E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kancelarja Merkel, letër ngushëllimi

Kancelarja Federale Gjermane, Angela Merkel, i përcolli dje Kryeministrit Sali Berisha një telegram ngushëllimi. "Shumë i nderuar zoti Kryeministër! Thellësisht e prekur mësova lajmin e fatkeqësisë së rëndë të shpërthimit që ndodhi në afërsi të kryeqytetit shqiptar, Tiranës", shkruan Merkel. Ajo konstaton se njoftimet e tmerrshme për të vdekurit dhe të plagosurit e shumtë e kanë tronditur mjaft. "Ju dhe familjarëve të viktimave dëshiroj t‘ju shpreh ngushëllimet e mia të thella. Këto orë të vështira ndodhem me mendje pranë të gjithë atyre që janë duke vuajtur për humbjen e të afërmve dhe miqve të tyre. Të plagosurve u uroj shërim të shpejtë dhe të plotë", thotë Merkel. Paraditen e ditës së diel në Rinas u ul një avion Cessna i Kryqit të Kuq Gjerman, i cili solli ndihma për kujdesin e të plagosurve. Në listën e ndihmave ishin 2000 njësi albuminë në vlerën e 100000 eurove (albumina është proteina që përmbahet në plazmën e gjakut dhe në raste plagosjesh është e rëndësishme për ndalimin e edemave). Gjithashtu u dhuruan 250 kg materiale fashimi për viktimat e zjarreve. Ambasadori Bernd Borchardt e priti dërgesën së bashku me sekretarin e përgjithshëm të Kryqit të Kuq Shqiptar, zotin Samir Muça.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›