Tragjedia trondit qeverinë
"Hiroshima" e Gërdecit ka lëkundur nga themelet qeverinë "Berisha". Pas kërkesave të popullit të Vorës dhe fshatrave që u goditën nga katastrofa e 15 marsit, atyre të opozitës, si dhe të kancelarive perëndimore, Kryeministri ka ndërmarrë një tentativë të shpëtojë çka të mundet nga "nderi" i tij qeverisës, duke projektuar një rikompozim total të kabinetit, i cili më shumë mund të quhet "arnim" i vogël, por që pritet të sjellë debate në ditët në vazhdim. Berisha, në bashkëpunim me ekipin më të ngushtë brenda Partisë Demokratike, ka projektuar riformatimin e qeverisë, çka e ka penguar atë dje që të japë vetëm emrin e ministrit të ri të Mbrojtjes. Burime pranë Kryeministrisë bëjnë me dije se përpara se shefi i qeverisë të përcaktojë emrat e kabinetit të ri, duhet t‘ia paraqesë ato për konsultim Presidentit të Republikës. Situata e krijuar së fundi në vend, dorëheqja e ministrit Fatmir Mediu dhe nevoja për një ndryshim rrënjësor të anëtarëve të qeverisë, ka detyruar Kryeministrin t‘i futet punës për të skicuar skemën e kabinetit të ri qeveritar. Idetë e para për lëvizje brenda qeverisë janë hedhur në diskutim ditën e diel. Burime pranë Kryeministrit bëjnë me dije se ideja e Berishës është që t‘i bëjë ndryshimet njëherë e mirë, para Samitit të Bukureshtit. Ky ka qenë edhe shkaku që ka penguar dje Kryeministrin të japë një emër konkret, se cili do të jetë ministri i ri i Mbrojtjes. Ajo çka kreu i Ekzekutivit ka bërë me dije dje, ka qenë fakti që republikanët do të vazhdojnë të jenë të pranishëm në qeveri, ndonëse në një ministri tjetër. "Republikanët janë aleatët e mi më të mirë dhe bashkëpunimi do të vazhdojë", tha Berisha.
Lëvizjet në kabinet
Shefi i Këshillit të Ministrave, deri në këto momente, është duke akumuluar të gjitha informacionet e mundshme për të vendosur më pas se cilët do të jenë anëtarët e rinj të qeverisë me të cilët do të prezantohet përpara elektoratit në zgjedhjet e përgjithshme të vitit 2009. Burime pranë Kryeministrit pohojnë se në postin e ministrit të Mbrojtjes duhet të jetë një figurë profesioniste në mënyrë që Shqipëria të ketë një paraqitje sa më të mirë më 2-4 prill në Samitin e Bukureshtit. Janë një seri emrash të cilat i janë propozuar Kryeministrit për të zëvendësuar Fatmir Mediun. Ajo që bëhet publike është vetëm fakti se ministri i ri i Mbrojtjes nuk do të jetë nga radhët e Partisë Republikane. Burime pranë Këshillit të Ministrave konfirmojnë se Partia Republikane do të vazhdojë të përfaqësohet në qeveri, por në rastin konkret me një ministri më pak të rëndësishme se ajo e mbrojtjes. Neritan Alibali është figura më e lakuar e republikanëve, i cili pritet të zëvendësojë në detyrë një ministër demokrat. Deri në mesditën e djeshme, Ministria e Kulturës ishte përcaktuar si dikasteri që do t‘u lihet në dispozicion republikanëve, duke larguar në këtë mënyrë një nga ministrat që kohët e fundit e ka futur qeverinë në konflikt, Ylli Pangon.
Nga ana tjetër, të kontaktuar nga "Shqip", ministrat e kabinetit aktual ndodhen në konfuzion për faktin se kush do të lërë qeverinë dhe cilët do të vazhdojnë të qëndrojnë brenda kabinetit.
Skema për ndryshimet në kabinet është diskutuar brenda Kryeministrisë që ditën e diel, ndërkohë që pritej të bëhej zyrtar vetëm në momentin e qetësimit të situatës në fshatin Gërdec. Ministri Mediu deklaroi dje dorëheqjen, ndërkohë që ministra të tjerë priten të zëvendësohen nga Kryeministri Berisha.
