E Diel, 1 Nëntor 2026

Meta: Mediu nuk mjafton, të largohet edhe Kryeministri Berisha

Lëvizja Socialiste për Integrim këmbëngul se skenari që të ikë Mediu dhe të rrijë Saliu është i lexueshëm, por i papranueshëm. Kjo parti e cilëson krejtësisht të pamjaftueshme dorëheqjen e ministrit të Mbrojtjes, Mediu, lidhur me këtë tragjedi të paimagjinueshme. LSI-ja distancohet nga çdo përpjekje dhe bashkëpunim ndërmjet forcave të vjetra politike, me qëllim devijimin e përgjegjësisë, për të realizuar mbylljen e kësaj katastrofe me forma meskine dhe të maskuara. "Kërkojmë dorëheqjen e Kryeministrit Berisha, duke vlerësuar se mbi të bien përgjegjësitë maksimale shtetërore politike dhe morale si firmosës i vendimit të Këshillit të Ministrave që ka lejuar ndërtimin dhe funksionimin e kësaj fabrike vrasëse e prodhuese të katastrofës më të përgjakshme të ndodhur ndonjëherë në Shqipëri", theksoi kreu i LSI-së, Ilir Meta. Sipas tij, një tragjedi e përmasave të tilla të jashtëzakonshme kërkon një hetim të plotë, të gjerë dhe të paanshëm. Ndërsa një hetim i tillë dhe puna e drejtësisë komprometohet dhe vështirësohet dukshëm e për pasojë i largohet të vërtetës së ngjarjes, për sa kohë që vetë Kryeministri është pjesë e rëndësishme e përgjegjësive të kësaj ngjarjeje dhe qenia e tij në krye të ekzekutivit vështirëson procesin e zbardhjes së të vërtetës. "Dorëheqja e Kryeministrit është e pashmangshme për realizimin e një procesi hetimi transparent dhe të painfluencuar dhe në këtë mënyrë hidhet vetëm hapi i parë për të sqaruar deri në fund gjithçka që lidhet me këtë tragjedi, e cila ka prodhuar viktima në jetë njerëzore", sqaroi Meta. LSI-ja kërkon që qeveria të bëjë në mënyrë urgjente dhe me ekipe me ekspertë të huaj, vlerësimin e rrezikshmërisë së ambientit për shëndetin e banorëve në të gjithë zonën e fshatit Gërdec. Me qëllim, sipas Metës, evitimin e dëmtimeve të shëndetit që mund të vijnë nga lëndët toksike apo rrezatimet eventuale të paidentifikuara ende, të shkaktuara nga shpërthimet masive. LSI-ja vlerëson se është i papranueshëm deformimi i të vërtetave publike dhe shpërdorimi i fjalës së lirë për qëllime klienteliste politike.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›