se do të realizoheshin këto projekte dhe gjithçka do të shkonte në destinacionin e duhur, do të shmangej tragjedia e Gërdecit", thotë ai, ndërsa shton se ndërmarrja është ende në pritje për të kontribuuar në procesin e asgjësimit të municioneve të tepërta. "Presim të bëjmë çdo demontim, duke qenë se kemi punëtorë të cilët janë të kualifikuar. Megjithëse nuk është proces i thjeshtë, duke qenë gjithmonë të vëmendshëm e të përgatitur, arrihen rezultate në këtë kombinat, ku në 40 vjet ka ndodhur vetëm një incident, pa pasoja në jetë njerëzish dhe pa dëme të mëdha", përfundon drejtori Kasëm Mahmutaj.

Përshkrimi

Kombinati i Municioneve Poliçan

Kjo është një ndërmarrje shtetërore, e themeluar në vitin 1962, me qëllim që të përmbushte kërkesat për armatim të Forcave të Armatosura Shqiptare. Në periudhën 1962-1966 u krijua linja e prodhimit për municion 7.62 mm x 39 (Kallashnikov), municion mortaje 82 mm, granata dore ofensive dhe difensive, si edhe mina antinjeri. Në periudhën 1970-1972, në godinën ekzistuese u instalua linja e prodhimit të minave antitank dhe në një godinë të re u vendos linja e fishekzjarrëve 180 mm. Në periudhën 1977-1985 u krye një rikonstruksion i thellë me makineri dhe pajisje të ardhura nga Zvicra dhe Austria, për të mundësuar prodhimin e municionit kalibër 12.7 mm x 99 dhe 14.5 mm x 51, si edhe municion mortaje me kalibër 60, 107 dhe 120 mm. Aktualisht ndërmarrja prodhon municion pistolete të tipit "Makarov" dhe "Parabellum" me kalibër 19 mm. Kompania ka mundësi të mëdha për të prodhuar për popullsinë civile, sidomos prodhime fonderie hekuri dhe çeliku. Kombinati i Poliçanit ka sistem cilësie GOST.

Burimi: www.mod.gov.al

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›