Aleatët ngrenë supet: Situata në qeveri, shumë konfuze
Të gjithë aleatët e Kryeministrit Berisha kanë ngritur supet, duke bërë të paditurin lidhur me ndryshimet në qeveri. Disa prej tyre, madje të pyetur për këtë çështje, shprehen se situata është shumë konfuze dhe nuk po kuptojnë se çfarë po ndodh. Gjithsesi, informacionet zyrtare të ardhura nga Kryeministria pohojnë se aleatët e koalicionit qeveritar nuk do të ndryshojnë dhe nuk do të lëvizin nga kabineti qeveritar. Burimet konfidenciale pranë Kryeministrit thanë se ata që priten të lëvizin do të jenë nga radhët e PD-së dhe jo nga aleatët. Madje republikanët do të përfaqësohen në qeveri në bazë të marrëveshjes së nënshkruar në vitin 2005, me dy zv.ministra dhe një ministër. Ata që do të ndryshojnë do të jenë vetëm disa prej ministrave demokratë. Ministrat Genc Pollo, Nard Ndoka, Lufter Xhuveli dhe Kosta Barka pretendohet që të jenë të paprekshëm nga pozicioni i tyre në qeveri. Nëpërmjet një konference për shtyp në orët e vona të mbrëmjes, Kryeministri ka pranuar dorëheqjen e ministrit Fatmir Mediu dhe ka bërë me dije se kanë filluar procedurat për zëvendësimin e tij. Ashtu siç ka bërë dje në mesdrekë, edhe sot, Kryeministri do të mbledhë pranë vetes bashkëpunëtorët e përhershëm brenda selisë blu, për të përcaktuar emrin e ministrit të ri të Mbrojtjes, por edhe për të menduar më mirë për ndryshimet rrënjësore në qeveri, të cilat ishin menduar për t‘u bërë pas Samitit të Bukureshtit. Në një kohë që duhet të ishte mbledhur tryeza e koalicionit, e cila nuk funksionin prej kohësh, ministrat aleatë, të trembur për të ardhmen e karriges së tyre, kanë preferuar të mos bëjnë asnjë deklaratë lidhur me ndryshimin e pozicioneve brenda kabinetit, por kanë përshëndetur veprimin e ministrit të Mbrojtjes, Fatmir Mediu. Deputetët e Partisë Republikane, të cilët për momentin nuk kanë asnjë përfaqësues në nivel ministri në kabinet, janë mbledhur sërish dje në mbrëmje, në një nga lokalet e kryeqytetit, për të zhvilluar mbledhjen e radhës së kryesisë, larg selisë së tyre në qendër të bllokut, me qëllim që të zhduken larg vëmendjes së gazetarëve.
Dorëheqja e Mediut, sot dorëzohet në Presidencë
Pas dorëheqjes së paraqitur dje pasdite nga ministri i Mbrojtjes Fatmir Mediu, Kryeministri Berisha, në një konferencë për shtyp, ka pranuar vendimin e tij. Në bazë të Kushtetutës, tashmë kreu i qeverisë duhet të mendojë zëvendësimin e tij dhe më pas t‘ia paraqesë Presidentit të Republikës për të firmosur dekretin e shkarkimit të Mediut dhe më pas dekretin e emërimit të ministrit të ri. Pas dekreteve të Presidentit Topi, ata kalojnë për votim në Kuvend, ku deputetët duhet të votojnë shkarkimin e Mediut dhe emërimin e zëvendësit të tij. Pas mbarimit të kësaj procedure, e cila do shumicë të thjeshtë në Kuvend, emri i ri, i cili është votuar për të zëvendësuar ministrin e dorëhequr Mediu, kthehet sërish në Presidencë. Stafi i saj duhet të përgatisë ceremoninë e betimit të ministrit të ri, i cili do t‘i bashkëngjitet kabinetit të qeverisë "Berisha", si ministri më i ri.